Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shfaqur zhgënjim për mungesën e një reagimi pozitiv nga ana e institucioneve qeveritare ndaj kërkesës për pezullimin e tarifave doganore ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka ka tërhequr vërejtjen se zvarritja e kësaj çështjeje, jo vetëm që dëmton perspektivën e investimeve amerikane, por edhe minon marrëdhëniet strategjike me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës. “Nuk ka pasur ndonjë reagim pozitiv nga ana e qeverisë së Kosovës. I vetmi reagim ka qenë ai i anëtarëve të dikastereve qeveritare që i kanë bërë kërkesës së parashtruar nga ana e presidentes së Kosovës për të njëjtën çështje. Gati çdo ditë po përsëritet nga ana e përfaqësuesve të ndryshëm të administratës amerikane, nisur nga presidenti Trump, që po presim që shtetet të vijnë dhe të fillojnë negociimin e marrëveshjeve për tregti të lirë ose angazhimeve të tjera, ashtu që edhe ne të mund të reagojmë. Është e pakuptimtë që nga ana e institucioneve tona shtetërore realisht nuk po jepet asnjë sinjal për sa i përket kërkesave që janë parashtruar nga ana e disa hisedarëve, përfshirë edhe Odën Amerikane, asociacionet e tjera të biznesit, por edhe hisedarëve shtetërorë e politik në anën tjetër” ka theksuar kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
