Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi në Parlament dhe në institucione tjera, patën nxitur luftë të armatosur në vitin 2001, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i cili përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit. Me këtë marrëveshje, Kushtetuta u ndryshua përmes 15 amendamenteve, të cilat rregulluan edhe përdorimin e gjuhëve të tjera në vend, përveç asaj maqedonase. U vendos që gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut janë gjuha maqedonase dhe gjuhët e tjera që fliten nga mbi 20 për qind e qytetarëve të vendit. Kështu, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera iu dha mundësia e integrimit në shoqëri, shpjegon REL. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, Maqedonia e Veriut i ka rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54 për qind janë maqedonas, 29 për qind shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla. Përdorimi i gjuhës shqipe është rregulluar ndërkohë edhe me ligje të tjera, përfshirë një të vitit 2008, ndonëse ai, sipas njohësve të drejtësisë, përfshinte një interpretim të ngushtë. Partia VMRO-DPMNE, e cila më 2018 ishte në opozitë, ndërsa sot në pushtet, e kundërshtoi ashpër miratimin e Ligjit, nuk mori pjesë në votim dhe e dërgoi këtë dokument menjëherë në Gjykatën Kushtetuese.
