Orientalisti i mirënjohur, studiuesi i zellshëm, përkthyesi i parë i Kuranit komplet, në gjuhën shqipe, veprimtari dhe intelektuali, dr. Feti Mehdiu, me krijimtarinë e tij të deritanishme, shënon një nivel shumë të lartë, akademik, në trajtimin, qasjen me përgjegjësi shkencore të temave me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet, duke nxjerrë në dritë vepra të shumta, të cilat janë një enciklopedi në vete, tërësisht origjinale, janë dëshmi që do t’ iu mbeten edhe brezave të së ardhmes, si burim i përfitimit të dijeve.
Në vitet e fundit, studiuesi, Feti Mehdiu ka nxjerrë në dritë edhe disa vepra sikur janë: Kur’ani dhe hija e tij shqip, ribotim, Hekurudha e Kërçovës-1917. (Një shekull rënkim në heshtje). ‘Arabishtja pa mësues’ e të tjera.
Disa segmente të krijimtarisë së Feti Mehdiut
Përveç aktivitetit hulumtues shkencor, Feti Mehdiu ka qenë edhe anëtar i “Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve”, në krye me Adem Demaçin qysh në vitin 1963-1964 përmes veprimtarit, Sabri Novosella, ai realisht ka përfaqësuar grupin e medresistëve të kësaj organizate. Me kohë e kishte zgjeruar veprimtarinë në mesin e medresistëve ku edhe kishte vepruar një grup i të rinjve në platformë të kësaj organizate. Nga ai grup, pasi ishim dekonspiruar, qemë dënuar me burg katër medresistë, ndërsa ishin marrë në hetime dhe ishin maltretuar disa të tjerë. Fetiu nuk ishte dekonspiruar nga Sabri Novosella as nga unë gjatë hetimeve, meqë ishte shumë i kujdesshëm dhe kishte vepruar me maturi e vetëpërmbajtje.
Feti Mehdiut i përket merita e veçantë në përthimin e plotë të Kur’anit në gjuhën shqipe, i cili ka dalë në dritë në vitin 1985 dhe është botuar në 1o.ooo ekzemplarë. Në këtë vit, Kur’ani dhe hija e tij shqip, Është ribotuar. Së fundmi ka botuar edhe veprat,Hekurudha e Kërçovës-1917. (Një shekull rënkim në heshtje). Arabishtja pa mësues e të tjera. Ai është meritor për botimin e dhjetëra veprave të ndryshme shkencore publicistike, përkthimeve të shumta nga gjuha arabe, turke e të tjera.
…
Veprimtaria e tij shkrimore gjithnjë është mbështetur në të arriturat hulumtuese studimore, në shumë lëmenj të gjuhës, fesë, kulturës, përkthimeve të shumta nga arabishtja e turqishtja, botimeve të shumta shkencore, pjesëmarrjes në shumë tryeza, simpoziume, konferenca shkencore, aktivitete hulumtuese e prezantuese në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Serbi, Turqi, Egjipt dhe në vende të tjera.
Studimet e Feti Mehdiut shquhen në radhë të parë për metodologjinë korrekte të punës shkencore, të cilën ai e njeh mjaft mirë dhe i përmbahet në çdo shkrim, studim apo hulumtim.
Duke qenë i pajisur me njohuri të lëmenjve të caktuar, veçmas të gjuhës arabe, profesor i së cilës ka qenë deri në daljen në pension, pastaj shkrimtar e publicist, përkthyes e hulumtues i shumë temave ndër më të ndryshme, Fetiu ka krijuar një opus të jashtëzakonshëm të veprave shkencore, qofshin ato publicistike e letrare, qofshin me tema fetare apo shkencore me përmbajtje nga historia, kultura, aktualiteti, gjuhësia, përkthimi, qofshin studime të pavarura në lëmenj të caktuar, që kanë qenë dhe janë aktualisht objekt i studimeve të tij.
Krijimtaria e deritanishme e Feti Mehdiut është një e arrirë e madhe shkencore në dobi të shkencës në përgjithësi, e në veçanti, në dobi të shkencës dhe literaturës shqiptare.
Feti Mehdiu, është pedant në jetë dhe në punë, është një studiues i përkushtuar tashmë i pajisur me një kredo të lartë shkencore, është një autoritet krijues, është një personalitet i përmasave kombëtare shkencore, me të arriturat e tij në orientalistikë, me mëritë të veçantë si përkthyes i parë shqiptar, i Kuranit, i cili është botuar për herë të parë, i plotë, në gjuhën shqipe, në Prishtinë në vitin 1985.