Papa Kristo Negovani, martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë (1875-1905)

PAPA KRISTO NEGOVANI (1875 – 1905)

„ Ai popull që nuk e gëzon lirinë, nuk e gëzon as jetën!“…

Klerik dhe krijues i denjë, atdhetar i admiruar, përparimtar i kohës, mbrojtës i gjuhës së bukur shqipe, emër i paharruar në historinë shqiptare. Papa Kristo Negovani me veprimtarinë e vet patriotike la gjurmë prej krijuesi dhe intelektuali të mirëfilltë. Ndërkaq në nivelin e tij kulturor e letrar, Negovani me tërë qenien e vet kontribuoi për ngritjen dhe përhapjen e shkrimit shqip në tërë hapësirat shqiptare. Ai la pas veti pasurinë më të çmuar të jetës së tij, krijimet letrare të përmbledhur në katër vepra, dhe pa dyshim qëndrimin e tij prej një atdhetari të devotshëm.

Papa Kristo u lind në fshatin Negovan, në vitin 1875. Familja e tij, qysh atë kohë ishte e mëkëmbur dhe e ngritur, prandaj kishte mundësitë që të shkollonte e ngritët bijtë e saj në mënyrë që nesër ata të ishin të armatosur me dituri për t’i dalë atdheut zot. Kristo, qysh si fëmijë tregoi aftësitë dhe shkathtësitë e tij për të zënë dituri dhe kulturë, ishte nxënës i zellshëm dhe shumë i zgjuar. Kjo edhe e ndihmoi Kriston që më lehtësi të mbaroi shkollimin përkatës, ku më vonë filloi punë në shërbim të kishës. Papa Kristo nuk u kufizua vetëm me shërbesat e Kishës, ai hapëroi më larg nga të tjerët, duke e kuptuar më se çartë se vetëm çlirimi i plotë i atdheut do t’i shpaguaj të gjitha, madje edhe shërbimet fetare do të kanë lirinë e tyre më të plotë e cila do të kontribuojnë në shërbim të edukimit të popullatës.

 Papa Kristo, zotëronte disa gjuhë të huaja si: Greqishten e re dhe të vjetër, Latinishten, Italishten si dhe Frëngjishten. Papa Kristo, në saje të këtyre aftësive që kishte mbi gjuhët e huaja, shfrytëzoi mundësitë që të njihet me literaturën përparimtare të kohës, duke forcuar kështu edhe më shumë përcaktimin e tij- liria mbi të gjitha, me idenë se: “ Ai popull që nuk e gëzon lirinë, nuk e gëzon as jetën!”…

Papa Kristo, me tërë qenien e tij iu përkushtua çështjes kombëtare duke i kundërshtuar e luftuar hapur synimet shkombëtarizuese të Kishës dhe qarqeve shoviniste Greke. Jo pak herë Kisha Greke, yshtur nga shovinizmi shekullor kundër gjuhës shqip, kishte anatemuar dhe luftuar me çdo kusht gjuhën dhe shkronjat shqipe, duke e quajtur atë si “gjuhë djalli dhe të mallkuar!”… Tempulli i “shenjtë grek”, duke rrëshqitur nga shenjtëria, me tërë urrejtjen e vet patologjike kundër shqiptarëve nuk u ndal vetëm me kaq, duke u treguar i gatshëm që të asgjësoi edhe fizikisht të gjithë ata që do të përhapnin gjuhën shqipe!

Mbi bazën e kësaj urrejtje, Kisha Greke vrau në mënyrën më të ulët e më mizore: Dhaskal Todhrin, Petro Nino Luarasin, Papa Kristo Negovanin e të tjerë. Fatkeqësisht, qëndrimi i shtetit Grek, karshi shqiptarëve edhe sot ushqen dhe ysht pasione të të njëjtit nivel, kryesisht mbi baza urrejtjeje! Negovani, duke e vërejtur për ditë e më shumë disponimin antishqiptar të klerikëve dhe të çarqeve shoviniste greke, u thellua edhe më në shërbim të çështjes kombëtare. Ai përhapi pa pushim idenë e bashkimit të të gjitha forcave patriotike të kohës në luftë kundër lakmive të shteteve fqinje.

Veprat që Negovani i la të shkruara, janë kryesisht të shkruara në vargje lirike, krijime didaskalike për fëmijë etj. Veprat e tij janë:

– “Vjersha shkresëtorje”, që u botua me 1899,

–  “Prishja e Hormovës” botuar me 1904,

– “I drunjti kryq” botuar me 1905 dhe “

– “I vogli Donat Argjendi”, që u botua pas vdekjes së tij me 1908.

Veç kësaj, Negovani përshtati edhe disa fabula të La Fontenit me qëllim të pasurimit të letrave tona shqipe etj. Papa Kristo Negovani, para së gjithash si preokupim i tij ishte dhe mbeti qëllimi i ngritjes dhe përhapjes së shkollës shqipe, forcimin e bazës së saj e cila do të përmbushte nevojat e një gjuhe standarde për kohën kur ai jetoi. Në fakt, roli i tij në lëvrimin e gjuhës shqipe, në qasjen e tij të guximshme, pa varësisht pasojave, në idetë e tija për bashkimin e forcave reale për të mbijetuar gjuha, tradita dhe kultura jonë, flasin shumë, flasin për një kokë intelektuale të kohës, për një kokë të guximshme me përmasa të shndritshme patriotike, që ishte i gatshëm të paguaj koston e lirisë së fjalës, gjuhës, kulturës dhe lirisë sonë kombëtare edhe me çmimin e jetës, dhe këtë e pagoi i madhi Negovani!

 Ai nuk u luhat, dhe nuk ndali për as një çast veprimtarin e vet intelektuale dhe kombëtare, ai nuk u nënshtrua as para kërcënimeve të hapura dhe shantazheve të vazhdueshme që i bëheshin nga klerikët shovinist e gjakatarë të kishës greke të cilët provuan që Negovanin ta frikojnë me qëllim që ai të heq dorë nga veprimtaria kombëtare. Provuan që ta blejnë më flori, as kjo nuk e ktheu mbrapsht nga rruga e tij Negovanin e madh, dhe krejt në fund vendosën ta likuidojnë në mënyrën më barbare e të çmendur nga verbëria shoviniste! Andartët shovinistë Grek, vranë Papa Kristo Negovanin, dhe të vëllamë e tij duke i masakruar barbarisht me hanxharë e bajoneta, duke ia prerë jetën në mes, atëherë kur ai kishte vetëm 30 pranvera, pikërisht më 12 shkurt 1905!…

Por, pranverat e diturisë dhe të gjuhës sonë të bukur shqipe, së cilës i priu Negovani, u mishëruan me shpërthimin e tyre në njëmijë ngjyra që nuk do të vdesin kurrë, ato do të jetojnë gjatë së bashku me kujtimin e martirëve tanë, përhapës të flakës së diturisë, të kulturës dhe të emancipimit kombëtarë e njerëzor, në mesin e të cilëve në qiellin shqiptarë fluturon hapësirave të përjetësisë edhe emri i madh i Papa Kristo Negovanit- përhapës dhe mbrojtës i diturisë dhe gjuhës sonë të bukur shqipe! Me bijtë e tillë siç ishte Negovani, populli shqiptarë është nderua gjithmonë e jetë!

 

CH-12 shkurt 2023

Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …