Kryetari i Komunë së Malishevës, Ragip Begaj dhe zyrtarja për barazi gjinore, Vera Bytyçi, kanë pritur të mërkurën në një takim pune, këshilltaren për të drejta e njeriut, në misionin e OSBE-së në Kosovë, Anabela Atanasio Alves. Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi për nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mekanizmit koordinues kundër dhunës në familje. Ky mekanizëm formohet në bashkëpunim në mes të Koordinatorit Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Komunës së Malishevës dhe OSBE-së, misioni në Kosovë.
Kryetari Begaj, e ka mirëpritur këtë iniciativë, në mënyrë që rastet e dhunës në familje të trajtohen në mënyrë institucionale dhe në të njëjtën kohë, të punohet në parandalimin e rasteve të dhunës në familje. “Përvoja e shteteve evropiane në këtë fushë është shumë e rëndësishme dhe ne si institucione jemi të gatshëm të punojmë në këtë fushë”, ka thënë Begaj, dhe i ka falënderuar zyrtarët e misionit të OSBE-së, për bashkëpunim dhe gatishmërinë e treguar për krijimin e këtyre mekanizmave.
Po ashtu edhe këshilltarja për të drejtat e njeriut në misionin e OSBE-së, znj.Alves, është shprehur e kënaqur me gatishmërinë e Komunës së Malishevës, për të punuar në këtë drejtim, si dhe për bashkëpunimin e mirë në mes të OSBE-së dhe komunës, e po ashtu edhe me zyrën për barazi gjinore.