Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash thotë se kanë katërfishuar numrin e trupave në veri pas agresionit serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Në intervistën për KosovaPress, Ulutash e vlerëson të qetë situatën në veri të vendit, porse thekson se e njëjta vazhdon të jetë e brishtë. Gjenerali Ulutash vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, derisa thotë se KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë. ë përgjithësi, situata në terren është e qetë, por e brishtë. Ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka vendosur 1000 trupa shtesë dhe mjete më të rënda. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ne kemi një qëndrim të shkathët dhe fleksibil në të gjithë Kosovën që na lejon t’i përgjigjemi çdo skenari, duke respektuar plotësisht mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
