leoni

Nuhi BYTYÇI: NË PËRKUJTIM TË QEMAL HASANIT, PERSONALITET I VEÇANTË, I MENÇUR DHE VIZIONAR

Nuhi BYTYÇI: NË PËRKUJTIM TË QEMAL HASANIT, PERSONALITET I VEÇANTË, I MENÇUR DHE VIZIONAR

Nga Çikago e Amerikës këto ditë morëm një jam shumë të keq: Në moshën 78 – vjeçare ka ndërruar jetë Qemal Hasani. Ishte vërtetë një lajm shumë i dhembshëm për humbjen e familjarit të mire, kolegu dhe intelektuali të aftë dhe të guximshëm. Të përkujtojmë se Qemal Hasani ishte një veprimtar politik, parasëgjithash gazetar, redaktor dhe drejtor i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Prishtinës. Pra, ai ishte ndër kuadrot e para që nga themelimi i Televizionit të Prishtinës dhe deri në nivelin më të lartë të zhvillimit dhe të profesionalizuimit të TVP-së.

Me që në vjeshtë të vitit 1975, pas një konkursi publik u pranova të angazhohem  në cilësinë e gazetarit në TV e Prishtinës, pata rastin dhe kënaqësinë që të njihem dhe bashkëpunoj me Qemalin. Ai në atë kohë ishte në krye të Programit Informativ-Politik të TVP-së dhe ishte udhëheqës i nivelit evropian. Pas dëshmimit tim profesionist, fati deshti që Qemal Hasani të firmosë rekomandimin për të më dhënë vendimin e pranimit gazetar i rregullt, i përhershëm në TV e Prishtinës. Dhe që nga ajo periudhë e deri në vitin 1988, kur Qemali  u largua nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Radiotelevizionit të Prishtinës për shkak se ishte i papërshtatshëm për udhëheqjen e atëhershme politike të Kosovës e të Beogradit.   Ai e përfundoi me shumë sukses karrierën profesionale në krye të Radioitelevizionit të Prishtinës.

Unë kisha nderin që të bashkëpunoj ngusht me të, sepse ai me gjithë përgjegjësinë menaxheriale që kishte në krye të këtij institucione tejet të rëndësishëm, përherë, edhe në kohë tejet të vështira, kur intelektualët shqiptarë ishin në shënjestër të politikës antishqiptare të Beogradit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, Qemali përherë punoi dhe qëndroi vertikalisht, si në aspektin profesionist, ashtu edhe në atë kombëtar.

Më kujtohet si sot, kur në prill të vitit 1987 unë dhe Muhamet Mjeku u caktuam nga redaksia për të përcjellur dhe raportuar nga tubimi famëkeq i Sllobodan Millosheviqit me serbët dhe malazezët e qytetarët e tjerë në Shtëpiunë e kulturës në Fushë Kosovë, pikërisht në kohën e egërsisë së qarqeve nacionaliste e shoveniste serbe në Kosovë kundër shqiptarëve në Kosovë me mbështetje të fuqishme të Beogradit, pas përfundiomit të kë[tij tubimi,me që kishim liri dhe afërsi me të,  i propozuam drejtorit Qemal Hasani që për këtë ngjarje TV  Prishtinës të përgatiste vetëm një kronikë të njejtë speciale për Programin në gjuhën shqipe dhe për atë në gjuhën serbokroate. Qëllimi ynë ishte që ta demaskojmë në në tërësi politikën antishqiptare dhe diskriminuese të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë, e cila në kohën e ngritjes politike të Milloshevqit mori hov të madh. Si dihet, Millosheviqi i mbështeti pa asnjë reservë qarqet nacionaliste e shoveniste serbo-malazeze në Kosovë, duke i marrë në mbrojtje dhe dhënë kurajo që të atakojnë çdo gjë shqiptare. Unë dhe Muhameti e përgatitëm kronikën edhe për programin në gjuhën serbo-kroate, por pas transmetimit të saj kishte reagime tejet të mëdha, të papara ndonjëherë, duke na akuzuar se ishte kronikë e njëanshme dhe tendencioze për të komprometuar politikën e Serbisë në krye me Millosheviqin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndoshta ishte ashtu, por ne me këtë rast u munduam që të rtaportojmë në mënyrë profesionale, duke i përfshirë në kronikë të gjitha diskutimet e serbëve dhe malazezëve, të cilët pa asnjë argument dhe pa fije turpi sulmonin, urrenin dhe akuzonin fqinjtë e tyre shqiptarë për presion ndaj tyre për tu larguar nga Kosova. Pas fjalimeve të tilla në gjuhën serbo-kroate përfshimë edhe fjalën e Millosheviqit, ku për asnjë moment nuk u distancuar nga qasja e tillë e serbëve dhe malazezëve, por i arsyetoi dhe i mori në mbrojtje, duke iu garantuar politikë shtetërore ndaj kuadrove shqiptare.

Më kujtohet, kur filluan sulmet e ashpra nga udhëheqja politike e Kosovës, veçmas nga kuadrot serbo-malazeze ndaj  TV të Prishtinës, sidomos ndaj neve si autorë të kronikës dhe veçmas ndaj drejtorit të përgjitshëm Qemal Hasanit. Në mediat serbe në Beograd shkruhej  se raportimi ynë ishte i qëllimshëm. Express politika botoi shkrimin special për raportimin tone me titull  “Montazha i diverzija!” (Montazhë dhe diversion!”), duke kërkuar edhe kokën tonë!

Dhe derisa unë e Muhameti për ta shpëtuar Qemalin nga shkarkimi biseduam me të dhe shprehëm gatishmërinë që të pranojmë nga një vërejtje të fundit disiplinore për largim nga puna. Mirtëpo, Qemali ishte shumë i vendosur, duke na thënë: “Jo, nuk keni nevojë që të sakrifikoheni për mua, sepse edhe unë edhe ju do të qëndrojmë stojikisht në mbrojtje të principeve profesionale, pavarësisht se nuk i ka pëlqyer kronika disa qarqeve nacionaliste serbe e antishqiptare në Kosovë dhe në Beograd.” Dhe kështu vepruam. Nuk u dorëzuam fare dhe në mbledhjen e kolektivit tone që ishte ftuar enkas për të shqyrtuar raportimin tonë nga tubimi i Millosheviqit në Fushë Kosovë, gazetarët dhe redaktorët e prijësit shqiptarë u bëmë unikë dhe nuk lejuam në asnjë mënyrë që të bijmë pre e diktatit të Beogradit. Kështu mbrojtëm etikën tone dhe standardet profesionale, sepse raportuam në mënyrë objektive, duke mos fshehur asgjë nga diskutimet nacionaliste, tendencioze, fyese, urrejtëse dhe luftënxitëse të qytetarëve serbë si dhe të Millosheviqit ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Ishte kjo hera e parë kur një udhëheqës i RTP-së të ishte në mbrojtje të gazetarëve dhe redaktorëve shqiptarë, nga se më parë pas demonstrative të vitit 1981 për tu avancuar në pozita edhe më të larta politike, disa udhëheqës i sakrifikonin bashkëpunëtorët me masa të ndryshme disiplinore e të tjera. Pra, kjo dëshmon se Qemal Hasani ishte një profesionist e udhëheqës shembullor, njeri i mençur, profesionist, guximtar, vizionar dhe atdhetar.

Me Qemal Hasanin kam pasë rastin që të takohem dhe bashkëpunoj edhe gjatë kohës së luftës së UÇK-së kundër forcave serbe në vitin 1998-1999. Më kujtohet kur u takuam në banesën time në pranverë të vitit 1998. U këshillova me të për mënyrën e raportimit nga zonat e luftës. Edhe ai shprehu gatishmërinë që të më ndihmonte mua në aspektin profesional nëse ka hapësirë dhe nevojë për të.  Rrethanat ishin tejet të vështira  për lëvizje nga Prishtina në zonat e luftës, ku kudo kishte punkte policore dhe ushtarake dhe ishte e pamundur që të shkonim me grupe më të mëdha. Mirëpo, Qemali më ndihmoi duke me dhënë numrin e telefonit të vëllait të tij kameraman – Sadikut dhe kështu pastaj e kontaktova Sadikun dhe ishte kamaramani i parë i TV të Prishtinës që punonte për TV Shqiptar në Tiranë i cili xhiroi imazhet e para të dokumentarit “SËRISH DRENICA” kushtuar Epopesë së UÇK-së në Prekaz dhe në Likoshan e Qirez. Qemali ishte shumë i gëzuar për punën tone tejet të suksesshme dhe kur takoheshim në lagjen tonë Kodra e diellit më përgëzoi në mënyrë të veçantë.  Çlirimin e Kosovës dhe shtetin e pavarur të Kosovës  Qemal Hasani e përjetoi si arritje shekullore të popullit tonë pas rrugëtimit të gjatë me plot sakrifica e flijime. Për këtë edhe ai ka dhënë kontributin e tij konkrtet.

Ne kolegët dhe familja e Qemal Hasanit atë do ta kujtojmë përherë me pietet dhe krenari, sepse me veprat dhe shembëlltyren e tij ishte personalitet i veçantë i medias dhe i shtetit të pavarur e demokratik të Kosovës dhe popullin shqiptar në përgjithësi. Qemal, lamtumirë!

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …