Nxënësit e medresesë “Alauddin” në Prizren, dhanë shfaqje kulturore dhe artistike në Malishevë

Nxënësit e medresesë “Alauddin” në Prizren, të enjten kanë dhënë një shfaqje kulturore dhe artistike në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë. Para fillimit të shfaqjes, u mbajtën edhe fjalime, ndërsa në këtë shfaqje, ishin të pranishëm edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, krerët e Bashkësisë Islame në Malishevë, të prirë nga Xhevat Kryeziu, ata të Prizrenit të prirë nga Ali Vezaj-kryeimam dhe Besim Berisha, komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Morina, menaxhmenti i medresesë  dhe qytetarë të shumtë.

Duke e përshëndetur këtë shfaqje të organizuar nga medreseja, i pari i Malishevës, Ragip Begaj, tha se “populli shqiptar gjithmonë është përpjekur dhe falë kësaj përpjekje dhe sakrificës së dëshmorëve, ne sot japim dhe shikojmë këto shfaqje, por këtë e bëjmë falë besimit që kemi. Ne gjithmonë kemi besuar dhe besimi na solli lirinë”.

Ndërsa sekretari i medresesë “Alauddin”, Fetah Bekolli, pasi i falënderoi të gjithë të pranishmit, foli edhe për përpjekjet e popullit shqiptar dhe kontributin e prijësve fetar në luftën çlirimtare. “Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë rënë dëshmorë edhe 33 hoxhallarë”, tha Bekolli, i cili më pas foli edhe për rëndësinë e mësimit në medresenë “Alauddin”.

Fjalime të rastit kanë mbajtur edhe krerët e bashkësive islame të Malishevës dhe Prizrenit Xhevat Kryeziu dhe Besim Berisha, si dhe kryemami i Prizrenit Ali Vezaj.

Aktiviteti është hapur me intonimin e himnit kombëtar të interpretuar nga nxënësit e medresesë, ndërsa programi artistik u fillua me këngën për dëshmorin e kombit Tahir Sinani, e më pas u vazhdua me ilahi dhe recitale të përgatitur nga nxënësit e medresesë “Alauddin” në Prizren.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …