Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Malishevë, sot e ka shënuar 30 Dhjetorin-Ditën e Veteranit. Fillimisht janë bërë nderime pran Shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në sheshin e qytetit, e më pas janë bërë homazhe pran varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Malishevë dhe në fund janë ndarë mirënjohje për veteranë e luftës, si dhe për 12 veteranë pas vdekjes, të cilët në rrethana të ndryshme kanë vdekur gjatë këtij viti. Në këto aktivitete morën pjesë, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, kryetar i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu dhe veteran të shumtë.
“Sot, Ditën e Veteranit po e shënojmë në kushte specifike, për shkak të goditjeve të rënda kundër luftës dhe krerëve të UÇK-së. Ne kemi luftuar për çlirim dhe për liri, dhe nuk jemi organizatë kriminale, prandaj tek të gjithë ne shihet mllefi në raport me këto goditje. Gjeneratat e reja, duhet ta mësojnë historinë e formimit të UÇK-së, të luftës për liri dhe për ndërtimin e shtetit. Në emër timin personal dhe në emër të Kryetarit të Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, ju uroj Ditën e Veteranit të gjithë veteranëve të luftës”, ka thënë në fjalën e tij, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Faton Klinaku, në emër të OVL të UÇK-së, gjithashtu tha se “këtë vit kemi pasur goditje të rënda dhe se këtë ditë po e shënojmë pa krerët e UÇK-së të cilët janë Aktualisht në Hagë, por që nga këto goditje do të dalim edhe më të fortë dhe krerët e luftës, do mbrojnë luftën e pastër dhe luftën për liri të UÇK-së”.
Ndërsa kryetari i degës së OVL të UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, pasi i ka uruar të gjithë veteranë, tha se këtë vit, përveç që krerët e UÇK-së dhe të OVL të UÇK-së, nuk janë me ne, edhe 12 veteran të luftës nga Malishevës, gjatë këtij viti kanë vdekur. Ai i ka uruar të gjithë bashkëluftëtarët dhe të gjitha familjet e dëshmorëve, me rastin e 30 Dhjetorit-Ditës së Veteranëve të luftës.