81 vjetori i përkujtimit të Konferencës së Pezës, edhe këtë vit u festua me dinjitetin që i takon asaj ngjarjeje nga më të rëndësishmet në historinë kombëtare gjatë LANÇ. Thirrja që doli për bashkim kombëtar: Pa dallim feje, krahine dhe ideje!, ishe dhe mbetet nga më demokratiket, në shërbim të Atdheut.
Në atë Pezë të ndëshkuar shumë herë nga agresionet pushtuese, qëndresa popullore ndaj luftës për liri, është një nga lapidarët madhështor të luftës dhe historisë.
Kështjella e lirisë, edhe këtë 16 shtator, ishte veshur me hiret më të bukura kombëtare. Fotot nga ditët e luftës, risollën në kujtesë atë rëndësi të patjetërsueshme që kemi detyrim për ta ruajtur, mbrojtur dhe të krenohemi me legjitimitet në çdo kohë.
Organizimi nga Bashkia e Tiranës dhe Njësia Administrative Pezë, kishin në program veç protokollit zyrtar, edhe organizime të tjera të larmishme dhe argëtuese.
Qindra njerëz të ardhur nga qytete të ndryshme, mbushën hapësirën e gjelbërt të parkut të madh, para lapidarit simbol të Pezës, me pjesëmarrje edhe të përfaqësisë nga Pushteti Vendor Tiranë.
Nga Komiteti Kombëtar i Veteraneve dhe Pasardhësve të LANÇ “Nderi i Kombit”, ishte i pranishëm Kryetari Hulusi Hako, Sekretari Veli Myftari, përfshirë anëtarë të kryesisë, anëtarë të tjerë dhe pjesëmarrës nga Bashki të ndryshme të vendit, përfaqësues të lartë të organizatave të këtij komiteti.
Elbasani merrte pjesë nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Asim Elezi, nënkryetarët, sekretari Gani Hida, dhe anëtarë të shumtë nga përfaqësitë e Bashkisë Elbasan.
OKDA Elbasan në këtë traditë të përvitshme pjesëmarrje, përfaqësohej nga nënkryetari Bardhul Toda, sekretarja Rolanda Suli dhe anëtarët e saj, Lume Sulovari, intelektualët Aldo Sula, Petrika Andoni dhe Arbër Lushnjani.
Kjo kurorë feste, ka gjithmonë në madhështinë e saj pjestarë të familjeve të Dëshmorëve, të Veteranëve, nxënës të shkollave dhe banorë të fshatrave rreth Pezës.
Përshëndetën nga komuna e Pezës, Deputeti i PartisëSocialistetëShqipërisë Toni Gogu, Hulusi Hako etj. Nga Kryesia e Përgjithshme e OKDA, merrte pjesë edhe Enver Reçi, anëtar i Këshillit të kësaj organizate, Ilir Shkëmbi, kryetar i kësaj organizate për Tiranën dhe anëtarë të shumtë.
Pas ceremonisë vendosën kurora dhe u bënë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Pezës.
Më pas, u zhvilluan veprimtari të ndryshme, si koncert artistik me këngë e valle popullore, veprimtari sportive e lojëra të ndryshme vollejboll, shah, gjuaj në shenjë, gara etj. Ekipi i karatesë zhvilloi disa ushtrime të këtij sporti.
Mesazhi historik që vjen nga Peza, në çdo kohë dhe rrethanë është dhe mbetet gjithmonë aktual, për të pasur të gjithë bashkë atë Shqipëri të dëshiruar nga Rilindësit, nga Ismail Qemali dhe Dëshmorët e Atdheut. Peza ende thërret!