Opusi krijues i Bedri Tahirit përbëhet nga tema të ndryshme, por të gjitha të një organike, të një substance, të një brumi

Opusi krijues i Bedri Tahirit përbëhet nga tema të ndryshme, por të gjitha të një organike, të një substance, të një brumi

Në mesin e krijuesve që kanë bërë emër me vepra të shkruara e të botuara,  sidomos pas luftës së UÇK-së dhe çlirimit të vendit nga robëria serbe,  është edhe profesori, veprimtari, shkrimtari e publicisti, Bedri Tahiri.

Në dy botimet e para luftës: Azem Bejtë Galica,  botuar në vitin 1995 dhe Përmendorja që mungon, në vitin 1997, ai sikur kishte   paralajmëruar, publikun lexues në vend  se do të merrej me krijimtari publicistike e artistike, duke treguar në radhë të parë përkushtim, talent dhe njohuri për gjurmim   në të kaluarën qëndrestare dhe heroike të Drenicës, meqë edhe ishte lindur, në Galicë, në vatrën e pashuar ndër shekuj të rezistencës kombëtare.

Bedri Tahiri tashmë po i afrohet edhe botimit të veprës së 50-të të opusit të tij krijues, duke u radhitur në mesin e shkrimtarëve me një krijimtari  shumë të begatë, qoftë si sasi, por edhe cilësi, me  tematikë e përmbajtje,  që epiqendër kanë, kombin, atdheun, dëshmorët, martirët, lirinë  e fituar me gjak e mund, e në fund  pavarësinë edhe të një pjese të atdheut edhe më tej të cunguar…

 

Në punën e tij kërkimore, studimore, Bedriu udhëhiqet me një metodologji  dhe stil tashmë të kondenzuar mbi parimet e krijimit profesionist  të veprës publicistike, letrare e artistike, me përmbajtje e tematikë kryesisht nga historia kombëtare, që ka qenë dhe po mbetet burim frymëzimi e hulumtimi i pjesës dërrmuese të krijuesve shqiptarë, sidomos në Kosovë dhe në treva, disa nga  të cilat ende nuk e gëzojnë lirinë,  as pavarësinë e plotë.

Krijimtaria voluminoze e deritanishme, (meqë Bedriu është në kulmin e pjellorisë krijuese), është një tregimtari  publicistike, letrare e artistike e zbërthyer në çdo vepër veç e veç  si pjesë të një tërësie e cila shënon të arritura të gjithanshme dhe i ofron lexuesit lëndë të mjaftueshme e të llojllojshme, gjithnjë sipas shijes individuale,  të  secilit që i lexon dhe i studion veprat e tij.

E veçanta e krijimtarisë së Bedri Tahirit, është evidentimi i  impulseve të kombit, rrahja herë e harmonishme herë e çakorduar e frymëmarrjes së tij, përpjekjet shekullore për mbijetesë, lufta e pandalshme e pakicës gjithnjë kryengritëse dhe e shumicës gjithnjë durimtare e pacifiste, hapi i humbur historik dhe rënie-ngritjet e vazhdueshme, në përpjekje shekullore për ta ruajtur identitetin e krijuar gjatë shekujve, gjuhën, besën, doket, moralin, traditën e mikpritjes shpeshherë në dëm të vetvetes, e mbi të gjitha trimërinë e guximin deri në sakrificë e vetëmohim.

 

Duke u marrë prore me këtë problematikë, një pjesë e krijimtarisë së tij duket folklorike, të cilën kritika e pa princip dhe e pamoral,  e vetëquajtur avangarde, e konsideron si diçka arkaike, si të dalë mode, si të vjetruar e të tjera. Por, Bedriu, tërë identitetin dhe egon e tij origjinale krijuese e ka ndërtuar pikërisht në këtë segment, sepse ajo i fle në zemër, në shpirt, pasi nga ajo rrjedhë, frymon, jeton, shkruan, boton dhe nuk ndalet dot, sepse ecë me hapin e  Marathonomakut të kohës sonë…

Ai me kohë e ka kuptuar se jeta është një luftë e pandërprerë, luftë për të qëndruar, për të mos u dhënë para vështirësive, për të mos u dorëzuar kurrë, sepse është thënë me shumë të drejtë se: “atëherë kur vdes lufta, vdes edhe jeta”.

Duke qenë i lindur në Drenicë, edhe pse kjo nuk është diçka e veçantë,  megjithatë edukata kombëtare e trashëguar nga brezi në brez në odat e fshatrave të kësaj pjese Spartane të Atdheut, ka lënë gjurmë në krijimin e një tipologjie me disa të veçanta të karakterit dhe temperamentit të drenicarëve, kryesisht të njohur si luftëtarë, por edhe burra të zakonit të odave e të lidhjeve me pjesët e tjera të atdheut.

Opusi krijues i Bedri  Tahirit përbëhet nga tema të ndryshme por të gjitha të një organike, të një substance, të një brumi, sepse qëndresa shekullore, shqiptare, në Drenicë  është manifestuar  në  vazhdimësi  me akte të shumta rezistence që nga Roma e Bizanti, nga turku e shtetet sllave të Ballkanit por edhe më gjerë. Andaj jo rastësisht ai është marrë e merret me emrat madhorë të kësaj rezistence që nga Milush Kopiliqi, Zeqir Rezalla, Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Azem dhe Shote Galica, Shaban Palluzha e deri te Legjendari i UÇK-së dhe i mbarë kombit, Adem Shaban Jashari.

Disa vepra u ka kushtuar edhe luftëtarëve popullorë dhe  filozofëve të kësaj treve të Drenicës dhe jashtë saj si Ramadan Bajraktarit, Kamer e Murat Loshit, Abdyl Krasniqit e të tjerëve.

Ai në opusin e krijimtarisë së tij ka botuar edhe pesë vëllime të monografive për dëshmorët,  në edicionin “Flakadanët e lirisë”.

Një vend me rëndësi zënë edhe veprat letrare artistike të motiveve të ndryshme, pastaj përmbledhje me poezi, rrëfime, romane e novela, vepra studimore, udhë-përshkrime, e të tjera.

Disa nga veprat edhe i ka ribotuar në versionin e plotësuar apo të zgjeruar, me qëllime që vetëkuptohen.

Tërë kjo krijimtari, pavarësisht mendimeve e vlerësimeve të ndryshme, pavarësisht ndonjë lajthitjeje, ndonjë lëshimi pa qëllim, që u ndodh të gjithë krijuesve, kujt më shumë e kujt më pak, tërë kjo është një begati kulturore kombëtare,  është një kontribut i veçantë, që ka kërkuar net  e muaj pa gjumë, që ka kërkuar sakrificë, që i ka kushtuar aq shumë edhe xhepit gjithnjë të zbrazur të mësimdhënësit, tashmë  edhe veteranit të arsimit, Bedri Tahiri.  Në disa raste, për të botuar vepra të caktuara  është  ndihmuar nga miq, të njohur e donatorë,  mbështetës të librit e të kulturës dhe në ndonjë rast krejt të veçantë,  edhe nga institucionet e vendit.

Bedriun, nuk ka forcë që e largon nga misioni i tij, andaj i uroj edhe shumë e shumë vite të begatshme, në krijimtari.

 

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

  1. 10. 2022

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …