Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi me bashkëpunëtorë në kuadër të nderimeve dhe tubimeve përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të masakrave të vitit 1999, të shkaktuara nga forcat kriminale serbe në fshatrat, Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestoc, Retijë, Opterushë dhe Pastasel, ka marrë pjesë në nderimet në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Opterushë ku u përkujtuan pesë dëshmorët e kombit dhe 27 martirë.
“Opterusha mban në kujtesën e saj një nga plagët më të rënda të historisë sonë, një dhimbje që nuk shuhet dhe një heroizëm që nuk harrohet. Së bashku me bashkëpunëtorë, këshillin e fshatit dhe përfaqësues të OVL-së në Rahovec, u mblodhëm për të nderuar 5 dëshmorët dhe 27 qytetarët e paarmatosur që u vranë e u masakruan nga pushtuesi serb. Katër prej tyre ende mbeten të pagjetur, një padrejtësi që rëndon mbi ne të gjithë.
Me përulje të thellë kujtojmë sakrificën e tyre për lirinë tone, ka shkruar në llogarinë e tij në facebook, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi.