OJQ-të, BIRN-i, Koha Ditore, Ekspressi e Zëri janë në siklet të madh për mos ndëshkimin e korrupsionit

Lirimi nga ndjekja penale e  ish- guvernatorit të BQK-së,  Hashim Rexhepi dhe e shumë të tjerëve para tij,  të akuzuar për korrupsion e  ka vënë në siklet të ashtuquajturën shoqëri civile të tharkut të OJQ-ve si dhe një segment të medieve, që duke plasuar për çdo ditë në informim skandale të korrupsionit, kanë krijuar një situatë të shpërfytyruar , sa tashmë njerëzit kanë filluar të mos besojnë fare se ka korrupsion. Krejt kjo përngjet me atë anekdotën e çobanit, i cili thirri me zë të lartë çobanët, në ndihmë, duke i gënjyer se  ujqit i kishin prerë delet, por më vonë çobanët e gënjyer nuk i ndihmuan çobanit gënjeshtar, as  atëherë kur ujqit vërtetë i kishin sulmuar vathin dhe ia kishin prerë bagëtinë.


 


Pjesa dërrmuese e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion,  janë liruar të pafajshëm dhe kjo dukuri vë në dilemë qytetarët, për të përfunduar se ka apo nuk ka korrupsion, dhe a duhet të hetohet çdo rast i dyshuar i korrupsionit, i cili bazohet në raportet e OJQ-ve dhe disa medieve e portaleve, që mbahen gjallë vetëm me tema sensacionale, me shpërndarjen e gënjeshtrave e sensacioneve, me kurdisje të aferave spektakolare “korruptive”, medie këto,  të cilat me siguri se edhe paguhen nga nëntoka e Kosovës  për ta helmuar sa më shumë klimën politike dhe imazhin e përgjithshëm të vendit tonë.


 


Dihet tashmë botërisht se ndërsimi për korrupsion, që ka ndodhur  në MTPT, kur ishte ministër, Fatmir Limaj,  ishte bërë nga gazetarët e BIRN-i dhe të Kohës Ditore, të cilët në raportet e tyre gazetareske, plot me bujë e spektakle,  duke u mbështetur vazhdimisht sikur thuhet, në burime konfidenciale brenda Ministrisë, apo akëcilit institucion,  kishin caktuar madje edhe shumën e parave, që konsideroheshin të vjedhura e të shpërdoruara në këtë ministri. Mjegullnaja që u krijua asokohe i kushtoi shumë shtrenjtë, jo vetëm ministrit Fatmir Limaj, por edhe Qeverisë së Kosovës e pse jo edhe “kredibilitetit” të EULEX-it, i cili kafshoi karremin e disa  gazetarëve dhe drejtuesve të OJQ-ve. Tash gati dy vjet pas aferës dhe ndërhyrjes gangstere e spektakolare të EULEX-it në MTPT, ndërsyesit e simahorët e rrejshëm nuk ndihen fare të zhgënjyer, meqë qëllimin për diskreditimin e njërit ndër personalitetet më të merituara të çlirimit të Kosovës dhe ndërtimit të rrugëve të Atdheut, e kanë arritur, pa çka se Limaj është i pafajshëm.


 


Ja si e paraqet gjendjen konfuze të mbretërimit të korrupsionit, gazeta “Ekspress” e datës 17 12. 2011.


“Janë bërë shumë arrestime spektakolare dhe janë dhënë fjalë të mëdha në medie për luftimin e korrupsionit në Kosovë, por asnjë deri më tash s`ka përfunduar në burg për korrupsion. Prokuroria deri tash ka ngritur me dhjetëra aktakuza për keqpërdorim, korrupsion e shkelje të tjera të zyrtarëve të lartë në institucionet qeveritare të Kosovës. Madje, për këtë punë ka arrestuar e legjitimuar krerët e ish-Ministrisë së Transportit, të Doganave, të Bankës Qendrore, Komunës së Prishtinës e shumë institucioneve tjera. Por, rezultatet e gjykatës i kanë zhgënjyer ata që monitorojnë punën e gjykatave dhe institucioneve vendëse e ndërkombëtare”.


 


Ndërkohë përfaqësues të shoqërisë civile thonë se EULEX-i, sikur edhe Qeveria e Kosovës, ka përdorur drejtësinë për përmirësimin e imazhit të tyre në sytë e opinionit. Në këtë mënyrë këta kujdestarë të aferave të korrupsionit,  fajësojnë edhe drejtësinë, e cila sipas tyre do të duhej t’ i shpallte të gjithë fajtorë, vetëm sepse kështu  mendojnë përfaqësuesit e OJQ-ve, gazetarët e BIRN-it, të Kohës  Ditore, të Zërit, pavarësisht fakteve, apo dëshmive relevante, mbi të cilat mbështetet ligji dhe drejtësia, për të dëshmuar veprat e paragjykuara, penale.


 


Madje, drejtori i organizatës kundër korrupsionit, Avni Zogiani, konstaton se sipas mendjes së tij “bashkësia ndërkombëtare nuk është e interesuar për mbisundim të ligjit në Kosovë, sepse, mbisundimi i ligjit do të thotë heqje dorë nga mjeti kryesor për kontrollin e politikës kosovare, që është korrupsioni. Për rastin e Hashim Rexhepit, ish guvernatorit të BQK-së, që u shpall i pafajshëm nga drejtësia, sipas Zogianit, drejtësia ka punuar nën presione të jashtëzakonshme.” Kështu komentohet sot  i ashtuquajturi “dështim” i drejtësisë për të hulumtuar, ndëshkuar dhe çrrënjosur korrupsionin, që është alfa e mbijetesë së shoqërisë kapitaliste, e cila nuk bën dot përjashtim  as në rastin tonë.


 


Këta shpërndarës të mjegullave kurrë nuk do ta pranojnë faktin se vetë i kanë kurdisur aferat korruptive, duke u bazuar në thashetheme të zyrtarëve të ndryshëm, të gazetarëve pa kredibilitet  dhe në burime konfidenciale, profkë kjo, e cila përdorët vazhdimisht për t’i qitur hi syve opinionit.


 


Realisht, në Kosovë dhe në të gjitha vendet e botës ka korrupsion, sepse korrupsioni është mënyrë, jo edhe aq delikate  e  përfitimit të paligjshëm, i cili vështirë zbulohet, për shkakun se, si ai që jep para, për të kryer një punë, ashtu edhe  ai që merr,  kryejnë vepra të dënueshme penale. Është absurde të mendosh se do ta denoncojë miku, mikun, apo shoku shokun, kur  të dy përfitojnë.  Është i treti, ai që nuk ka përfituar, dhe flet e përgojon, qoftë edhe pa fakte. Ai në këtë rast është në pozitën e dhelprës, e cila meqë nuk arrin ta kap rrushin, thotë së është i thartë.


Për të zënë një vend pune në një kompani,  ku paga mesatare është për shembull 700 euro, dikush thotë,  pse të  mos i jepen  7000 euro një zyrtari, kur ai  që jep atë shumë të parave, për një vit kthen borxhin dhe  pastaj, në vitet tjera, merr fitimin. Korrupsionin, nuk e luftojnë dot as shtetet më të mëdha, më të zhvilluarat në botë. Korrupsionin e lufton vetëdija e lartë qytetare, e cila në mesin tonë është ende jo sa duhet e formuar dhe tejet e brishtë, andaj edhe lufta kundër korrupsionit iu shërben medieve për të mbushur faqet, për ta mbajtur në linjë lexuesin, shikuesin apo dëgjuesin, i shërben opozitës për të dërdëllitur dhe për të krijuar një klimë sa më të padurueshme, duke helmatisur opinionin  në mënyrë, që të fitojë zgjedhjet, dhe kur ajo fiton,  atëherë vetëm ndërrohen rolet. Zyrtari i deridjeshëm shpallet i korruptuar dhe ky që u postua del i pastër si loti, derisa t ‘ia fillojë punës.

Kontrolloni gjithashtu

Memli Krasniqi

Memli Krasniqi: Nuk do të ketë koalicion me Vetëvendosjen, pasi qëllimi ynë është të largojmë Albin Kurtin prej pushtetit

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se nuk ka mundësi për një koalicion të …