Politologu bullgar, Anton Pançev ka deklaruar se është e pakuptimtë që Kosova të negociojë ndarjen e vet. Në një intervistë për KosovaPress, Panchev ka shprehur bindjen e tij të plotë se dialogu është e vetmja mënyrë për të gjetur zgjidhje, ndonëse thekson se duhet pasur shumë kujdes. Ai tërheq vërejtjen që pala kosovare të vendosë vija të kuqe për Serbinë, në mënyrë që të mos kontestojë sovranitetin dhe territorialitetin e vet.
“Unë besoj se vetëm me dialog mund të zgjidhen problemet e ndryshme, edhe në këtë rast, por Serbisë duhet t’i vihen disa vija të kuqe të cilat duhet të respektohen nga negociuesit serb. Këtu është e nevojshme edhe ndihma e ndërmjetësuesit. Sipas meje, gjithcka është e qartë, me këto negociata, Republika e Kosovës duhet të mbrojë sovranitetin, pavarësinë, rendin kushtetues të vendit dhe duhet të bëjë përpjekje për mbrojtjen e shqiptarëve në Luginë. Jam në dijeni se është shumë e vështirë të bëhet kjo gjë, por Republika e Kosovës i ka aleatët e vet. Serbia ka probleme të ndryshme me fqinjët e vet si Bullgarinë, Hungarinë, Kroacinë, madje edhe me Rumaninë, pra, Prishtina, Kosova nuk është e vetme në këtë proces, por nuk duhet të ketë asnjë lëkundje në këtë drejtim. Kosova nuk duhet të negociojë tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj”, ka thënë ai.