Pak orë pasi ia filluan punës, zyrtarët e KQZ-së u detyruan ta ndërpresin atë për shkak të shkak të kundërmimit nga hapja e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, verifikimi i të cilave kishte filluar qysh në mëngjes. Përveç ankesave për kundërmim, zyrtarët u ankuan edhe për kruarje të duarve dhe të fytyrës. Nëntë prej tyre kërkuan ndihmë në Qendrën Klinike Universitare. Në vendngjarje, për më shumë se tri orë, qëndruan njësitet policore e forenzika, të cilat u morën me ekzaminimin e hapësirës. Në afërsi të vendit ku janë të vendosura votat nga Serbia por edhe ato nga diaspora, ishin edhe zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, por të cilët nuk dhanë shumë informata.
