Paja Jovanoviq 1859- 1957, piktori më i madh i kohës i motiveve shqiptare

(Piktori dhe portretisti  serb, Paja Jovanoviq, është njëri ndër artistët më të mëdhenj të artit figurativ të kohës së tij, ndërsa pa dyshim më i madhi ndër serbët. Është i njohur sidomos me tablotë e tij të pasura të pasqyrimit në koloritit të popujve të Ballkanit e veçmas të shqiptarëve. Disa nga tablotë e tij janë kryevepra të artit figurativ.

 

U lind në qytetin e Vërshacit, në Serbi në vitin 1859. Ishte djali i parë i fotografit të njohur të qytetit Stefan Jovanoviq dhe nënës Ernestinë, nga Temishvari me origjinë franceze. Qysh i ri i vdes nëna ndërsa babai martohet me italianen, Maria di Ponti. Jovanoviq  kishte pesë vëllezër dhe një motër.

 

Në fëmijëri shfaq interesim për të vizatuar, që ishte e kuptueshme për faktin se babanë e kishte fotograf. Vizatonte tinës, duke kopjuar vizatimet kishtare, të cilat kishin ushtruar ndikim në angazhimin e tij të mëtejmë. Në moshën 14-vjeçare zbulohet befas talenti i tij dhe dërgohet në Vjenë, për t u regjistruar në Akademinë e Pikturës. Meqë ishte i ri në moshë dhe nuk e kishte kryer shkollimin e duhur paraprak, i duhet të kryejë shkollën e vizatimit te profesori austriak, Maholc. Përnjëherë dallohet në mësime si nxënësi më i mirë i kësaj shkolle.

Në vitin 1877 regjistrohet në Shkollën e përgjithshme të Akademisë së Vjenës  dhe qysh në tetor të atij viti fiton të drejtën e studentit të rregullt. Vazhdon studimet te pedagogu i njohur pikturës, Kristian Gripenkel ( 1839-1916). Studimet e rregullta në pikturë i ka kryer në vitin 1880. Më pas kryen edhe studimet speciale për pikturën historike, në klasën e mjeshtërve te profesori, Leopold Karl Muller, i njohur me pikturat e tij të motiveve orientale, sidomos të Egjiptit. Paja Jovanoviq, asokohe ishte studenti më i dalluar i tij.

 

Si student i Akadademisë së Vjenës i jepet mundësia edhe të vizitojë vende të ndryshme në Ballkan, si në Bosnje e Hercegovinë, në trojet e Shqipërisë, në mal të Zi e Serbi. Nëpër këto vende ka bërë edhe pikturat e para të shquara me motive nga jete e përditshme, nga tradita dokesore e popujve, kënga, vallëzimi, veshjet, armët e reliktet e ndryshme.

Janë të njohura pikturat dhe tablotë e tij të shumta nga jeta e shqiptarëve, e sidomos piktura e mirënjohur “Shqiptari” (Arnaut). Shqiptari me çibuk, Shqiptarët akuzojnë tradhtarin, Tradhtari, Loja e gjelave, Pajtimi i gjaqeve,  Prita, Shpërngulja e serbëve dhe shumë e shumë piktura të tjera. (Wikipedia në gjuhën serbe)

 

Thuhet se gjatë jetës së tij të gjatë gati një shekull, Paja Jovanoviq ka pikturuar rreth 4000 tablo e piktura, nga to deri tani janë zbuluar vetëm disa qindra. Ishte përfaqësues tipik i realizmit akademik në krijimtari.

 

Me të drejtë mund të dyshohet se një pjesë e pikturave të tij fshihen në Serbi, apo në Galerinë e Vjenës dhe nuk i jepen opinionit, pikërisht  për shkak të motiveve të shumta të jetës shqiptare, motive këto që mbizotërojnë  në pesën më artistike të krijimtarisë së tij. Është i njohur fakti se zyrtarët serbë në Beograd kishin fshehur fotografitë e fotografit hungarez, Jozef Sekelj të cilat dy vjet më parë i kishte zbuluar historiani i mirënjohur Robert Elsi.

Një shembull konkret është shfaqur në retushimin e tablosë historike “Shpërngulja e serbëve” ku piktura origjinale e Paja Jovanoviqit  është serbizuar, nën maskën e retushimit. Po të vendosen të dyja pikturat përballë shihet se retushuesit e kanë serbizuar tablonë duke hequr shumë nga kësulat e shqiptarëve, madje edhe uniformat e ushtarëve austriakë dalin të jenë retushuara në uniforma të kozakëve e ushtarëve sllavë.

Janë të shumta përpjekjet e studiuesve e gazetarëve serbë, për ta mohuar përkatësinë e motiveve shqiptare të Paja Jovanoviqit me arsyetim se veshja me tirq, kapelë të bardhë, shokë, xhurdi, armë e opinga paska qenë veshje ballkanike me elemente vllahe, shqiptare e greke. Realisht edhe mund të ketë pasur një përzierje të disa elementeve të veshjeve, por veshja tradicionale e shqiptarëve është evidentuar qysh në mesjetën e hershme dhe si e tillë ajo u ka shërbyer model veshjeve të popujve të Ballkanit e më gjerë. Tirqit me material të leshit të përpunuar i njohur si zhgun, pastaj të qëndisura me gajtanë kontrasti, tirq të bardhë e gajtanë të zi, apo tirq galana me gajtanë ngjyrë kafe, kapela e bardhë, ( plisi) shalli mbi kapelë, shoka e kuqe,  kanë mbijetuar deri në ditët tona në të gjitha viset shqiptare sidomos të Shqipërisë së mesme veriore e verilindore.

 

Paja Jovanoviqi, nëse gjykojmë sipas krijimtarisë së tij  nuk duket të ketë qenë fare i rënduar me shovinizëm, as duket të ketë qenë ndonjë urrejtës i shqiptarëve si shumë e shumë bashkatdhetarë të tij. Ai thjesht ishte një artist  i madh, për mendimin tim piktori më i madh dhe më i njohur i Ballkanit, i kohës, i cili në tablotë e tij më shumë se asnjë piktor tjetër paraqiti dhe bëri të pavdekshëm koloritin ballkanik, me tablo e motive shumë të pasura të të gjithë popujve të Ballkanit, edhe pse duhet pranuar hapur se motivet e tij më të preferuara kanë qenë motivet shqiptare, veshja, doket, Besa, Besëprerja, ndëshkimi i tradhtisë, karakteri luftarak i shqiptarit, shpirti i sakrificës e të tjera. Të gjitha këto elemente i gjejmë të pasqyruara në tablotë e pikturat e tij, ashtu sikur gjenden edhe sa e sa motive nga historia serbe, nga mitologjia serbe, por edhe nga ajo malazeze, hercegovase etj.

Janë shumë të njohura tablotë nga historia e Serbisë si: Kurorëzimi i Dushanit, Mihailo Pupin,  Stefan Deçani, Mbreti Millutin, Aleksander Karagjorgjeviq,  Josip Broz Tito, etj.

 

Pa pikturat e tablotë artistike të këtij piktori të madh, perceptimi dhe imagjinata jonë për ta pasqyruar të kaluarën do të kishte qenë edhe më e varfër sesa është. Brushat dhe ngjyrat e piktorëve asokohe kanë qenë ashtu si aparati fotografik apo kamera e sotme. Pa veprat e tyre nuk do të mund të ktheheshim lehtë në pasqyrimin artistik e realist të kohëve të kaluara.

 

Ahmet Qeriqi

Shkurt 2015


Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …