leoni

Pajtim Ahmet Roci (5.2.1980 - 7.8.2001)

Pajtim Ahmet Roci (5.2.1980 – 7.8.2001)

Kushtrimit të Atdheut për të mbrojtur vëllezërit shqiptarë të okupuar nga regjimet sllave antishqiptare, iu përgjigjen edhe qindra bij e bija, si dhe disa oficerë atdhetarë të mirënjohur nga Shqipëria administrive.
Duke luftuar kundër forcave okupatore sllave, kanë rënë dëshmorë: oficeri i mirënjohur, Tahir Sinani, komandant në tri luftërat tona çlirimtare, pastaj Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli nga Kuçova e Beratit, Arian Brahimi nga Shkodra, Halit Coka nga Hasi, Skerdilajd Llagami nga Tirana, Lefter dhe Ndriçim Koxha nga Çermenika e Librazhdit e shumë të tjerë. Në radhën e luftëtarëve të dalluar, të cilët kanë dhënë jetën për çlirimin e viseve të Kosovës Lindore dhe të trojeve shqiptare të Iliridës, radhitet edhe Pajtim Ahmet Roci.

Pajtim Ahmet Roci, i lindur më 2 shkurt të vitit 1980 në Krumë të Hasit (Kukës), është një ndër gjashtë dëshmorët e rënë në lagjen Gazi Babë të Shkupit, më 7 gusht 2001, në kurthin e ngritur nga bashkëpuntorët shqiptarë të armikut. Pajtimi, i biri Ahmetit dhe Gjylës, 12 vitet e para të jetës së tij i kaloi në Krumë, ndërsa në janar të vitit 1993 familja e tij shpërngulet në Valias, pranë qytezës së Kamzës (Tiranë), ku Pajtimi vijoi edhe shkollën e mesme. Por, nisur nga kushtet e rënda ekonomike që përjetoi populli shqiptar me futjen e pluralizmit politik, e cila u shoqërua me një çorientim total ekonomik e institucional të shtetit, Pajtimi emigon në moshën 17 vjeç në Greqi. Prej andej ai i ndiqte me vëmëndje ngjarjet në Kosovë. Kur mësoi se pasi përfundoi lufta në Kosovë, ajo shpërtheu në Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), ai u kthye pranë familjes në Tiranë. Pas një diskutimi të gjatë me prindërit, ai më në fund mori lejen të shkonte e të luftonte në Preshevë. Kështu, në fund të vitit 2000 ai u rreshtua në formacionet e Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, në zonën e parë të saj, në Dobrosin. Dihet se menjëherë, pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndalimin e luftës në Kosovën Lindore, shpërtheu lufta e shqiptarëve në Maqedoni. Dhe, Pajtimi, porsa u kthye nga lufta shkoi në luftë.
Atij i ndodhi ashtu sikundër e thotë në poezi Kadareja: “Nga lufta vijmë, në luftra shkojmë / Në zjarr e tym na shkoi kjo jetë / Gjithmonë drejt luftrave shtegtojmë / Siç shtegtojnë drejt dimrit retë / Dhe tjetër fat s’kërkojmë ne”, njësoj sikundër u kishte ndodhur më parë bashkatdhetarëve të tij Tahir Sinani, Genci Sefa, Petrit Mënaj, Dritan Goxhaj, Bardhyl Tahiri e shumë e shumë të tjerëve. Se si ndodhi më tej me Pajtim Rocin le të citojmë të plotë deklaratën e shefit për mobilizim për Batalionin e Pestë të Br 114 të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, Remzi Emini: “Më datën 8. 6. 2001, Batalioni i Pestë i UÇK-së, që vepronte në kuadër të Brigadës 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, e shpalli zonë të lirë Haraçinën me rrethinë. Ndërkohë që luftimet me forcat e ushtrisë dhe policisë maqedonase vazhdonin, të cilat filluan në datat 16 dhe 17 qershor 2001, qenë aq të ashpra sa zgjatën deri më 24 qershor. Në këto luftime merr pjesë edhe njësia speciale e komanduar nga komandant Teli”.
Bazuar në forcat pjesëmarrëse të armikut, armatimi i tij dhe kohëzgjatja, atë luftim mund ta quajmë pa dro betejë. Heroizmi i Telit, Ndriçimit dhe i Pajtimit në atë luftim mori dhenë. Më pak se tridhjetë luftëtarë të UÇK-së luftuan me një batalion këmbësorie të mekanizuar e të blinduar të ushtrisë së Maqedonisë. Aty u vërtetua, si në asnjë rast tjetër, thënia e Napoleon Bonopartit, se shtatëdhjetë përqind e fitores në luftë varet nga morali. Ushtria maqedonase jo vetëm që u step nga kundërsulmi i trimave shqiptarë, por ajo u detyrua të lërë me vrap fushën e betejës, pasi iu asgjësuan 16 tanke e autoblinda, 27 automjete të ndryshme ushtarake, me dhjetëra të vrarë dhe iu kapën robër gati 200 ushtarë. Të tjerët ikën nga sytë këmbët. Në krye të sulmit ishin komandanti i njësitit luftarak të UÇK-së, Lefter Koxhaj, si dhe Ndriçim Koxha e Pajtim Roci, duke sulmuar në ballë të njësitit me topa dore. Të nesërmen e asaj beteje, ministri i mbrojtjes i Maqedonisë doli në foltoren e Parlamentit maqedon dhe deklaroi se UÇK-ja ishte më e fortë se ushtria e shtetit maqedon. Kjo deklaratë e dhënë në media ua nxiti edhe më shumë guximin dhe fantazinë luftëtarëve vullnetarë.
Më tej Remzi Emini vazhdon: “Ata treguan rezultate dhe strategji të jashtëzakonshme në luftë kundër armikut. Më 25 qershor u pranua Marrëveshja e Përkohëshme për Armëpushim, kështu që ne bëmë tërheqjen e forcave nga Haraçina, duke u vendosur në fshatin Nikushtak të Kumanovës. Më 21 korrik, me urdhër të Shtabit të Përgjithëshëm, duke parë shtimin e radhëve të UÇK-së, u formua Brigada 114 “Fadil Nimani – Tigri”. Në kuadër të kësaj brigade vepronte edhe njësia speciale “Teli”. Komandant Teli merr urdhër nga shtabi i Brigadës 114 për të hyrë në Shkup (me një detyrë tepër të veçantë, D. G.).
Komandant Teli nga Nishova e Beratit zgjedh disa luftëtarë të kësaj njësie, duke formuar një skuadër speciale të kryesuar prej vetë atij, të cilët ishin: Ndriçim Koxha nga Librazhdi, Pajtim Roci nga Kruma, Arben Bajrami nga Shkupi, Abas Beqiri nga Haraçina, dhe Adem Hasani nga Hasan Beg i Shkupit. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 7. 8. 2001, në lagjen Gazi Babë të Shkupit, këta trima u vranë në pabesi nga dora e zezë e armikut. Rënia e tyre ishte dhimbje të madhe për të gjithë ata që i njohën si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”.
Ndërsa bashkluftëtari i tij, poeti Petrit Mënaj e përjetëson Pajtimin në poezi:

Pranë vëllezërve ishe
Pranë mbete përgjithmonë
Pajtim Roci
Urrejtje për shtypjen kishe
Ndaj dhe re dëshmor
Por liria për jetë të kujton.

Trupat e dëshmorëve të rënë i mori policia maqedoni, (ajo që bëri vrasjen), dhe i çoi në morgun e spitalit të Shkupit për t’i identifikuar, por edhe për të parë shkallën e interesimit nga autoritetet politike shqiptare në Maqedoni dhe ato të UÇK-së, interesim që vlen për të dëshiruar.
Disa muaj më vonë, ashtu si u veprua edhe me trupin e Komandant Telit dhe të Ndriçimit, familja e Pajtim Rocit mundi ta marrë më në fund dhe ta prehte trupin e tij përjetësisht pranë familjes në Tiranë. Janë bërë dhe po bëhen përpjekje për t’u dhënë titullin Dëshmor i Atdheut nga institucionet përkatëse të shtetit shqiptar dhe shoqata “Vullnetari Lirisë”, por deri me nxjerrjen e vëllimit 9 të Feniksëve të lirisë, ende pa sukses. (D. G.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …