Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor do të jetë “afatgjatë dhe i gjerë”. Ekspertët kanë bërë thirrje për veprim lidhur me ankthin dhe stresin e lidhur me COVID-19. OBSH-ja thekson se “ankthi i lidhur me shpërndarjen e virusit dhe ndikimi psikologjik i mbylljes dhe vetizolimit”, kanë kontribuar në një krizë të shëndetit mendor, bashkë me streset e lidhura me papunësinë, shqetësimet financiare dhe izolimin social. Drejtori regjional i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge tha se shëndeti mendor duhet të konsiderohet një e drejtë fundamentale njerëzore duke theksuar se virusi ka shkatërruar jetë. “Pandemia e ka tronditur botën”, tha ai në konferencë. OBSH bëri thirrje për forcim të shërbimeve për shëndetin mendor në përgjithësi dhe të përmirësohet qasja në shërbime të kujdesit përmes teknologjisë.
