Osman Krasniqi lindi në fshatin Vukoc të Drenasit, (ish – Gllogoc). Shkollën fillore e ka kryer në Kamaran, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin e Metalurgjisë, e ka mbaruar në Qendrën Shkollore “Skënderbeu” në Drenas. Duke qenë se familje ishte në gjendje jo të mirë ekonomike, ai nuk i vazhdoi studimet, por filloi të kërkojë punë, me qëllim për ta ndihmuar familjen shumanëtarëshe, babain Ademin, nënën, Naxhijen, si dhe vëllezërit e motrat.
Prej vitit 1986 Osmani ka punuar në shkritoren e “Feronikelit” në Drenas, ndërkohë që është larguar me rastin e aplikimit të masave të dhunshme, që kishte aplikuar regjimi antishqiptar i Milosheviqit në fillim të viteve ’90.
Me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998, shumë të rinj të kësaj ane iu bashkuan luftës së UÇK-së.
Osman Krasniqi inkuadrohet në radhët e luftës, por duke qenë se nuk kishte armë, ai së bashku me shumë luftëtarë, më 3 qershor niset për në Shqipëri, me qëllim për të marrë armë dhe municion. Grupit të luftëtarëve për në Shqipëri i printe Bedri Shala nga Negroci, ndërsa përveç Osman Krasniqit në atë grup ndodheshin edhe Ramadan Bytyçi Sylë Morina e të tjerë nga Gjergjica, Nazmi Gashi nga Kamarani, më vonë të gjithë dëshmorë.
Me rastin e kthimit nga Shqipëria, Osman Krasniqi me bashkëluftëtarët bien në pritë të forcave armike, më 5 qershor, me ç rast edhe plagoset. Në mesin e të plagosurve ishte edhe një gazetar nga Norvegjia, i cili po hynte në Kosovë së bashku me luftëtarët e lirisë. Gazetari norvegjez ishte plagosur rëndë dhe nuk arrinte të tërhiqej vetë. Osmani me bashkëluftëtarët e tij e kishte tërhequr nën breshërinë e zjarrit, duke rrezikuar jetën, por nuk kishte lejuar që gazetari norvegjez të binte në duart e forcave serbe, qoftë edhe me çmimin e jetës së tij e të bashkëluftëtarëve. Gazetarin internacionalist norvegjez e kishin lënë në një spital ushtarak të Dukagjinit, ndërsa Osmani me disa bashkëluftëtarë ishte kthyer në Drenicën heroike të Adem Jasharit.
Më 8 qershor, Osman Krasniqi ndodhet në pozicionet e Grykës së Llapushnikut, ku forcat çlirimtare kishin shkëputur vijën më strategjike, nga kur forcat ushtarake serbe bënin përpjekje të depërtonin në Dukagjin. Po në atë kohë forcat e UÇK-së në mesin e tyre edhe Osman Krasnqi, kishin rrethuar forcat serbe në fshatin Kijevë, të cilave u ishin shkëputur të gjitha lidhjet me bazat e tyre.
Ka marrë pjesë në mbrojtjen e Grykës së Llapushnikut, më 25 dhe 26 korrik të vitit 1998, së bashku me komandantin, Imer Alushani, Ali Zogajn, Mehdi Bytyçin, Hilmi Sopin, Fadil Gashin e shumë luftëtarë të tjerë.
Pas thyerjes së Grykës e rënies dëshmor të komandantit Imer Alushani, Osman Krasniqi me disa bashkëluftëtarë i bashkohet Shtabit lokal të fshatit Berishë, në Rrafshnaltën e Drenicës jugore. Me rastin e strukturimit të UÇK-së, sistemohet në Kompaninë e Berishës. e cila bënte pjesë në Batalionin e Parë “Imer Alushani” të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”.
Më 9 prill të vitit 1999, Osman Krasniqi së bashku me, Sami Gashin, Mehdi Bytyçin, Arben Bytyçin sulmojnë forcat serbe, në fshatin Arllat në magjistralen Prishtinë – Pejë, me ç rast vrasin një polic serb dhe çarmatosin një tjetër.
