( Intervistë e Faton Mehmetajt për Obshtestvo.net, në Bullgari )
Obshtestvo.net: Z. Mehmetaj, doli nga shtyp libri Juaj “Veprimtaria e shërbimeve sekrete ruse në shtetet e Ballkanit”. A mund të na tregoni më shumë për studimin Tuaj?
Mehmetaj: Pjesa më e madhe e kësaj analize, lidhur me praninë dhe veprimtarinë e shërbimeve sekrete ruse në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, por edhe në shtetet tjera të Ballkanit dhe të Europës, që botohet në këtë libër, është botuar si fejton në shtatëmbëdhjetë vazhdime në gazetën e përditshme “Epoka e Re”, në Prishtinë, në muajt nëntor-dhjetor 2017. Ajo që më shtyri për ta bërë libër këtë fejton, ishin kërkesat e mëdha të lexuesve, të studiuesve, por edhe të miqve dhe dashamirëve të mi, të cilët më sugjeruan që këto shkrime t’i përmblidhja në një libër. Kjo ndodhi pasi në ueb-faqen elektronike të gazetës “Epoka e Re” (https://www.epokaere.com/), ku ka pasur lexueshmëri jashtëzakonisht të madhe, sapo ka përfunduar fejtoni ka pasur ndërhyrje të paautorizuara të hakerëve, duke e pamundësuar komplet pasqyrimin e fejtonit në formën elektronike, në të cilin flitej për prezencën ruse në shtetet e Ballkanit Perëndimor e më gjerë, por duke i dëmtuar edhe fondet tjera të botimit elektronik.
Në këtë hulumtim janë trajtuar me kujdes argumentet, faktet e të dhënat që dëshmojnë praninë e shërbimeve sekrete ruse në këto shtete. Botimi i këtij libri është rezultat i bashkëpunimit të Institutit për Studime Gjeopolitike dhe Siguri (ISGJS) dhe Gazetës së Përditshme Shqiptare “EPOKA E RE”, në Prishtinë. Pasi ka dalë nga shtypi, libri “Veprimtaria e shërbimeve sekrete ruse në shtetet e Ballkanit”, në bazë të kërkesave të lexuesve, në një kronikë javore të librit, të bërë nga RTK (Radio Televizioni i Kosovës), është shpallur ndër librat më të kërkuar.
Për ta rrumbullakuar këtë hulumtim kam punuar mbi një vit, ku pos tjerash kam trajtuar edhe literaturë të begatë dhe faktografi (në disa raste të dorës së parë), duke mos e anashkaluar shtypin e përditshëm, mediet elektronike, arkivat e disa gazetave dhe revistave ndërkombëtare dhe vendore, libra ekskluzivë, të cilët janë botuar pas vitit 2000, e që merren me trajtimin e veprimtarisë së shërbimeve ruse, sidomos me periudhën e pas rënies së sistemit komunist në BRSS dhe rikonsolidimin e Federatës së Rusisë. Pas shpërbërjes së atij sistemi kanë qenë disa tema që janë prekur pak, e në disa raste aspak.
Në këtë studim janë paraqitur qartë idetë dhe konceptet e “pansllavizmit”, të cilat janë ekspozuar e ekspozohen çdo ditë në hapësirat e shteteve të Ballkanit, por edhe të Europës, të cilat imponohen në forma të ndryshme nëpërmjet shërbimeve sekrete ruse edhe sot e kësaj dite. Ky studim, i bërë në këtë fushë është një segment që i pasqyron strukturat e shërbimeve sekrete ruse në këto hapësira, shtrirjen e tyre, aktivitetet dhe rrjetet operuese, të cilat janë tregues i qartë i pranisë së këtyre shërbimeve në këto shtete, diku më dendur e diku më cekët. Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe pavarësimi i Malit të Zi dhe i republikave të tjera e dobësuan boshtin sllavo-ballkanik, prandaj shërbimet sekrete ruse projektuan strategji të reja për ta ndryshuar këtë gjendje. Kjo ishte njëra ndër arsyet pse Rusia investoi aq shumë me të gjitha mjetet në instalimin e shërbimeve sekrete të saj në këto hapësira dhe nëpërmjet tyre në krijimin e një shtrese të politikanëve me orientim prorus, të cilët arritën ta mbajnë konstant ndikimin e Rusisë për kaq shumë kohë.
Situatat e krijuara të kësaj natyre ishin mjaft të komplikuara për t’i trajtuar, prandaj edhe kërkohej precizitet e saktësi, por edhe analizim i drejtë dhe i paanshëm i të gjitha situatave për të qenë ky hulumtim sa më i kompletuar. Ky hulumtim analitik është një reagim publik, një lloj alarmi për praninë dhe aktivitetin e shërbimeve sekrete ruse në shtetet e Ballkanit dhe të Europës, me të cilat mund të ndeshet aktualisht apo në perspektivë edhe vetë bota shqiptare në rajon, diplomacia jonë, por edhe vet siguria e Shtetit të Kosovës, Shtetit Shqiptar dhe e shteteve të tjera të përmendura më lartë, por nuk përjashtohen edhe përplasjet në rrafshin global.
Obshtestvo.net: Cilat janë, sipas Jush, karakteristikat më tipike për veprimtarinë ruse në Kosovë dhe në Ballkan?
Mehmetaj: Shërbimet sekrete ruse ishin ri ngritur pas rënies së sistemit komunist edhe më fuqishëm se sa në periudhën e sistemit komunist, duke u riinstaluar pa zhurmë dhe pa humbur kohë në vendet e Ballkanit dhe të Europës. Me theks të veçantë në këtë kohë ishin shpërndarë në Serbi, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Kroaci, Slloveni e vende të tjera. Siç dihet, tek ne shërbimet ruse nuk interferonin për herë të parë pas rënies së komunizmit, ato kishin qenë të pranishme edhe në periudha të mëhershme historike, duke luajtur rol dominues në politikëbërje. Shërbimet ruse kishin investuar fuqishëm në kuadro të reja, kishin ngritur parti politike të kamufluara si pro-perëndimore, por që ishin me orientim rus, blenë mediume të fuqishme në shtetet e rajonit, krijuan agjenci të reja mediale për t’i përdorur për propagandë dhe agjitacion, por edhe për krijimin dhe lansimin e lajmeve të rrejshme (“fake news”) dhe në shumë vende fituan terren politik, duke ndikuar edhe në shumë vendime të spektrit ndërkombëtar. Ka pasë mjaft shkrime, analiza e hulumtime, të cilat në mënyrë kronologjike e kanë ndriçuar dhe saktësuar praninë e shërbimeve ruse në shtetet e Ballkanit dhe të Europës, të cilat më kanë shërbyer shumë dhe më kanë orientuar drejt. Por, në këtë hulumtim, e kam trajtuar ndërlidhjen e shërbimeve ruse me spiunazhin ekonomik, me strukturat e mafies politike në këto shtete, me krijimin e rrjeteve të ekstremizmit mysliman, të cilat shërbimet ruse i kanë përdorur për t’i destabilizuar disa vende të Ballkanit e më gjerë; lidhjet e drejtuesve të shërbimeve sekrete ruse me strukturat e spiunazhit diplomatik, sepse shërbimet sekrete ruse kishin përvetësuar diplomatë të ndryshëm të këtyre shteteve; kishin instaluar strukturën e vet nëpër konsullata, ambasada e në trupën diplomatike. Pos kësaj, kam paraqitur aspekte të bashkëpunimit të shërbimeve sekrete ruse me shërbimet serbe, boshnjake, maqedonase e të tjera, që ishte një sfidë e madhe për shtetet e Ballkanit dhe minim i demokracisë në këto hapësira, sidomos në vendet paskomuniste. U panë hapur ndërhyrjet e forta të politikës ruse, në Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë, Kosovë e në vende tjera. Kjo ndodhi për shkak se Rusia gjithmonë kishte dhe vazhdon të ketë koncepte të njëanshme për dominim, të mbështetura në filozofinë e forcës, kërcënimit dhe shantazhit, duke e përdorur gjithmonë veton si superfuqi.
Dua ta përmendi një fakt që nuk është përmendur shpesh, Rusia dhe shërbimet sekrete ruse ishin pjesë mbështetëse dhe bashkë-projektuese të projektit shovinist serbomadh të Millosheviqit për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe ripushtimin e atyre vendeve për ta formuar “Serbinë e Madhe”, por që ky projekt dështoi pas shumë sakrificave e gjakderdhjeve të papara, që shkuan deri në shkallë gjenocidi, pas një mundi të madh e përpjekjeve heroike të popullit shqiptar të Kosovës dhe popujve të tjerë si në Kroaci, Slloveni, Bosnjë etj., të cilët e ngritën në këmbë shoqërinë demokratike perëndimore, e cila kësaj radhe e mbajti anën e arsyes e të së drejtës.
Obshtestvo.net: Në Bullgari ka shumë publikime për ndërhyrjen ruse në politikën, ekonominë, mediet bullgare. A keni takuar të dhëna për veprimtarinë e shërbimeve sekrete ruse në Bullgari?
Mehmetaj: Po, ka shumë materiale të publikuara, libra, analiza, vrojtime, trajtime e hulumtime të ndryshme, që flasin për ndërhyrjen ruse në politikë, në ekonomi, në mediet bullgare etj, por në mënyrë të veçantë më kanë bërë përshtypje informacionet lidhur me aktivitetin e celulave të fshehta të FSB-së, të përqendruara në Bullgari, të cilat kanë punuar gjatë në shtrirjen e rrjetit të fshehtë të bashkëpunëtorëve të këtij shërbimi (FSB), tek zyrtarët e caktuar në kisha e manastire të ndryshme në Serbi, Bullgari, Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri, Greqi etj, duke i shfrytëzuar bashkëpunëtorët e këtij rrjeti, që vinë nga bota fetare, për t’i lidhur vendet ortodokse të botës sllave të vendeve të Ballkanit.
Ndikimi apo ekspansioni i Rusisë në këto hapësira nuk shfaqet vetëm si ndikim ushtarak, por edhe si ndikim ekonomik, kulturor, politik e diplomatik. Rusia në shtetet e Ballkanit që kanë orientim pro-rus, apo në ato shtete ku Rusia e ka shtrirë ndikimin e vet, e ka bërë shpëlarjen e mbi 20 miliardë dollarëve, para të pista të makro-bizneseve ruse. Një pjesë të këtyre parave i kanë investuar në turizëm, në patundshmëri, në industrinë ushqimore, etj., në shtetin e Serbisë, “Republikës Srpska” të Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë, Bullgarisë, Kroacisë etj. Pos kësaj, një gjë tjetër që më është dukur interesant për ta cekur lidhur me pyetjen Tuaj, janë agjentët rusë të SVR-GRU-së, të dislokuar në Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Mal të Zi, Shqipëri etj, të ngarkuar me detyra specifike. Një varg operacionesh që i kishin ndërmarrë gjatë viteve 2013-2017, kanë qenë të koordinuar dhe të mbështetura nga “Qendra Humanitare” në Nish. Është me interes të theksohet se si shërbimet sekrete ruse e kishin përdorur një strukturë të bashkëpunëtorëve të tyre të infiltruar në Bullgari për ta ndihmuar shërbimin rus që ta shtrijë rrjetin e vet në disa pika specifike në Maqedoni. Është dokumentuar se Ambasada Ruse në Maqedoni ka qenë strehë e disa spiunëve të Shërbimit Ushtarak të Inteligjencës ruse (GRU), aktiviteti i të cilëve është koordinuar nga baza e GRU-së në kryeqytetin e Bullgarisë, në Sofje. Po ashtu, sipas të njëjtave burime, Ambasada Ruse në Shkup e ka mbikëqyrur krijimin e më shumë se 30 shoqatave të miqësisë maqedono-ruse, të cilat po ashtu janë kontrolluar nga qendra e GRU-së në Sofje.
Pos këtyre, nga diplomacia dhe shërbimet sekrete ruse, janë përdorur skemat e njëjta si në rastin e Moldavisë, Bullgarisë, Ukrainës etj., për të ndërhyre në fatin e zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë (Republika Srpska) në Shqipëri etj., me qëllim të shtrirjes së ndikimit rus në politikën e këtyre shteteve, për të pasur kontrollin e plotë në këto vende.
Për shkak të këtij kompleksiviteti, edhe pse janë bërë përpjekje të mëdha dhe përgatitje të pafund që vendet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia të futen në BE, ky projekt ka hasur në pengesa të mëdha nga një sërë mosmarrëveshjesh politike, të shfaqura ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së. Këto mosmarrëveshje dhe përplasje politike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së i ka nxitur dhe shfrytëzuar shërbimi sekret rus, diplomacia ruse dhe aleatët e tyre për ta penguar këtë projekt, me qëllim që t’i rikrijojnë hapësirë vetes për ta shtrirë ndikimin e vet. Kjo luftë po vazhdon edhe sot.
Obshtestvo.net: Qeveria e Kosovës mori vendim për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kur mund të votohen projektligjet në këtë fushë nga Kuvendi i Kosovës dhe si do të reagojë “Lista serbe”?
Mehmetaj: Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri ka qenë ndër sfidat më të vështira të shtetit të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Edhe përkundër vështirësive dhe pengesave që i ka shkaktuar “Lista serbe”, ky proces nuk ka qenë i pamundur. Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, nuk është përmbyllur gjatë mandatit të mëhershëm të Qeverisë së Kosovës (2010-2014), për shkak të mospajtimit të “Listës serbe”, si një instrument në duart e Beogradit zyrtar dhe disa problemeve të brendshme që ishin krijuar artificialisht rreth këtij procesi. Për formimin e Forcës së Armatosur të Kosovës nevojiteshin ndryshime kushtetuese e kjo nuk mund të bëhej pa dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, së bashku me dy të tretat e votave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e pakicave në Kuvend. Sidoqoftë procesi i bërjes së ushtrisë ka hyrë në udhë të mbarë dhe do të përmbyllet gjatë këtij viti. Kuvendi i Kosovës do t’i miratojë projektligjet për ushtrinë në leximin e dytë më së largu kah mesi i muajit dhjetor 2018.
Rreth përgatitjes së këtij procesi janë respektuar të gjitha procedurat ligjore. Pos kësaj, Komisionet parlamentare janë në përfundim të punës së tyre. Edhe vendimmarrja lidhur me votimin në shqyrtim të parë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës ka qenë transparente. Votimi i Projektligjit për ushtrinë e Kosovës e ka unifikuar spektrin politik shqiptar dhe atë të pakicave të tjera në Kosovë, dhe e ka forcuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vendosmërinë tonë për të marrë vendime në interes të qytetarëve dhe të shtetit tonë. Lista Serbe është tërhequr në shenje kundërshtimi të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke i bojkotuar institucionet e Kosovës, por edhe duke i kërcënuar bashkëqytetarët e vet serbë, duke i shantazhuar e kërcënuar që t’i braktisin radhët e FSK-së. Pos kësaj, qarqet ekstreme të cilat e drejtojnë komunitetin serb në veriun e Kosovës, të kryesuara nga Milan Radojiçiq, nënkryetar i “Listës serbe”, njeri shumë i afërt i presidentit të Serbisë, Vuçiq, i akuzuar si shefi i nëntokës serbe në komunat veriore, i kanë detyruar katër kryetarët e komunave serbe në veri të vendit, që të japin dorëheqje nga funksionet e tyre; po ashtu ka mjaft fakte të argumentuara, për detyrimet me kërcënim që pjesëtarët e minoritetit serb të tërhiqen nga FSK-ja. Fatkeqësisht, serbët e Kosovës për shkak se janë të instrumentalizuar nga politika e Beogradit, vazhdimisht sipas porosive të Beogradit i kanë kundërshtuar vendimet që e qojnë Kosovën drejt progresit dhe stabilitetit si shtet, por më vonë janë pajtuar. Sa i përket shumicës shqiptare nuk e kanë pasur as nuk e kanë asnjë problem, të gjitha problemet po ua shkakton Beogradi zyrtar.
Po i përmendi këtu protestat dhe tensionet e ngritura me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Ne atë kohë kundërshtimet ishin tepër të mëdha, serbët organizuan protesta, barrikadime, i dogjën e shkatërruan pikat doganore, plagosën dhjetëra pjesëtarë të NATO-s, por edhe ndërmorën veprime të tjera që morën edhe jetëra njerëzish, por me kalimin e kohës edhe ky problem u normalizua. Minoriteti serb në Kosovë ka të drejta të mëdha, madje asnjë minoritet në botë nuk i ka të drejtat ashtu si i kanë serbët në Kosovë. “Lista serbe” por edhe serbët tjerë në Kosovë janë të përçarë dhe kanë probleme të shumta, por në këtë kohë dirigjohen dhunshëm nga klani i Milan Radojiçiq me bashkëpunëtorë, i akuzuar për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviqit.
Këtë e vërteton edhe një fakt tjetër, politikanët serbë të Kosovës, duke u nisur nga Oliver Ivanoviq (vetëm disa ditë para vrasjes), Rada Trajkoviq, pastaj Momçilo Trajkoviq e të tjerë, vazhdimisht kanë ngritur zërin se mund të jenë viktima të Milan Radojiçiqit. Kjo frikë tashmë është e pranishme edhe te vetë pjesëtarët e “Listës serbe”, veçmas atyre në komunat veriore, të cilët Milan Radojiçiqi i përkrahur nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po i detyron për veprime të ndryshme kundër Republikës së Kosovës Me gjithë këto vështirësi të stimuluara nga Beogradi, Kosova po ecën sigurt drejt bërjes dhe forcimit të shtetit të Kosovës.
Obshtestvo.net: Në muajt e fundit flitet shumë rreth mundësisë për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra për ndarje, këmbime ose korrigjime. Do të humbin apo do të përfitojnë shqiptarët nga realizimi eventual i kësaj ideje?
Mehmetaj: Opsionet për mundësitë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për ndarje, këmbime ose korrigjime, shumë më të hershme, dhe janë ide serbomëdha. Ato janë riaktivizuar kohë më parë nga Presidenti Thaçi, të cilin e ka paraqitur si ide të tij.
Rreth kësaj problematike opinioni shqiptar është i ndarë në dy grupe. Grupin e parë e kryeson Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ithtarët e tij, të cilët janë për ndarje, shkëmbim territoresh, korrigjim kufiri etj., dhe grupi i dytë që është kundër korrigjimit të kufirit, ndarjeve apo shkëmbimit territorial.
Grupi i parë nuk ka shumë përkrahës, por është i mbështetur edhe nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe ithtarët e politikës së tij, të cilët kanë ndikim në shumë qendra të vendosjes.
Ndërkaq, grupin e dytë e përbën shumica, në të janë përfshirë njerëz me ndikim që vijnë nga të gjitha partitë politike në Kosovë, por edhe nga diaspora. Unë mendoj që nuk duhet as nuk është dashur të diskutohet rreth opsionit të parë, pa e pranuar Serbia pavarësinë e Kosovës. Serbia duhet kushtëzuar që ta pranojë Pavarësinë e Kosovës, e cila e fitoi lirinë nga pushtuesit serbë 20 vjet më parë e që tashmë dhjetë vjet është fakt i kryer, si shtet i njohur ndërkombëtarisht nga institucionet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Për më shumë se 100 vite Serbia ka ushtruar gjenocid mbi popullin e Kosovës, por edhe e ka shfrytëzuar në mënyrën më të tmerrshme, si në kohën e skllavopronarisë. Serbia, me theks të veçantë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, i ka bërë dëme të papara Kosovës, madje edhe para syve të botës së qytetëruar. Nga ndarjet e përmendura, korrigjimet apo shkëmbimet territoriale shqiptarët nuk fitojnë asgjë sepse bëhet fjalë për territore që Serbia i kishte marrë më herët, vetëm se rrezikojnë të humbasin çdo gjë që e kanë fituar me luftë e shumë sakrifica. Nuk kemi të bëjmë me territore të Serbisë por me territore shqiptare. Që nga viti 2004 e këndej, Kosova është në procesin e bisedimeve me Serbinë. Që nga ajo kohë e deri më sot në 90% të rasteve Serbia nuk i ka realizuar asnjërën nga marrëveshjet që kanë dalë nga ky proces.
Pos kësaj, që nga viti 2000 e këndej Serbia i ka organizuar dhe financuar strukturat paralele dhe pushtetin paralel në Kosovë, por fatkeqësisht para të gjitha dukurive antishqiptare të Serbisë, bashkësia ndërkombëtare ka heshtur.
Obshtestvo.net: Situata e përgjithshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po përkeqësohet. Serbia vazhdon me veprimet subversive kundër Kosovës, kurse qeveria kosovare vendosi një taksë 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja. A ka gjasa për normalizim dhe për rifillim të dialogut deri fundin e vitit?
Mehmetaj: Që kur është pavarësuar shteti i Kosovës 2008 e këndej, ka pasur situata edhe më të rënda mes Kosovës dhe Serbisë, por janë tejkaluar. E vetmja armë që e ka Serbia në Kosovë është ndikimi politik që e ka tek serbët e Kosovës një pjesë prej të cilëve janë vartës të verbër të politikës së Beogradit. Mbase vendosja e taksës 100% për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja do të reflekton që bisedimet të marrin rrjedhë më serioze, por edhe që këtyre bisedimeve kaq maratonike pa ndonjë efekt dhe vetëm në dëm të shqiptarëve t’u vije fundi. Serbia duhet pa njohë pavarësinë e Kosovës, që tashmë është fakt i kryer. Vendosja e taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnja, pastaj përgatitja e Forcës së Sigurisë së Kosovës për tu transformuar në Forcë të Armatosur të Kosovës, dhe ngjarje tjera që kanë ndodhur në mandatin e Qeverisë Haradinaj janë tregues të qartë se Kosova po shkëputet nga tutela e Serbisë, e cila e ka shfrytëzuar ndikimin e Rusisë dhe miqve tjerë tradicionalë për ta mbajtur ndikimin e saj në Kosovë, duke influencuar përmes OKB-së dhe BE-së.
Gjendja e krijuar kohëve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë do të tejkalohet pa ndonjë problem të madh, serbët edhe mund të barrikadohen në disa pjesë të vendit, mund të bëjnë edhe veprime tjera të një shkalle më agresive, por brenda suazave do të jenë të menaxhueshme.
Shqiptarët janë populli më paqedashës në botë. Serbia gjatë gjithë shekujve është sjellë me brutalitet ndaj tyre, por shqiptarët kurrë nuk i kanë përsëritur veprimet e tyre në shenjë hakmarrjeje. Kosova është shembulli unikat në botë që konsiderohet shtet multietnik kur të gjitha minoritetet së bashku përbëjnë gjithsejtë vetëm 8 % të popullsisë. Pos kësaj, shqiptarët e Kosovës edhe përkundër vrasjeve masive, gjenocidit e shkatërrimeve masive, të luftërave gjatë historisë dhe luftës së fundit që e ka bërë Serbia kundër shqiptarëve, që kur ka përfunduar lufta frontale e gjerë më sot nuk ekziston asnjë ekses i armatosur ndëretnik, përjashto incidentet tashmë të njohura që i ka kryer vet Serbia dhe ka tentuar t’ua mveshë shqiptarëve. Edhe në këtë rast serbët e Kosovës janë duke u marrë me vetveten dhe po e rrënojnë ardhmërinë duke bërë përpjekje që Kosovën ta mbajnë nën kontrollin e Serbisë. E them po e rrezikojnë të ardhmen, sepse shqiptarët detyrohen që të gjejnë rrugë të tjera për forcimin dhe funksionimin e shtetit, mbase edhe duke u integruar në shtetin shqiptar, apo përmes kantonizimit, formimin e një Federate Shqiptare.
Obshtestvo.net: Si është situata me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë? A do të krijohet kjo strukturë dhe çfarë autorizimesh do të ketë?
Mehmetaj: Asociacioni i komunave serbe në Kosovë, është një gjë e kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe si e tillë mase do të ishte në interes të Kosovës, për shkak se formimi i këtij asociacioni do të mundësonte përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe perëndimin. Është një lloj kushti i normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve, në fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, asociacioni i komunave serbe në Kosovë me të drejta ekzekutive, është në kundërshtim të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës dhe paraqet një rrezik për ndarje dhe paralizim të shtetit të Kosovës, prandaj nuk është mirë që marrëveshjet e tilla të arrihen në “prapaskenë” sepse problemet që dalin nga formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë janë të pariparueshme dhe të dëmshme për të dy palët, për Kosovën dhe Serbinë. Asociacioni në fakt paraqet një sfidë për stabilitetin politik në Kosovë, për sundimin e ligjit, duke përfshirë këtu edhe kredibilitetin e Bashkimit Evropian. Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë paraqet edhe një sfidë tjetër, ngase mund të keqpërdoret nga Beogradi, për presione politike, shantazhe e sabotime brenda shtetit të Kosovës. Qeveria e Serbisë përmes manipulimit të disa serbëve me ndikim në veriun e Kosovës, të cilët po i përdorë për t’i kundërshtuar institucionet e Kosovës e ka izoluar atë pjesë duke e kthyer në një prapambeturi mesjetare, të blinduar nga forca të shumta të sigurisë.
Për më tepër, edhe pse nuk ka asnjë referencë të drejtpërdrejtë në Marrëveshje, Asociacioni mund të jetë një mekanizëm i koordinimit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet komunave me shumicë serbe, Republikës serbe të Bosnjës dhe Republikës së Serbisë. Asociacioni do t’i përfshinte këto komuna: Mitrovicën Veriore, Zubin Potokun, Leposaviqin, Zveçanin, Shtërpcën, Kllokotin-Vërbocin, Graçanicën, Novobërdën, Ranillugun dhe Parteshin dhe ashtu si e pretendon Beogradi do të ishte sikur të lejojmë një shtet-gangrenë brenda shtetit të Kosovës. Siç është thënë sipërfaqja e komunave është gjithsejtë 1,708 km2, ndërsa popullsia prej 123,979 banorësh (edhe pse shumë prej tyre nuk janë rezidentë në Kosovë). Një asociacion i tillë do të ishte një Republikë serbe brenda shtetit të Kosovës.
Siç e thashë edhe më lartë, propozimi i asociacionit erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Asociacioni pritej të krijohej zyrtarisht brenda kuadrit ligjor të Kosovës në vitin 2015, por shtyhet pafundësisht për konfliktet rreth shkallës së kompetencave. Asociacioni i Komunave dhe Vendbanimeve Serbe të Kosovës, me seli në Mitrovicë, u themelua njëanshëm nga pala serbe si një asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo formë e Asociacionit u konsiderua e paligjshme nga Qeveria e Kosovës, pasi ushtronte autoritet legjislativ dhe ekzekutiv përmes Kuvendit mbi territorin e Kosovës (kryesisht në pjesën veriore të Kosovës).
Në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit, asociacioni i ri i komunave serbe është planifikuar të themelohet. Ndryshe nga asociacioni i mëparshëm, pasi nuk ka autoritet legjislativ, duke pasur vetëm një “pushtet të plotë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural” në përputhje me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjet e Kosovës. Deri më tani ndonëse Qeveria e Kosovës ka ngritur Grupin Punues për hartimin e statusit të Asociacionit, ky grup nuk ia ka dorëzuar ndonjë raport lidhur me këtë çështje.
Ju faleminderit!
Linku ku mund të gjeni intervistën e botuar në gjuhën bullgare: http://obshtestvo.net/?p=14056