Deputeti socialist, Pandeli Majko duke folur për marrëveshjen PS-PD thekson se bashkëqeverisja nuk është për më shumë se 35 ditë. “Marrëveshja e ka udhëkryqin “të gjitha ose asgjë”, shkruan Majko duke shtuar se marrëveshja fë në diskutim fate politikanësh por jo të ardhmen e Shqipërisë.
“Marrëveshje perfekte në politikë nuk ka. E tillë është edhe marrëveshja midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kush diskuton se kush fitoi dhe kush humbi nga marrëveshja midis PS dhe PD kërkon që ta keqinterpretojë atë. Eshtë jashtë cdo diskutimi që marrëveshja të prodhojë një fragment bashkëqeverisjeje… për dicka mbi 35 ditë. Partia Demokratike duhet të gjejë shpejt “teknikët” që mori në tavolinë. Ajo ,gjithashtu, duhet të numërojë ditët për fushatën elektorale deri në 25 qershor. Marrëveshja e ka udhëkryqin “të gjitha ose asgjë”.
– Edi Rama njihet për veprimet e gabuara për qëllimin e duhur. “Pikturat” e tij në politikë kanë kuptim kur shikohen në fund dhe jo në fillim. Fillimi duket zhgarravinë!…
– Marrëveshja Rama – Basha ishte një mirëkuptim midis kundërshtarësh për funksionimin e sistemit politik i cili po vetëmbytej nga pasioni politik. Ajo largoi vendin nga dhuna dhe dëshpërimi që do të conte shoqërinë në drejtim të paditur. Kjo marrëveshje nuk diskuton simpatitë por interesat. Ajo nuk sfidon bashkëpunimin e së majtës por papërgjegjshmërinë në politikë.
– Marrëveshja e futi në kutinë e votimit “revolucionin opozitar”. Aty do të ndahet se kush fitoi dhe humbi. Marrëveshja përkufizoi konfliktin politik në vend si derë të hapur të bashkëpunimit. E natyrshme në panatyrshmërinë e vet ajo fton votuesit në 25 qershor të votojnë përmbajtjen dhe jo formën në politikë. Marrëveshja vë në diskutim fate politikanësh por jo të ardhmen e Shqipërisë. Sigurisht!”. (Top Channel)