Organizata për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU!, të premten ka publikuar raportin “Degradimi i vazhdueshëm mjedisor”.
Raporti, i cili është prezantuar nga Rina Koliqi, është rezultat i hulumtimeve mbi gjendjen e mjedisit në Kosovë, të cilat janë realizuar ndër vite nga Çohu. Hulumtimet kanë të bëjnë me degradimin e lumenjve nga operuesit ilegalë, dëmet që janë shkaktuar nga gurthyesit si dhe gjendjen e deponive regjionale të mbeturinave! Këto hulumtime janë përditësuar, për të parë gjendjen aktuale dhe për ta krahasuar me atë paraprake.
Në këtë tryezë të pranishëm ishin: Elbasan Shala nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, (MMPHI), Naim Sejdiu nga Komisioni për Miniera dhe Minerale (KPMM), Bajram Limani nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Përveç prezantimit të raportit përmbledhës, në tryezë u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër lidhur me gjetjet kryesore të hulumtimeve.
Në këtë tryezë, përfaqësuesit e KPMM-së dhe inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, shprehen shqetësimet e tyre lidhur me numrin e vogël të inspektorëve dhe moskoordinimin institucional për të parandaluar dhe ndëshkuar degraduesit e mjedisit.
Edhe në rastet kur i kapin në flagrancë operuesit ilegalë, sipas tyre, mjetet e punës nuk sekuestrohen pasi që në këtë aspekt mungon bashkëpunimi i duhur me institucionet e drejtësisë, dhe se edhe procedurat ligjore paraqesin pengesë në këtë aspekt.
Kjo do të thotë se edhe në rastet kur operuesit ilegalë kapen dhe iniciohen rastet në institucionet e drejtësisë, operuesit mund të përdorin sërish mjetet e njëjta të punës për të gërmuar apo transportuar.
- Shala dhe z. Sejdiu u shprehen të pakënaqur edhe me ndëshkimet që u shqiptohen degraduesve të mjedisit nga gjykatat edhe pse operuesit ilegalë në të shumtën e rasteve janë recidivistë, pra që i përsëritin veprimet e tyre në vazhdimësi.
Ndërkaq përfaqësuesi i KMDK-së, Bajram Limani, foli lidhur me gjetjet e hulumtimeve të organizatës ÇOHU! mbi deponitë regjionale të mbeturinave, me theks të veçantë për deponinë e Mirashit, e cila paraqet rrezik të vazhdueshëm për punëtorët e deponisë dhe për mjedisin. Ai theksoi se asnjë veprim nuk mund të ndërmerret në këtë deponi, qoftë për mbyllje apo shfrytëzim të saj, pa u bërë një studim i fizibilitetit. Ai tha se mbyllja e kësaj deponie pa e ndërtuar një të re, do të shkaktonte kaos të mbeturinave, sidomos në Prishtinë.
- Limani tha se janë kryer studime në disa lokacione për ndërtimin e një deponie të re dhe se një gjë e tillë pritet të bëhet në fshatin Ribar të Lipjanit, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga kjo komunë lidhur me këtë projekt.