Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk i ka certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të gjashtë subjekteve politike, në mesin e tyre edhe listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. Në mbledhjen e KQZ-së, u bë e ditur se këto lista nuk certifikohen për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve që në listat sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit. Pas moscertifikimit, këto gjashtë subjekte politike kanë dorëzuar tetë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por që deri tani ende nuk është marrë ndonjë vendim për to. Kështu ka bërë të ditur, kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa . Ndërkohë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë theksuar se do të presin vendimin e PZAP-it, për veprime të mëtutjeshme. “Pas paraqitjes së ankesave të mundshme PZAP ka afat prej 72 orësh për të vendosur lidhur me ankesat të cilat paraqiten dhe sigurisht se ne si KQZ do të presim për vendimmarrjen e këtij institucioni” kishte thënë ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Kontrolloni gjithashtu
BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”
Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …