Boletin-Londër –Vlorë, kjo është emblema e Isës tash e 100 vjet. Nuk kemi nevojë ta ngushtojmë këtë trekëndësh të bukur. Vlora ishte kurora më e lartë në jetën politike të Isa Begut. Isa ka nevojë për emblemën VLORA e PAVARËSISË, po aq sa ka Vlora nevojë për emblemën ISA BOLETINIKohëve të fundit, është ndezur një debat i shtruar rreth rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit. Debati kryesisht është i ndarë në dy grupe: në ata që mendojnë se eshtrat e Isës duhet të pushojnë përfundimisht në Kosovë (Boletin ose Prishtinë), dhe në ata që mendojnë se Vlora do të ishte vendprehja më e mirë për eshtrat e Isa Begut. Dy kampet, mund t’i kenë argumente e tyre të qëndrueshme: pro e kundër.
Personalisht, asnjërit grup, nuk mund t’ia mveshi ndonjë tendencë negative. Përkundrazi. Nga debati i gjertanishëm, shohim se secili në mënyrën e vet mundohet jo vetëm ta thotë, por edhe ta kërkojë më të mirën për eshtrat e burrit të pavarësisë, dhe trimin e shquar të kombit tonë.
Duke i shikuar e analizuar rrethanat politike, nga viti 1980 e këtej, fitojmë të drejtën të besojmë kujdesshëm në një rrjedhë politike të favorshme për ne. Edhe pse në teoritë futuriste nuk mund të besohet 100%, historia e këtyre tridhjetë e pesë viteve na ofron fakte – e ato na nxisin të mendojmë se edhe të ardhmen mund ta projektojmë duke e bazuar në trendin e kësaj ecjeje politike.
Eshtrat e Isës dhe prehja e tyre në përjetësi, na vijnë pikërisht në këtë kohë kur Isa edhe një herë i duhet kombit. Ose, thënë me gjuhë tjetër “Isa Begu duhet edhe nji her me shkue n’Vlonë.”
Ka kohë që jam deklaruar se eshtrat e Isës do duhej të pushonin në Vlorë. Sepse Vlora dhe Isa Boletini tanimë janë sinonime politike e historike. Mendja politike ma thotë: Shqipërisë së Isa Boletinit i duhen eshtrat e Isës në Vlorë, së paku edhe nja dy-tri dekada. Nuk dëshiroj të jam aspak patetik, mirëpo në këtë rast s’ ke si mos të jesh, andaj them: Isa ende ka punë me tërë Shqipërinë e Tij.
Eshtrat e Isës, mendoj se nuk do të gjenin edhe aq prehje, as në Boletin e as në Prishtinë, pa u kryer projekti i Tij politik. Isa është ende në shtegtim – në shtegtim paqësor.
Eshtrat e Isës nuk janë armë. Janë simbolikë e harmonisë dhe dashurisë kombëtare. Brezat që po vijnë, kanë nevojë për motivin e bashkimit paqësor – me dashuri. E eshtrat e Isës, sjellin dashuri në Vlorë. Të gjitha viset e Shqipërisë, do të shkojnë për t’u përkulur para atyre eshtrave. Të gjithë do të njoftohen me të gjithë. Do lindin dashuri të reja, martesa e fëmijë. Po, sepse tani Isa është veç dashuri. Andaj, pse duhet ta ngushtojmë hapësirën e dashurisë?! S’ka gjë ma lezet se të na bashkojnë fëmijët, nipërit e mbesat, pa pushkë e pa gjak – veç me dashuri.
Aq më mirë, kur këtij bashkimi i paraprijnë edhe shtetet tona, duke mënjanuar gradualisht ligje dhe formalitete që mund ta vështirësojnë komunikimin e lirë: andej e këndej.
Bashkimi me dashuri e mënjanon nacionalizmin klasik. Bashkimi i kombit, si proces njohjeje, komunikimi, afrimi dhe dashurie, është parakusht themeltar që garanton një bashkim pa trysninë e “bosëve” të bashkimit kombëtar. Sot, askush dhe asgjë më mirë se eshtrat e Isa Boletinit nuk ndihmojnë në procesin e njohjes dhe të dashurisë reciproke për të gjitha viset shqiptare.
Duhet t’i lusim familjarët e Isa Boletinit; t’i lusim me përvujtni, që edhe një herë t’ia mundësojnë Isës së tyre shtegtimin e paqes e të bashkimit kombëtar. Edhe një herë, duhet të ecin ato eshtra mu atyre udhëve kah ecte Ai i gjallë – drejt ëndrrës së tij.
Boletin-Londër –Vlorë, kjo është emblema e Isës tash e 100 vjet. Nuk kemi nevojë ta ngushtojmë këtë trekëndësh të bukur. Vlora ishte kurora më e lartë në jetën politike të Isa Begut. Isa ka nevojë për emblemën VLORA e PAVARËSISË, po aq sa ka Vlora nevojë për emblemën ISA BOLETINI. Le të pushojnë në gji të njëri-tjetrit!