Aktivistët e opozitës së bashkuar sot vendosën rreth ndërtesës së Qeverisë shiritin me mbishkrimin: “Vendi i krimit: Këtu rrinë shkelësit e Kushtetutës”, njofton kumtesa nga partitë opozitare, Ata theksojnë se mrrëveshjet e 25 gushtit dhe ajo e 26 gushtit, janë marrëveshje kriminale që e dëmtojnë rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Për këtë arsye, opozita e bashkuar tash e 4 muaj është vënë me të gjitha kapacitetet në mbrojtje të Republikës. Me aksione të shumta, tubime, manifestime, protesta brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, kemi arritur që t’i ndalim edhe “Zajednicën”, edhe Demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria PDK-LDK-Srpska, e themeluar në Rashkë, komplet mandatin e vetë ia kushtoi legalizimit të ndërhyrjeve ilegale të Serbisë brenda Kosovës. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, e gënjyen popullin e Kosovës me premtime për qindra mijëra vende të reja pune, përderisa projekti i tyre kryesor në tërë mandatin ishte negocimi i pakusht me Serbinë dhe krijimi i “Zajednicës”.
Kjo Qeveri, e ndërtuar mbi dosje kriminale, krejt çka i ka sjellë Republikës sonë janë koncesionet e dëmshme që na e zhbëjnë këtë Republikë. Mustafa e Thaçi e gënjyen popullin e Kosovës se kinse do të anëtarësohemi në UNESCO, e kinse do të ketë raport pozitiv për liberalizim të vizave. Ata gënjyen kur thanë që Kosova nuk humb asnjë milimetër me demarkacion me Malin e Zi. Për më tepër, ata e gënjyen gjatë popullin e Kosovës duke thënë që “Zajednica” është në përputhje të plotë me Kushtetutën, dhe që nëse nuk del ashtu, do të japin llogari.