Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, duke folur rreth idesë së kryekuvendarit, Kadri Veseli për themelimin e një Tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë, nëse i njëjti do të mund të formohej dhe nëse do ta ketë mbështetjen britanike, ka deklaruar se ky Tribunal ndërkombëtar nuk mund të krijohet, porse janë gjykatat e Kosovës që duhet t’i gjykojnë ato krime. “NATO ka intervenuar për shkak të asaj që forcat jugosllave dhe serbe po bënin si rezultat i politikës shtetërore në Kosovë. Ne duhet ta pranojmë këtë të vërtetë, dhe është komplet e papranueshme, bile e ligë, të tentojë dikush të mohojë atë që ka ndodhur. Faktikisht 10,812 shqiptarë janë vrarë dhe 2197 serbë. Për mua secila viktimë meriton drejtësi. Kjo nuk do të thotë që ne nuk e kuptojmë çka është bërë në të kaluarën për shkak të politikës shtetërore në rajon. Por nëse i numërojmë viktimat serbe pas luftës, nga të gjithë të vrarët, 1196 ishin civilë. Po, ka pas edhe forca të sigurisë që janë vrarë se ka qenë luftë, dhe kjo ndodh fatkeqësisht në luftë, por janë mbi 1000 viktima civile serbe.
… Në mesin e tyre edhe gjyshja dhe gjyshi i shoqes sime, të cilët u vranë në gusht 1999, vetëm pse dikush donte banesën e tyre. Edhe ata meritojnë drejtësi, apo jo? Secila viktimë meriton drejtësi. Të gjitha shtetet e rajonit duhet të pranojnë atë që ndodhi këtu, sepse kjo është e vetmja bazë për pajtim. Secila viktimë, 8676 civilë shqiptarë, 1196 civilë serbë, 265 romë, 86 boshnjakë dhe 94 nga komunitete tjera, të gjithë këta meritojnë drejtësi. Unë pajtohem me këtë, por nuk pajtohem me idenë që aty ka pasur vetëm viktima shqiptare. Kur po flet për një tribunal ndërkombëtar për krime dhe gjenocid serb, jam pak i brengosur për terminologjinë. Kosova ka sistem gjyqësor, i cili mund të gjykojë krimet që janë kryer në territorin e Kosovës, pse nuk po e përdorni atë? Kosova nuk mund të krijojë një tribunal ndërkombëtar. Kosova ka gjykatat e saja të cilat duhet të kenë interes t’i gjykojnë krimet e kryera gjatë luftës. Dhe ato janë plotësisht të fuqishme ta bëjnë atë”, u shpreh Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell.