leoni

Nuhi Zejnullah Mazreku (21.4.1959 – 24.8.1998)

Nuhi Zejnullah Mazreku (21.4.1959 – 24.8.1998)

Njëri ndër ata luftëtar të lirisë që iu përgjigjen zërit të atdheut që në orët e para ishte edhe trimi nga Goriçi i Malishevës, Nuhi Mazreku. Familja e Nuhiut ishte një familje bujare dhe me traditë të pasur kombëtare dhe mu për këtë ajo iu kishte rënë në sy organeve policore dhe shërbëtorëve të tyre shqipfolës. Edhe në Aksionin e Armëve më 1956 familja Mazreku ishte ndarë shumë keq, kur babagjyshi i Nuhiut, Ajet Mazreku, për shkak të torturave çnjerëzore që ia bëjnë në stacionin e policisë në Banjë, vdes nga këto tortura. Në janar të vitit 1998, policia serbe bastis shtëpinë e Nuhiut me pretekstin e kërkimit të armëve.
Nuhiu shkollën fillore tetëklasëshe e kreu në Pagarushë, dy vjet të shkollës së mesme i kreu në Malishevë, ndërsa dy vjet të tjerë-gjimnazin-në Rahovec. Shkollën e Lartë Pedagogjike-drejtimin klasor-e kreu në Gjakovë.Gjatë shkollimit në Gjakovë ka dhënë mësim në Shkollën Fillore të Pagarushës, pa shkëputje nga puna. Me ndërtimin e shkollës në fshatin e tij të lindjes në Goriç, ai fillon të punojë aty.
Siç dëshmojnë bashkëluftëtarët e tij të ngushtë, Nuhiu, kontaktet e para me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka bërë në fund të marsit (19 mars 1998) kur në shtëpinë e Nuhiut kanë ardhur Ismet Jashari-Kumanova, Fatmir Limaj dhe Haxhi Shala. Këta tre luftëtarë të lirisë aty qëndrojnë nja 20 ditë dhe prej aty shkojnë e vendosen në Kleçkë.
Ismet Jashari-Kumanova, siç rrëfejnë babai i Nuhiut, xha Zejnullahu, dhe vëllai i Nuhiut, Hamiti, pas plagosjes, është shëruar në shtëpinë e tyre në Goriç. Atë e kanë sjellë në shtëpinë tonë Nexhat Cikaçi dhe Haxhi Shala, ndërsa e ka shëruar infermierja, Mejremja nga Dobërdolani. Ata kohë pas kohe ktheheshin në shtëpinë tonë, rrëfejnë ata. Po më duket se po e shoh Ismet Jasharin kur erdhi në odën tonë e m’u drejtua me këto fjalë, rrëfen babai i Nuhiut, xha Zejnullahu: Cilin djalë po ma jep për luftë?-më tha.-Zgjidhe cilin të duash-i thashë. Sikur ta dija, ai zgjodhi Nuhiun. Nuhiu e ka pasë të kryer shërbimin ushtarak të ish-Jugosllavisë dhe ka ditur t’i përdorë shumë mirë armët, sidomos pushkën-snajper, sepse përdorimin e saj kishte pasur rast ta ushtrojë edhe atje. Madje edhe gjatë luftës shokët ia dhanë nofkën Snajperisti majtist, i cili s’i lë kund vend armikut.
Bashkëluftëtarë më të ngushtë i ka pasur: Afrim Buçajn, Refki Mazrekun, Nexhmi Shalën, Gani Kastratin, Habib Zogajn etj. Nuhiu ka qenë pjesëtar i njësitit Çeliku, i cili ka vepruar në shumë zona lufte dhe i ka shkaktuar armikut dëme të konsiderueshme. Shtëpia e Nuhiut, e vendosur në mes të pyllit, ishte një vend strategjik, ku strehoheshin luftëtarët e lirisë dhe ku bënin plane për aksione kundër armikut. “Pasi në odën time vinin shumë mysafirë, rrëfen xha Zejnullahu, luftëtarët e lirisë i vendosnim në shtëpinë e vëllait, në bodrum, pak më poshtë dhe ne bënim roje tërë natën. Nuk kanë shkuar as dhjetë ditë, kur Nuhiu më njoftoi se aty do të vinin disa luftëtarë. Ata i sollën Refki Mazreku (Vandami) dhe Haxhi Shala (Topi). “Ky është Kumanova”, më tha Haxhiu, kurse për të tjerët më tha se janë prej anëve të ndryshme të Kosovës. Kishin qenë të lodhur, të rreckosur e të rraskapitur. Të nesërmen ka ardhur edhe Fatmir Limaj, të cilin s’e kemi njohur. Se ku është plagosur Ismeti, nuk e di, kur erdhi këtu te ne në mesnatë. Të nesërmen në mëgjes shkova dhe e pashë. Kishte qenë i plagosur në të dyja këmbët. I thashë si në hajgare: Paske ikur nga lufta! Si të rroku në të dy këmbët? Ai filloi të qeshë. Dy javë është shëruar në odë-bodrum të vëllait, por kur u rrezikua, e përcollëm për në Kleçkë. Atë e ka shëruar “Shote Galica” nga Dobëdolani. Në atë kohë këtu në odë tonë kanë ardhur të plagosur edhe Bajram Bekteshi dhe Nexhat Cikaçi (Bardhi), thotë ai. Kur ka ardhur më vonë Ismeti në shtëpinë tonë, vazhdon të rrëfejë xha Zejnullahu, tërë natën ka ndenjur duke biseduar me Nuhiun. E kam dëgjuar kur i ka thënë: “Mbaje mësimin , por puno edhe në drejtimin tjetër”. Nuk shkonin as dhjetë ditë e ai vinte në odën tonë. Kur një ditë ja solla një kalashnikov të ri, u ngrit e e puthi. Në odën e Nuhiut gjatë kohës së luftës disa herë kanë qenë edhe delegacione të huaja. Herën e fundit këtu kanë qenë edhe Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e të tjerë.
Më 24 gusht të vitit 1998, herët në mëngjes, komandant Nuhi Mazreku tregon se forcat serbe po granatojnë nga drejtimi i Bllacës, në drejtim të Bajrakut. Me t’u njoftuar për këtë, Nuhiu së bashku me Gani Kastratin, Refki Mazrekun, i njohur me emrin e luftës si Vandami, si dhe me Ilir Kryeziun, Kujtim Krasniqin dhe Valbonë Morinën, nisen në drejtim të Bajrakut të Luzhnicës, për t’i shkuar në ndihmë Ismet Jasharit-komandant “Kumanovës”. Ja si e kujton këtë rast bashkëluftëtari i Nuhiut, Refki Mazreku-Vandami: “Të gjithë hipëm në xhip, por meqë xhipi “Kabriolet” nuk na zinte të gjithëve, Ganiu ulet mbi gomën rezervë. Afër 100 metra pa arritur te pozicionet e ushtarëve tanë, mbi xhipin tonë zbrazet breshëria e armëve të armikut, i cili na kishte vënë në shënjestër. Ganiu me shpejtësi kërcen nga xhipi dhe merr pozicion sulmi. Ndërkohë plagosem unë dhe Ilir Kryeziu, Pasi që Ganiu kishte marrë plagë vdekjeprurëse, ai mbeti në rrugë, ndërsa ne bëmë përpjekje për ta tërhequr. Në përpjekje për t’i ofruar ndihmë Ganiut dhe për ta tërhequr nga rruga ku kishte rënë, bien duke luftuar kundër forcave armike edhe Nuhi Mazreku dhe Afrim Buçaj. Refki Mazreku, edhe pse i plagosur, bën përpjekje për t’i lajmëruar ushtarët që vinin në drejtim të Bajrakut, në mënyrë që të shmagnin rrugën , sepse ajo ishte vënë në shënjestër të forcave të shumta të armikut.
Të nesërmen, më 25 gusht, herët në mëngjes, Ismet Jashari-komandant “Kumanova” së bashku me Habib Zogajn, zëvendëskomandant i njësisë diversante vëzhguese Arbri dhe me disa luftëtarë të tjerë bëjnë përpjekje për t’i marrë trupat e dëshmorëve: Nuhi Mazreku, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj. Aty zhvillohet një luftë e ashpër kundër forcave serbe me ç’rast bien edhe komandant “Kumanova” dhe Habib Zogaj. Pasi që sulmi kishte zgjatur me orë të tëra, bashkëluftëtarët nuk arrijnë t’i marrin kufomat e dëshmorëve. Forcat armike kishin depërtuar te vendi i rënies së dëshmorëve, në Bajrak të Luzhnicës, i marrin trupat e tyre dhe i varrosin në Shirokë të Therandës (ish-Suharekë).
Luftëtarët e brigadës “Kumanova”, në bashkëveprim me luftëtarët e Anadrinit, pas një kohe, arrijnë që trupat e dëshmorëve t’i zhvarrosin nga varret e Shirokës dhe t’i rivarrosin në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë, me nderime ushtarake.
Dëshmori Nuhi Mazreku ka lënë pas veti nënën Bademe, vëllezërit-Hamitin, Avdiun, Avniun dhe Elmiun, bashkëshorten Fahrie, fëmijët-Ylberin, Luljetën, Labinotin, Fitimin dhe Artën., të cilët do të mburren për jetë të jetëve me veprën e tij sublime.
Pas rënies, Qeveria e Përkohshme e Kosovës i ka dhënë Mirënjohje. Për dëshmorin Nuhi Mazreku është shkruar në librin Dëshmorët e Llapushës të autorit Ramadan Krasniqi. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …