Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, sugjeroi se është koha për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rikujtoi mesazhin e kryetarit amerikan Donald Trump se negociatorët duhet të shfrytëzojnë “mundësinë historike” për të arritur atë.Ai u bëri thirrje të dyja palëve që të shmangin hapat që e bëjnë kompromisin të vështirë. Po ashtu Palmer theksoi se SHBA-ja nuk është pjesë e negociatave, por ajo mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, për normalizimin e marrëdhënieve thelbësore për aspiratat e tyre evropiane. Palmer përsëriti se Shtetet e Bashkuara i shohin Serbinë dhe Kosovën si dy shtete sovrane që kanë nevojë për të marrë vendime në interesin e tyre më të mirë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se interesat e Kosovës dhe Serbisë do të arrihen më së miri përmes një marrëveshje dypalëshe që do të çonte në një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke.
