Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, duket se edhe kësaj radhe do të sigurojë zgjedhjet e Serbisë në territorin e vendit tonë. Zyrtarë të këtij misioni kanë bërë të ditur se ata do të ndërmjetësojnë në procesin e mbledhjes së votave të serbëve të Kosovës, gjatë zgjedhjeve parlamentare të Serbisë që mbahen me 24 prill. Senad Subotiq, zëdhënës i këtij misioni, ka pranuar se ka paralajmërime që kjo organizatë do ta zbatojë procesin e mbledhjes së votave të personave që kanë të drejtë vote. “OSBE-ja është e gatshme të ndihmojë, në përputhje me çfarëdo marrëveshje që do të rezultojë”, ka thënë Subotiq. Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë përsëritur shpesh se serbët e Kosovës që gëzojnë shtetësi të dyfishtë do të votojnë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, ndërkohë që deri më tani nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar të Qeverisë së Isa Mustafës.
