OVL-UÇK-ja, as SHBP-ja, për gjashtë ditë me radhë nuk reaguan kundër dy ngjarjeve irrituese e fyese, që iu bënë dy krerëve të luftës dhe të Paqes në Kosovës, sikur janë: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi, protagonistë kryesorë në çlirimin dhe pavarësinë Kosovës, por edhe kumtues të Shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, në Kuvendin e Kosovës, në Prishtinë. Po kështu këto dy shoqata-organizata nuk reaguan as për fyerjen e talljen që i drejtoi, Jukup Krasniqit një aktruc i njohur për ligësi e perversitete. Mbase drejtuesit e këtyre shoqatave kanë arsyet e tyre, ose duke qenë tepër njohës tepër të mirë të rrethanave, nuk merren me do cikërrima, aq më pak me humoristë etj.
SHBP-ja e integruar në Vetëvendosje nuk do të mund të reagonte kundër Albin Kurtit, edhe pse ai qëllimisht, “inatisht”, nuk i përmendi emrat e tre protagonistëve të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por do të mund të reagonte kundër fyerjeve dhe talljeve të ulëta e të panjerëzishme që iu bënë Jakup Krasniqit, i cili prej nëntorit të vitit 2020 ndodhet në Burgun e Sheveningenit, në Hagë. Anashkalimi, me arsyetimin se këto ngjarje nuk meritojnë reagim, se nuk kanë ndonjë peshë, është shpërfillje e vlerave të luftës, të vlerave njerëzore e kombëtare, sepse historia e Kosovës nuk fillon me Vetëvendosjen, parti e cila erdhi në pushtet 22 vjet pas çlirimit të vendit dhe 13 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në rastet e tilla nuk reagoi as KMDLNJ, por drejtori i Këshillit, Behxhet Shala me një shkrim autorial ka nënvizuar një qëndrim të drejtë dhe dinjitoz. Ai ka shkruar: Albin Kurti, me më shumë se 50% të votave, në asnjë mënyrë nuk është dashur të anashkalojë kontributin e atyre që e krijuan dhe shkruan historinë dhe që e lexuan Deklaratën e Pavarësisë sepse nuk i bënë aspak nder, as si kryeministër, as si politikan, as si njeri e as si shqiptar. (RKL)