Subjektet opozitare mbajtën konferencë në lidhje me praktikat gjyqësore diskriminuese dhe joproporcionale rreth përndjekjes së deputetëve. Gjatë konferencës ata kanë konstatuar shumë shkelje ligjore.
Më 6 maj 2015 Gjykata Themelore për Krime të Rënda në Prishtinë në Aktgjykimin P nr 544/10 ndaj të akuzuarit B.J nga Graçanica i cili kishte hedhur gaz lotsjellës në një qendër tregtare, kishte dënuar këtë të fundit vetëm me 400 euro gjobë. Të njëjtin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit me datë 9 nëntor 2015 Aktgjykimi PAKR nr 396/15. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit vendosën pra gjatë nëntorit 2015 në bazë të ekspertizës së toksikologjisë se “Gazi lotsjellës nuk paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut”. Vendimi për rastin e qytetarit nga Graçanica përballë asaj çka po ndodh me deputetët vërteton se arrestimi, ngritja e aktakuzave, deklaratat e shfrenuara të Kryeministrit dhe zëvendësit e tij si “kriminelë”, “burg”, “armë”, “rrezik jete”, etj për deputetët e opozitës janë plotësisht përndjekje politike.
Sami Kurteshi nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka quajtur kaos këtë praktikë. “Në maj të këtij viti Gjykata e Apelit për një qytetar që kishte përdorur gazin lotsjellës kishte vendosur që të gjobitej me 400 euro. Ndërsa ndaj deputetëve opozitarë kemi masa të ashpra. Ai më tej foli për praktikat e ndryshme që po shqiptojnë gjykatat për deputetët që kanë bërë veprën e njëjtë.
Deputetëve u janë shqiptuar masa të ndryshme ligjore. Kundër Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadajt dhe Faton Topalli është ngritur edhe aktakuzë. Tre të parët, pas burgosjes, me vendim të Gjyktarës Supreme janë në arrest shtëpiak. Ndërsa Faton Topalli për të njëjtën vepër mbahet në burg. Ismajl Kurteshi, Haxhi Shala, dhe Pal Lekaj u janë shqiptuar masa të ndryshme për të njëjtën vepër. Për Fisnik Ismailin madje nuk kemi asnjë njoftim se çfarë po ndodh. Aida Dërgutin, Besa Baftiun, Glauk Konjufcën po ashtu për të njëjtën rast kanë një masë krejt tjetër.
Këtu janë shkelur haptazi dy parime në gjyqësi: ai i proporcionalitetit dhe i mosdiskriminimit.
Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muhamet Kelmendi tha se vendimi për suspendimin e opozitës është në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit të Kosovës. “Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka bërë shkeljen më flagrante në historinë e parlamentarizmit”, ka thënë ai.
Kurse Bajram Ajeti nga NISMA foli për imunitetin e deputetëve. “Deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprat brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kurse ndodh që ata përjashtohen e arrestohen në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e punës”.