Dëshmori i kombit, Osman Fetah Rexhepi, është i lindur më 18 tetor të vitit 1984, në fshatin Qëndresë të Anadrinit, pjesa e Prizrenit. Familja Rexhepi ishte vatër skamnore, por shumë bujare dhe gjithmonë e gatshme për ta dhënë kontributin e vet në të gjitha manifestimet kundër dhunës serbe që ushtrohej mbi popullatën shqiptare. Pothuajse përherë në krye të protestuesve gjendej i ati, Fetahu, me të vëllanë, Lulëzimin. Fetahu, i martuar me Sanije Bugarin e fshatit Vnesht (ish-Samadraxhë) të Therandës, në një shtëpi buzë përroit të fshatit, kishte katër vajza dhe vetëm një djalë, Osmanin, sot dëshmor i kombit.
Të gjithë donin që Osmani të shkollohet. Shkollën fillore e mbaroi në Qëndresë, kurse të mesmen e nisi në Piranë, por nuk e mbaroi kurrë, sepse Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e burrëroi Osmanin para kohe.
I riu Osman Rexhepi, së bashku me t’anë, Fetahun, me mixhën, Lulëzimin e me djalin e mixhës, Nuhiun, kyçet në kompaninë e fshatit Qëndresë, qysh më 10 maj të vitit 1998. Në fillim Osmani vepronte me vëzhguesit e fshatit dhe përcillte rrugën fushore Qëndresë-Nagac që kalonte nëpër lugjet dhe kodrat e Mileskës, me Piranë e Reti dhe që kalonte nëpër Gërçilla e dalje në Qëndresë e Krushë të Vogël, për t’u lidhur me aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë. Pasi që Osmani ishte shumë i ri, nuk i binte në sy as “Treshit të Zi” i cili kontrollonte rrugët Krushë e Vogël – Qëndresë, por edhe Piranë-Mamushë, nëpër Zojz e Medvec.
Në këto detyra ishte konsekuent dhe i matur, prandaj rezultatet e vëzhgimit çdoherë ishin të sakta. Hetonte dhe informonte për çdo lëvizje në rrugët e përmendura. Në qershor 1998, Moni aktivizohet në logjistikë dhe shpesh kalonte aksin e magjistrales, madje edhe Drinin e Bardhë. Kalonte va e pa va vetëm e vetëm për ta bartur “Zjarrrin e Lirisë”. Mbi supet e njoma, ende fëmijërore bartte barr[ të rënda për trupin dhe moshën që e kishte, por asnjëherë nuk lëkundej, nuk i mungonte as vullneti, as vendosmëria e as guximi.
Në formacionin e komandant Afrim Haradinit, nuk u mbetej prapa luftëtarëve të tjerë. Dëshironte të jetë sa më afër t’ët, prandaj angazhohet edhe në detyra operative te Afrim Mustafa, Luan Ferati dhe Fatmir Dushaku dhe me gatishmërinë që tregonte u bë ushtar shembullor përkrah kushëririt, pothuajse moshatar, Nuhi Rexhepit, prej të cilit nuk u nda deri në ditën e përjetësisë, më 26 mars të vitit 1999 te “Gërçillat”.
Sot, trupi i pajetë i Osmanit pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” në Landavicë, pranë të atit, Fetahut, pranë mixhës Lulzim, pranë djalit të axhës Behxhet, Nuhiut, e pranë 18 dëshmorëve të tjerë të këtij fshati që u përjetësuan prej “Llazeve” e “Mileskës” deri në pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë e Bujanovc, prej Abdyl Pajazitit e deri te Eqrem Hoxha. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …