Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behxhet Pacolli ka shkruar se bashkësia ndërkombëtare duhet ta detyrojë Serbinë të merret me të kaluarën e saj. Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se mos-ndëshkueshmëria ndaj Serbisë duhet të përfundojë, por edhe sistemi kosovar i drejtësisë duhet të dalë nga gjumi dimëror për të sjellë para drejtësisë kriminelët e luftës. “Dokumentet e publikuara nga RTK për fatin e Prof. Ukshin Hotit janë të tmerrshme dhe tregojnë një krim të orkestruar nga Beogradi. Prokuroria e Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrin veprime dhe të sjellin para drejtësisë autorët e krimit të kryer kundër Ukshin Hotit dhe mijëra krimeve të tjera. Mos-ndëshkueshmeria ndaj Serbisë duhet të përfundojë por edhe sistemi jonë i drejtësisë duhet të dalë nga gjumi dimëror për të sjellë para drejtësisë kriminelët e luftës. Para një viti ne i sollëm mijëra faqe dëshmi dhe prova për krimet serbe, Prokurorisë speciale, dhe shpresojmë që çdo faqe të merret në konsideratë”, ka shkruar lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behxhet Pacolli.