Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), këtë vit ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, me ç ‘rast u prezantuan aktivitetet e OAK-së, të arriturat, çështjet e zgjidhura dhe trajtuara si dhe raporti financiar dhe planifikimi për vitin 2022
Me rastin e pesë vjetorit Oda e Afarizmit të Kosovës, ka zgjedhur strukturat e reja udhëheqëse të saj.
Fillimisht gjatë mbledhjes së kuvendit u propozuan kandidatët për kryetar të kuvendit të OAK-së, kryetar të bordit të OAK-së dhe anëtarët e bordit.
Anëtarët e kuvendit zgjedhor të Odës së Afarizmit pas votimit unanimisht kanë vendosur, që anëtari i bordit Hamdi Malushaj të zgjedhet kryetar i ri i kuvendit të OAK-së.
Oda e Afarizmit të Kosovës po ashtu ka zgjedhur edhe kryetarin e ri të bordit i cili njëkohësisht është edhe kryetar i OAK-së.
Skënder Krasniqi u rizgjedh për një mandat të dytë si kryetar i Odës së Afarizmit, me vota unanime nga anëtarët e kuvendit.
Me rastin e rizgjedhjes Krasniqi ka shprehur kënaqësi dhe falënderim për besimin që i është dhënë nga anëtarët e OAK-së, për një mandat të dytë.
Krasniqi gjithashtu ka kërkuar nga anëtarët e OAK-së dhe bizneset tjera që së bashku ta ndihmojnë në adresimin e çështjeve që janë në interes të bizneseve, sepse vetëm në këtë mënyrë do të përmirësohej infrastruktura e të bërit biznes, duke marr parasysh sfidat dhe ndryshimet e vazhdueshme të qeverive dhe nevojën për një reagim më urgjent, në të mirë të bizneseve.
Gjatë mbledhjes së këtij kuvendi u zgjodh edhe bordi i OAK-së, si më poshtë:
Skënder Krasniqi (kryetar i bordit dhe anëtar), Hamdi Malushaj, Arsim Selmonmusaj, Hasan Gigollaj dhe Diamant Elshani u rizgjodhën si anëtarë të bordit të ri të OAK-së edhe për njëmandat.
Ndërsa Idriz Zejnullahu, Arben Gashi, Shyqri Bytyqi dhe Mentor Sahiti në mënyrë unanime u zgjodhën anëtar të ri të bordit, duke kompletuar kështu edhe bordin e drejtorëve të OAK-së me gjithsejt 9 persona.