Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në mbledhjen e Komitetit për Menaxhimin e Pandemisë e cila do të realizohet sot në mënyrë që të shqyrtohen masat për pandeminë Covid-19, të bëhen lehtësime, ashtu siç kanë vepruar vendet e rajonit dhe më gjerë, duke liruar masat tashmë.
OAK kërkon që përmes vendimit të ri që të largohet ora policore e gjithashtu të mos ndalohet dhe kufizohet ushtrimi i veprimtarisë për bizneset, marrë parasysh që kapaciteti që shteti ynë ka për përkrahje financiare të këtyre të fundit është tejet i kufizuar. Ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë tek sektorët e caktuar po ndikon edhe në mirëqenien e përgjithshme shoqërore, marrë parasysh faktin që bizneset të cilat nuk funksionojnë e kanë të pamundur të paguajnë pagat e stafit për periudhën që janë të mbyllur, qiratë dhe kreditë.
Në këtë mënyrë, personat të cilët punojnë në sektorët të cilëve u ndalohet apo kufizohet ushtrimi i veprimtarisë, po mbesin të pa punë e gjithashtu pa të ardhura për të njejtën periudhë kohore, ani pse një pjesë e bizneseve po tentojnë që të paktën të ju bëjnë një kompenzim të pjesshëm. Përveç kësaj, bizneseve të cilat e kanë të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë në mënyrë të plotë, apo të pjesshme, me 70, 50 apo 30% të kapacitetit, siç është sektori i gastronomisë po u shkaktohen edhe dëme tjera financiare, pasi që produktet që ata përdorin janë me afat të shkurtë skadence.
Kufizimi i ushtrimit të veprimtarisë të sektorit të gastronomisë po dëmton një zinxhirë të bizneseve të sektorëve të ndryshëm, duke përfshirë këtu prodhuesit e produkteve ushqimore siç janë pijet, ushqimi, mobilieritë, organizuesit e ngjarjeve,etj.
OAK në vazhdimësi kërkon nga komuniteti i biznesit që të respektohen masat e vendosura nga Institucionet vendore, mirëpo njëkohësisht kërkon edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës që masat të jenë lehtë të zbatueshme, inspektorët të kontrollojnë bizneset të cilat bëjnë shkeljen e tyre e gjithashtu të ofrohet përkrahje financiare për bizneset e prekura nga masat. OAK konsideron që lirimi i masave do të ndikoj pozitivisht në mirëqenjen e shoqërisë në përgjithësi, e gjithashtu edhe komuniteti i biznesit.