Osman Luma lindi më 5 tetor 1971 në fshatin Qafëshqipe (ish-Glloboqicë), komuna e Kaçanikut. Ishte djali i dytë me radhë nga shtatë bijtë dhe bijat e Mustafë e Naxhije Lumës. Mësimet fillestare i kreu në vendlindjen e tij, në fshatin Qafshqipe. Më pas regjistrohet në Gjimnazin Ushtarak, pas kryerjes së të cilit vazhdon shkollimin universitar në Akademinë Ushtarake të Beogradit. Në vitin 1993 ndërpret shkollimin në këtë akademi, për shkak të fillimit të luftës okupuese të Armatës Jugosllave, në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Pas ndërprerjes së shkollimit kthehet në vendlindje dhe aktivizohet në arsim, si arsimtar i lëndës së fizikës, në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”, në Qafëshqipe. Jetonte në fshat si gjysmëilegal, por gjithmonë me kujdes që mos të ketë kontakte me forcat serbe, sepse kohë pas kohe e kërkonin që t’u paraqitet organeve të pushtetit serb, për shkak të braktisjes së shkollimit në akademinë ushtarake.
Qysh i ri brumoset me ide atdhetare, i frymëzuar sidomos duke i parë ngjarjet që po ndodhin dhe duke i kujtuar vuajtjet e popullit të vet, luftërat heroike të së kaluarës, duke menduar përgatitjet që kishte arritur në shërbimin ushtarak t’i vë në shërbim të popullit të vet. Ishte bindur se lufta për t’i fituar të drejtat dhe lirinë ishte e gjatë dhe e mundimshme, por e pashmangshme për të gjithë shqiptarët të cilët Jugosllavinë e konsideronin okupatore.
Osmani ishte shtatlartë, i zhvilluar fizikisht, sportist i dalluar në shumë disiplina sportive, e sidomos në mundje. Në kategorinë e rëndë kishte zënë vendin e parë nga të gjitha shkollat e mesme ushtarake, në vitin 1989, në Zagreb. Ishte mjaft i qetë nga natyra dhe shumë i ngritur profesionalisht.
Kyçet në radhët e UÇK-së në prill të vitit 1998, në kuadër të formacionit të njësitit për furnizim në pikën e Qafshqipes, të udhëhequr nga Ilaz Ceka, në rajonin e kufirit Kosovë-Maqedoni. Në vijën e furnizimit punon në njësitin e Ilaz Cekës. Në këtë njësit bënin pjesë: Ilaz Ceka, Osman Luma, Hajrush Luma, Bilall Ceka, Brahim Ceka, Mustafë Ceka, Mustafë Lika, Xhemshit Lika, Zahir Lika, Murat Lika, Ali Lika, Hamdi Lika, Selam Lika, Gazmend Lika, Sylejman Lika, Besim Lika, Afet Bulica, Xhevahir Lika, Sahit Lika, Ismail Lika, Ibush Lika, Rexhep Lika, Muhamet Lika, Ekrem Lika, Fadil Lika, Rushan Ceka, Hasan Luma, Rexhep Luma, Arif Luma, Musli Luma, Zjadin Luma, Zymer Luma dhe Mehmet Ceka.
Në këto zona të rrezikuara nga policia dhe ushtria serbe, Osmani me shokë e bashkëluftëtarë, e mban vijën e furnizimit për njësitet e Kaçanikut të UÇK-së dhe për Zonën Operative te Neredimes, si dhe për disa njësite të UÇK-së në gjithë territorin e Kosovës. Këtë kontribut të tij disa herë e dëshmojnë edhe publikisht edhe disa udhëheqës të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, e të Drejtorisë Politike të UÇK-së, pasi në këto zona të rrezikuara kishin pasë rastin të kalojnë edhe delegacione të larta politike dhe ushtarake të UÇK-së, në vijën e kalimit të kufirit me Maqedoninë. Për sigurinë e tyre përkujdesej njësiti ku b?nte pjesë edhe dëshmori Osman Luma.
Me fillimin e luftës në Puset e Nikës, me 26 shkurt 1999, njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, me urdhër të Komandës së Brigadës u vendosen nëpër pikat luftarake, në Gajre, Ivajë dhe në Kotlinë. Kështu, edhe njësiti i Osman Lumës u vendos në pikën luftarake, në Ivajë. Në vazhdim të luftimeve të suksesshme të UÇK-së, më 8 mars 1999, forcat serbe marrin një ofensivë në fshatin Ivajë. Okupatori serb kishte organizuar sulmin me mijëra forca të armatosura me armët më moderne dhe teknikë të përsosur ushtarake për luftime në territoret kodrinore, me qëllim për asgjësimin e Ushtrisë Çlirimtare të kësaj treve dhe shfarosjen e popullatës civile. Sulmi i hordhisë barbare ishte i fuqishëm dhe i shtrirë në të gjitha drejtimet të fshatrave Ivajë, Strazhë, Gajre, Kotlinë, etj. Përballë kësaj hordhie okupatore, qëndronin të patundur ushtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Brigadës “162 Agim Bajrami”, brigadë kjo, e cila me kohë kishte vendosur njësitet dhe i kishte përgatitur për mbrojtje. Në mbrojtje të fshatit Ivajë ishin të pozicionuara njësitet e Batalionit II, në mbrojtje të spitalit ushtarak dhe shtabit të Brigadës, qe vendosur policia ushtarake në Ivajë të Vjetër dhe në Gajre, ku ishin të pozicionuara njësitet e Batalionit të Parë, kurse në Kotlinë dhe te Puset e Nikës ishin të vendosura njësitet e Batalionit të III-të. Sulmi filloi në mëngjesin e 8 marsit dhe ishte i organizuar në mbrojtjen e çdo pëllëmbe toke të këtij territori. Në asnjë mënyrë nuk lejohej të dështonte mbrojtja, as mund të lejohej depërtimi i okupatorit në brendi të fshatit sepse, në duart dhe guximin heroik të luftëtarëve të lirisë qëndronin 2000 banorë, sa ishin në ato momente në fshat dhe rreth tij. Njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, zhvilluan luftë të rreptë dhe të lavdishme. Armiku pësoi humbje mjaft të mëdha në njerëz, që kurrë nuk do t’i zbulojë dhe në teknikë ushtarake të përdorur në këto luftime, Nga radhëte e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, atë ditë ranë heroikisht për të jetuar përgjithmonë dëshmorët e kombit: Osman Luma, zëvendëskomandant i Kompanisë së Parë, Qani Luma, ushtarak, Murat Lika, luftëtar i dalluar, si dhe Raif Koraçi. Humbja e këtyre luftëtarëve pikëlloi tërë popullatën e Kaçanikut me rrethinë e më gjerë, veçanërisht luftëtarët e Brigadës 162″ Agim Bajrami”. Po atë ditë, në luftime të ashpra kundër armikut u plagosën luftëtarët: Adem Kolshi, Halil Kuka, Muhamet Malësiu, Feriz Deda, Hafir Luma, Zjadin Luma, Xhelal Lika, Veton Krasniqi dhe Shefki Tërziu. Nga popullata civile u vra Xhemil Mulaku, i cili ishte larguar nga familja e vet dhe nga popullata, pa e ditur kush se ku gjendej.
Gjatë granatimeve dhe sulmeve të ashpra u shkatërruan dhe u dogjën shumë shtëpi si dhe shkolla e xhamia e fshatit.
Trupin e dëshmorit Osman Luma e tërheq ekipi i vëzhguesve, Fadil Qallaku, Sylejman Mulaku, Nexhat Luta, Emrush Luta, Sadik Qallaku dhe Nexhmedin Luta dhe më 15 mars 1999 varroset në varrezat familjare të Haxhi Nuredin Rexhës, në Ivajë të Vjetër. Në varrim mori pjesë njësiti ushtarak prej 30 ushtarësh, trupi komandues i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, komandanti i njësisë, Ilaz Ceka dhe anëtarët e shtabit, Izet Krivanjeva, Shefket Palloshi dhe Shefket Troni. Varrimi u bë me nderime ushtarake. Fjalën e rastit për dëshmorin e mbajti Komandanti i Brigadës, Qamil Ilazi, i cili tha: “Të nderuar ushtarë dhe eprorë që jeni tubuar këtu për t’i dhënë nderimet e fundit zëvendëskomandantit të Kompanisë, Osman Luma, i cili ra heroikisht në betejën e lavdishme të 8 marsit 1999, në Ivajë. Po e varrosim një epror të UÇK-së në këto rrethana, por me nderime ushtarake. Kushtet dhe rrethanat nuk na mundësojnë që të flasim më tepër për heroizmin e Osmanit, por jemi të bindur thellë se së shpejti do të ngadhënjejmë mbi forcat serbe dhe do të bëjmë krejt çka është e mundur për të respektuar veprën heroike të Osmanit dhe të dëshmorëve të tjerë, që ranë heroikisht në luftë kundër okupatorit. Po ndahemi nga bashkëluftëtari ynë me premtimin se do të vazhdojmë rrugën e idealit për çlirimin e Kosovës nga okupatori serbo – çetnik!”.
Ushtarët e UÇK-së e dërgojnë trupin e dëshmorit deri në Komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Komanda e Brigadës ka bërë rivarrimin me nderime ushtarake te Varrezat e Dëshmorëve “Te Dardha” në Kaçanik, më 10 korrik 1999, ku prehen në amshueshmëri përkrah dëshmorëve të tjerë, që gjakun e tyre ia falën çlirimit të Kosovës.
Osmani ka lënë babanë, Mustafën, nënën, Naxhijen, vallezërit, Ilmiun, Eshrefin, Muhametin, Sametin, si dhe motrat: Firzaden dhe Fatimen. Batalioni i III i Brigadës 162 “Agim Bajrami” ka marrë emrin e dëshmorit Osman Luma, më datën 7 qershor 1999. Pllaka përkujtimore i është ngritur në vendin e rënies, në fshatin Ivajë, ndërsa busti te “Guri i Zi” në rajonin Shtrazë – Glloboçicë. Familja e Osmanit ka marrë “Mirënjohje” nga SHP i UÇK-së nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së. Për dëshmorin shkruan në librin “Shungullon Gryka e Kaçanikut”. (H. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …