Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, në Kosovë, Ruari O’ Connell ka thënë se zgjedhja e kryetarit të Kosovës është përgjegjësi e Kuvendit që përfaqëson dhe i jep llogari popullit të vet. O’Connell ka thënë se Britania do të vazhdojë të punojë me liderët e zgjedhur të Kosovës. “Parlamenti ka zgjedhur Hashim Thaçin si President. Si mike e vërtetë e Kosovës, Britania do të punojë me liderët e zgjedhur nga ju për të vazhduar interesat tona të përbashkëta, prosperuese, funksionale, për Kosovë të sigurt, drejt BE-së”. Në fund të postimit, ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të nisin dialogun për t’i dhënë fund dhunës. “Tani është e rëndësishme që të gjitha palët të punojnë në sfidat e Kosovës. Kjo ka nevojë për fundin e dhunës së vazhdueshme, respekt për kundërshtarët politikë nga secila anë dhe rikthim në dialog”, ka shkruar ai.
