Pagesat nga Plani Evropian i rritjes për Kosovën varen nga formimi i Qeverisë së re

Pagesat e para nga Plani Evropian i Rritjes për Kosovën mund të realizohen vetëm pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re, pasi çdo shtet përfitues duhet të nënshkruajë një marrëveshje kredie me Bashkimin Evropian. Duke qenë marrëveshje me karakter ndërkombëtar, ajo kërkon ratifikim nga kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave. Kosova pritet të përfitojë mbi 880 milionë euro nga kjo pako, prej të cilave mbi 250 milionë euro janë fonde pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të ofrohet në formë kredish të favorshme. Liderët e rajonit do të diskutojnë mbi zbatimin e Planit të Rritjes javën e ardhshme në një samit në Shkup, ku pritet të marrë pjesë edhe komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos. Plani Evropian i Rritjes është paketa më ambicioze financiare e BE-së për Ballkanin Perëndimor, me një total prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe pjesa tjetër kredite të favorshme. Komisioni Evropian ka konfirmuar gatishmërinë për të nisur pagesat sapo të përmbushen procedurat e nevojshme nga vendet përfituese.

Kontrolloni gjithashtu

KFOR dhe EULEX nënshkruajnë procedurat e përbashkëta Operative për të forcuar bashkëpunimin

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, dhe Kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për …