Më 16 prill, të po atij viti, Osman Krasniqi ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në lagjen Bytyçi të Arllatit, me ç’ rast, duke ndihmuar popullatën civile të tërhiqej nga fshati, kanë rënë dëshmorë, Mehdi Bytyçi, komandant toge dhe Sylejman Bytyçi, të dy nga fshati Arllat. Po atë ditë janë plagosur edhe disa luftëtarë të tjerë. Forcat serbe nuk kishin arritur të depërtonin në Rrafshnaltë ku emetonte program Radio-Kosova e lirë, Kosovapresi dhe ku ndodhej stafi i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Përveç Osmanit luftës së UÇK-së iu kishte bashkuar edhe vëllai i tij, Nexhmedini i cili ishte sistemuar në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Opreative të Drenicës.
Familja e Osman Krasniqit ashtu sikur mijëra familje të tjera të Drenicës, ishte strehuar në grykat e maleve të Llapushnikut e të Berishës. Më 8 qershor të vitit 1999, forcat serbe kishin marrë në shënjestër vendstrehimin e stafit të Radios Kosova e Lirë në malet e Berishës. Njëra nga predhat kishte goditur në mesin e popullatës shqiptare në një mal të Fshatit të Ri, pikërisht në tendën ku ndodhej familja e Adem Krasniqit, babait të luftëtarit të lirisë Osman Krasniqi. Me atë rast nga goditja e predhës së raketës së tipit tokë-tokë martirizohet nëna e Osman Krasniqit, Naxhija ndërsa marrin plagë edhe vëllai i tij Sefedini dhe motra Selvetja. Nga pasojat e goditjes mizore ishte vrarë edhe fëmija dy-vjeçar Ilir Gashi nga fshati Sferkë e Gashit, një banor i fshatit Negroc, ndërsa kishin marrë plagë edhe 17 pjesëtarë të popullatës civile, të cilët atë ditë ishin ndodhur në rrezen e veprimit shkatërrimtar të goditjes së raketës rreth vendqëndrimit të Radios-Kosova e lirë.
Osman Krasniqi ka marrë pjesë në të gjitha luftimet që janë zhvilluar në mbrojtje të pozicioneve të Rrafshnaltës. Veç tjerash ai kishte bërë emër edhe në deminimin e vendeve, të cilat ushtria serbe me rastin e kapitullimit më 10 qershor të vitit 1999, i kishte minuar me qëllim që edhe pas tërheqjes së turpshme të vriteshin shqiptarët.
Më 21 qershor, kur Radio-Kosova e Lirë kishte transmetuar lajmin kuptimplotë për dëbimin e përjetshëm të forcave vrastare policore e ushtarake serbe nga Kosova, Osman Krasniqi së bashku me bashkëluftëtarin e tij të pandashëm Sami Gashi kishin hetuar një fushë të minuar nga serbët në vendin e quajtur të “Kroni i Karanocit”, afër shkollës së fshatit Arllat. Osmani dhe Samiu kishin lajmëruar forcat paqeruajtëse angleze lidhur me rrezikun që iu kanosej pjesëtarëve të popullatës civile me rastin e kthimit nëpër shtëpitë e tyre të plaçkitura e të djegura nga ushtria serbe. Ata së bashku me dy ushtarë britanikë kishin bërë demininin e terrenit, afër fshatit. Gjatë tërheqjes së minave, të cilat i grumbullonin në një vend të caktuar, me qëllim që pastaj të deaktivizoheshin, një ushtari britanik i shpëton mina nga dora, e cila aktivizohet dhe shpërthen me pasoja fatale. Atë ditë bien në altarin e lirisë, në tokën e çliruar të Kosovës, luftëtarët e përkushtuar të lirisë, Osman Krasniqi, Sami Gashi dhe Milazim Gashi, po atë ditë është plagosur edhe luftëtari i lirisë, Hysen Murtez Gashi dhe dy ushtarë anglezë.
Osmani ka lënë babain, Ademin, bashkëshorten, Hanifen, djalin, Remziun dhe bijat: Gentianën, Ardianën dhe Arjetën. Ai ka lënë edhe vëllezërit: Zeqirin, Nezirin, Nexhmedinin, luftëtar i UÇK-së, dhe Sefedinin, i plagosur gjatë luftës, si dhe motrat: Taiben, Selveten, e plagosur gjatë luftës dhe Rabën.
Familja e dëshmorit Osman Krasniqi ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Kuvendi komunal i Drenasit dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …