Papa Kristo Negovani, martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë (1875-1905)

Papa Kristo Negovani, martiri i gjuhës shqipe dhe i lirisë së Shqipërisë (1875-1905)

Në mesin e martirëve të gjuhës shqipe dhe të çlirimit të Shqipërisë, një vend meritor zë edhe mësuesi e prifti shqiptar, Papa Kristo Negovani, i cili tërë aktivitetin e tij intelektual e atdhetar e kishte derdhur në dobi të rizgjimit të shqiptarëve, në shkrim-këndimin e gjuhës shqipe dhe përhapjen e diturisë  laike por edhe fetare. Për shkak të aktivitetit të tij iluminist në përhapjen e dijes dhe diturisë në gjuhën shqipe, Papa Kristo Negovanin e masakruan andartë grekë, të cilët prore kanë pretenduar dhe pretendojnë se të gjithë të krishterët ortodoksë kanë qenë dhe janë grekë. Kjo ksenofobi dhe urrejtje e çmendur fashiste ka gjetur terren në Shqipërinë e dy decenieve të fundit, ku forcat nacionaliste e fashiste greke kanë shprehur dhe po shprehin haptas synimet për greqizmin e Shqipërisë së jugut. Ata kanë uzurpuar kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, mbajnë nën kontroll po thuajse të gjitha kishat e manastiret, kanë ngitur obelisqe e memoriale gjigante për grekët që masakruan shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë shpallur Himarën si Zonë të Greqisë dhe krejt haptas po synojnë krijimin e një shteti të ri grek të Epirit të Veriut.

Papa Kristo u lind në fshatin Negovan afër Follorinës, një trevë shqiptare  në Greqinë veriore, një fshat që, bashkë me Bellkamenin fqinjë, kishte qenë banuar në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë të Plikatit të krahinës së Kolonjës. Shkollën e bëri në Athinë, ku e dërgoi i ati Harallamb Çali, që ishte tregtar. Shkrimtar dhe klerik patriot. Luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të kishës e të qarqeve shoviniste të borgjezisë greke. Propagandoi idenë e bashkimit të forcave patriotike në luftën kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinje. Vdiq i masakruar barbarisht nga andartët grekë.

Vdekja e të atit, të cilin e vranë banditët grekë më 1891, e shtrëngoi Kristo Negovanin të braktisë studimet e të punojë si mësues në një shkollë fillore greke, në Leskovik, me qëllim  për të mbajtur familjen. Më 1894 emigroi në Braila të Rumanisë ku punoi tre vjet si zdrukthëtar. Po këtu ra në kontakt me lëvizjen kombëtare dhe mësoi të shkruajë shqip, me alfabetin e Stambollit. Më 1897 u kthye në fshatin e lindjes, u shugurua prift dhe vazhdoi punën si mësues. Shtëpinë e vet Negovani e ktheu në shkollë dhe u mësoi shkrim e këndim shqip mbi njëqind fëmijëve e të rriturve. Ai edhe meshën e mbante shqip, gjë që nuk i pëlqeu aspak hierarkisë ortodokse greke.

Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar kendon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”. Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre i errët sterrë, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin si dhe katër veprimtarë të tjerë, veprimtarë  të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarit Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Të njëjtin fat patën edhe të tjerët… Të mbuluar nga gjaku e të shqyer, këta dëshmorë të gjuhës sonë u lanë të dergjen mbi kodër, për t’u treguar të tjerëve se ky është fundi që andartët grekë u përgatitin punëtorëve të gjuhës shqipe. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që na tregon historia. Petro Nini Luarasi, Papa Llambro Ballamaçi, Spiro Kosturi e shumë të tjerë janë dëshmorët e rënë martirë nga andartët grekë dhe veglat e tyre.

Kjo vrasje tinëzare dhe barbare zgjoi me të drejtë mllefin e luftëtarëve të lirisë së Shqipërisë, të cilët u zotuan se do t’ia marrin hakun mësuesit e priftit të devotshëm Papa Kristo Negovani. Për të qenë ironia dhe më cinike  Mitropolitia e Korçës vrasjen mizore të andartëve ua përshkruan komitëve shqiptarë. Në vit në pas martirizimit të Papa Kristos, vëllait të tij dhe pesë shqiptarëve të tjerë ortodoksë, atdhetari dhe luftëtari i lirisë, Bajo Topulli likuidoi djallin e Mitrpolitisë së Korçë, at Fotisin, i cili kishte çkrishëruar Papa Kriston dhe kishte yshtuar andartët grekë të masakronin atë.

Papa Kristo Negovani me të drejtë  quhet dëshmor i gjuhës dhe i çështjes shqiptare, mësuesi dhe letrari, i pari që futi meshën shqipe në kishë, atdhetari i njohur i një shekulli më parë. Ai vlerësohet për krijmtarinë letrare dhe për punën e tij të madhe në ndihme të atdheut. Pasi mbaroi shkollën në Athinë të Greqisë, ai u kthye në vendlindje dhe shërbeu si mësues i Negovanit dhe i Bellkamenit, dy vatra të qëndresës shqiptare kundër egërsisë së shovinistëve grekë të Megal-Idesë. Megjithëse ai e dinte që jeta e tij do të kishte një fund tragjik, qysh në moshë fare të re nuk u ndal por vazhdoi të ndiqte deri në fund punën që kishte nisur. Dy orë para se ta vrisnin, ai i shkruante një miku të tij në Rumani se tri herë e kishin gjykuar dhe orë e çast e kërcenonin për shkakun e gjuhes shqipe, por kujdesi i tij s’ishte aq të ruante veten sesa të përhapte shkrimet e tij dhe të forconte lëvizjen kombëtare shqiptare: “Merrni edhe këto vjersha. Ngutem t’i dërgoj sa kam shkruar se mos mbeten, ndëqoftëse ndërrojmë jetën, pas menyrës që u thashë”. Në krijmtarinë letrare të Negovanit përveç disa librave fetare, përfshihen edhe përmbledhja poetike “Vjershë shkresëtoreja”, poema “Prishja e Hormovës” novela “I vogëli Donat Argjëndi” etj. Në krijmtarinë poetike të tij më shumë vlerë kanë fabulat, përshtatje të lira nga Ezopi dhe La Fonteni. Me anë të tyre Negovani godet veset njerëzore, ushqen veti të mira tek bashkëatdhetarët, dhe bën përpjekje për ta vënë pendën në shërbim të lëvizjes patriotike. Tek fabulat e tij përfundimet morale dhe hollësitë e shtjellimit u përqasen fateve historike të popullit dhe nevojës për vigjilencë, bashkim dhe solidaritet.

Duke folur për Negovanin sot, gazetari i mirënjohur i Top Channelit, Marin Mema shkruan: Një histori e harruar, me simbole të shkatërruara, figura kombëtare të braktisura, monumente të shpërfytyruara si refreni ku shteti shqiptar po mbështet themelet e tij të vjetra e të reja. Politika vasale me fqinjë që shtrinë e tërheqin këmbët sipas dëshirës, me varreza ushtarësh, kisha ilegale e eshtra të grabitura.

Kjo është korniza e deformuar mbi të cilën po ngjyroset ekzistenca shqiptare. Fqinjët kërkojnë historinë e tyre në tokën tone, ndërkohë që autoritetet shqiptare gjithmonë kanë hezituar të mbledhin copëzat e saj të mbetura jashtë kufinjëve zyrtarë…

Ne dalje te fshatit Negovan ndodhen varrezat. Ndalemi, ne perpjekje per te gjetur gjurmen e fundit te Papa Kristo Negovanit, trupi i te cilit prehet ketu. Por eshte e kot, asgje nuk ka mbetur nga patrioti i madh. Edhe familja e mbeses rrefuzon te tregoje varrin e Papa Kristos. Shqiptaret ketu jane te detyruar te mohojne veten e tyre, te shkuaren, prejardhjen, si e vetmja menyre per te jetuar ne kete toke te blere nga paraardhesit e tyre diku rreth 1840.
Ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri ku nuk njihet asnjë lloj diskriminimi ndaj minoritetit grek, i cili megjithatë vazhdon të perdoret nga qarqe greke si pretekst per te justifikuar nacionalizimin ekstrem dhe kerkesat e vazhdueshme ekspnasioniste. Te bindur se kane ç’te fshehin, grekët kujdesen qe te krijojne edhe barriera per gazetaret shqiptare si kur shkojne ne tokat e Çamerise, ashtu edhe ne vise te tjera te banuara nga shqiptare.
Largohemi nga Negovani fshati ku shqiptaret kane frike te thone se jane te tille. Kane frike te thone se jane shqiptarë, pasardhes te Papa Kristo Negovanit, patriotit te madh qe sot nuk ka as emrin mbi varrin e tij.

Shqiptarja: Suplementi RILINDASI, 9 shkurt 2013, (Jeta dhe vepra e Papa Kristo Negovanit)

Në evokim të luftës për çlirim kombëtar me pushkë dhe penë, luftës për shkollën shqipe, përjetësimit të saj në libra, botime e shkrime, në rradhën e personaliteteve tona me përmasa kombëtare, padyshim që një vend nderi e respekti i takon figurës së shquar të shkrimtarit patriot e klerikut atdhetar, martirit të gjuhës shqipe Papa Kristo Negovani. Origjinar nga zona e Kolonjës, Kristoja është lindur në verën e vitit 1875 në fshatin shqiptar të Negovanit, toponim ky të cilin Harallambi, babai i Papa Kristos e përdori si mbiemrin e famijes së tij. Në atë kohë, Negovani numëronte rreth 300 familje shqiptare, të shpërngulura nga fshati Plikat i Ersekës në vitin 1861. Gjatë viteve 1888 deri më 1891 Kristoja vazhdoi shkollën e mesme në Athinë. Por në vitin 1891, shovinistët grekë me anë kusarësh i vranë të atin, Harallambin, për ndjenjat e tij patriotike, duke i rrëmbyer edhe kursimet monetare të familjes. Kristoja u detyrua të lerë mësimet që ndiqte në Athinë dhe u kthye pranë familjes, mes gjëmës që i shkaktoi dora gjakatare dhe filloi të punojë si mësues i thjeshtë i gjuhës greke në fshatin Leskovec, që ndodhej në atë zonë. Pas një viti, më 1893 e shohim mësues të greqishtes në fshatin Bellkamen. Por të ardhurat ekonomike ishin tepër të pakta. Kështu, Kristoja vendos që të shkojë në qytetin Braila të Rumanisë në vitin 1894, me qëllim që të mësonte profesionin e drugdhendësit. Në këtë ambjent të ri, ku ndihej atmosfera e shoqërive shqiptare me karakter patriotik, Kristoja përqafoi idetë patriotike, u bë pjesë e shoqërisë së atjeshme të shqiptarëve “Shpresa” dhe u angazhua në veprimtaritë e saj. Duke studiuar me vëmendje zhvillimet aktuale politiko-shoqërore të kohës, u mendua që në propagandimin e gjuhës shqipe, një rol kryesor të luante edhe feja, përmes së cilës liturgjitë që deri atëhere mbaheshin në greqisht, të jepeshin në shqip. Me këtë detyrë të shenjtë dhe me mbrojtjen e Zotit, Kristoja kthehet në Negovan, ku u shugurua prift dhe filloi të lexojë ungjillin në shqip, të meshojë në gjuhën shqipe e të përhapë të shkruarit e shqipes. Viti 1897 shënon kthimin e tij në Negovan dhe vënien në jetë të detyrës patriotike. Njëkohësisht, për interesin patriotik të shqiptarëve dhe për mos rënien në sy të kishës greke, vazhdoi të punojë edhe si mësues i greqishtes. Gjatë kësaj kohe nuk kanë qenë të pakta orët kur Papa Kristoja jepte edhe mësimin e shqipes, në fëmijë e të rritur. Abetaret e gjuhës shqipe dhe librat e tjerë në shqip, të cilat ai i solli nga Rumania, i shpërndau në Negovan e Bellkamen, e deri në Follorinë e Kostur. Gjuha shqipe filloi të zinte rrënjë të shëndosha në këto zona falë punës së palodhur të Papa Kristos. Interesant është fakti që kleriku patriot në kthimin e tij nga Rumania, arriti të siguronte gërma latine me të cilat shtypeshin e botoheshin tekstet në shqip. Në mungesë të teksteve të shqipes, Papa Kristoja, në fletoret që përdornin nxënësit, shtypte dhe shumëfishonte mësimet. Kështu veproi ai edhe në përkthimin në shqip të pjesëve të Ungjillit, të cilat më pas i fliste në kishë.

Në aktivitetin e Papa Kristos për zhvillimin e shkollës dhe gjuhës shqipe shënohet edhe çelja e shkollës shqipe të natës në Negovan, ku numri i nxënësve nuk ishte më pak se 100.

Veprimtaria patriotike e patriotit shqiptar shqetësoi Mitropolitin e Kosturit, i cili në vitin 1899 e thirri në Kostur, ku pasi mohoi ekzistëncën e gjuhës shqipe, e kërcënoi klerikun atdhetar shqiptar se do e pushonte nga detyra e priftit dhe do e shkrishtëronte. Përgjigjja e shqiptarit Papa Kristo ishte: “Unë do të vazhdoj të punoj për gjuhën e nënës edhe nëse ju nuk do të më lejoni të jem prift. Do të vazhdoj të punoj për shkollën e gjuhën shqipe pasi ne jemi shqiptarë e jo grekë apo bullgarë.” Kjo është përplasja e parë me autoritetet e Mitropolisë greke, të cilat do të vazhdonin herë pas here deri sa hanxharët dhe sopatat do të realizonin pushimin e veprimtarisë patriotike të priftit shqiptar. Duke parë aktivitetin e tij në dobi të çështjes shqiptare, kundër Papa Kristos u vunë osmanët, qarqet shoviniste greke dhe Patrikana e Stambollit. Për t’i mbyllur gojën shqiptarit ata i prene fletë-arrestin Papa Kristos në nëntor të vitit 1904 në Manastir, ku kishte shkuar në hotel “Liria” për të marrë pjesë në një mbledhje me karakter patriotik. Pas burgosjes për dy muaj në burgjet e Janinës, Papa Kristo Negovani u kthye në fshatin e vet, ku vazhdoi rrugën e shenjtë që kishte nisur vite më parë.

Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar kendon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”. Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin si dhe katër veprimtarë të tjerë, punëtorë të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarin Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Të njëjtin fat patën edhe të tjerët… Të mbuluar nga gjaku e të shqyer, këta dëshmorë të gjuhës sonë u lanë të dergjen mbi kodër, për t’u treguar të tjerëve se ky është fundi që andartët grekë u përgatitin punëtorëve të gjuhës shqipe. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që na tregon historia. Petro Nini Luarasi, Papa Llambro Ballamaçi, Spiro Kosturi e shumë të tjerë janë dëshmorët e rënë martirë nga andartët grekë dhe veglat e tyre.

Gjëma e vrasjes së Papa Kristo Negovanit helmoi zemrat e shqiptarëve kudo nëpër kolonitë e tyre në botë. Nekrologji të shumta u botuan në shtypin shqiptar të kohës mbi këtë figurë të shquar të lëvizjeve për çlirim kombëtar. Në ndihmë të jetimëve të klerikut atdhetar, shumë organe shtypi të shqiptarëve çelën shtyllën e “Ndihmëtarëve në të holla për jetimët e Papakristos”, mbledhjen e fondeve për botimin e librave që ai kishte përgatitur si dhe të hollat për përgatitjen e varrit të dëshmorit kombëtar. Për këtë ngjarje të tmerrshme, patriotët e shprehën hidhërimin e tyre edhe me vjersha. Për këtë shkruan Mihal Grameno, nën pseudonimin “Guri i Cjapit”, poezinë “Mbi varr të dëshmorit Papakristo”; shkroi Petro Nini Luarasi, nën pseudonimin “Petro Raullasi”, poezinë “Vajtim për dëshmorët e Negovanit”; u dëgjua zëri i shqiptarëve të Italisë përmes elegjisë që botoi arbëreshi Zef Skiroi me titull “Vrasja e Negovanit”. Një nga krijimet e veçanta kushtuar kësaj ngjarjeje makabre i takon Loni Logorit. Në mars 1906 ai shkroi elegjinë “Papakriston e vranë”:

“Papakriston e vranë/ S’ra për të asnjë këmbanë/ Dhe malet e Shqipërisë/ Dhe shpellat e malësisë/ Thërresin an’ e mbanë/ Papakriston e vranë/ Merrni gjaknë, thirrnë pyet aty pranë/ Dhe malet buçitnë, merrni gjakën thanë”.

Numrin e saj të datës 14 shkurt 1905, gazeta “Drita” që botohej nga Shahin Kolonja në Sofje, u rrethua nga një shirit i zi, me titullin kryesor: “E madhe gjëmë”. Aty botohen tre kronika rreth vrasjes së Papa Kristos.

Papa Kristo Negovani në gjallje të vet arriti të botonte pesë libra në gjuhën shqipe. Pasqyra e plotë e librave të Papa Kristos, të cilat u botuan, për bëhet nga: “ Histori e Dhjatës së Vjetër”, Bukuresht 1899; “ Vjershë shkresëtoreja”, Sofje 1899; “ Hijejëtore istori”, Sofje 1903; “ Prishja e Hormovës”, Sofje 1903; “I vogli dhonat argjëndi”, Sofje 1904; “I drunjti kryq”, Sofje 1906; “Bënjatë të shënjtorëve dërgimtarë”, Sofje 1905; “Istori shkronja e Plikatit”, Selanik 1909; “Kryqi i margaritartë”, Korçë 1910.

Shumë shkrime të tjera të Papa Kristos janë botuar në shtypin e kohës, sidomos në numrat e përvitshëm të revistës “Kalendari Kombëtar”, gjithashtu edhe në organe të tjera shtypi. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij u dogj pas bastisjes që bënë andartët grekë në kohën kur kryen ekzekutimin e tij më 1905. Ndërsa shumë të tjera kanë humbur në Bukuresht dhe në Sofje, ku u dërguan për t’u botuar. Këto mungesa përbëjnë një boshllëk nën dritën e trajtimit të veprës laike ose jo të Papa Kristo Negovanit. Gjithashtu, sipas botimeve të kohës kuptojmë që ka përkthyer e përshtatur në shqip fabula nga La Fonteni dhe Ezopi, të cilat i ka ndërtuar në strukturën e dialogut me rimë.

Edhe pse i nderuar me titullin “Mësues i Popullit” figura e atdhetarit Papa Kristo Negovani sot përndiqet nga një heshtje e nënvlerësim, duke mos u përmendur emri i tij nëpër shkrime apo studime, duke mos iu kushtuar kësaj figure të shquar asnjë kronikë televizive apo në shtypin e shkruar apo vepër përkujtimore. Dhe si për ta çuar deri në fund këtë mëri të çuditshme ndaj tij, ende sot, në ish-fshatin Negovan, sot të greqizuar, eshtrat e martirit të gjuhës shqipe nuk kanë asnjë shenjë dalluese, përveç një kryqi të vjetër guri e të thyer, kryq i cili iu vendos varrit të tij që në vitin 1905. Asnjë shënim identifikues nuk ndodhet sot në vendin ku prehet Papa Kristoja ndërsa në shtëpinë e tij të rrafshuar, sot është vendosur si për injorim një kosh hedhurinash nga ana e komunës Flamuria, emri i sotëm i Negovanit. Një apel vjen nga të gjithë intelektualët e ditëve të sotme, të Korçës dhe Shqipërisë që eshtrat e dëshmorit të gjuhës shqipe Papa Kristo Negovani të vendosen në Shqipëri, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, pse jo në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Korçës, në parcelën e patriotëve të Rilindjes Kombëtare, vend ku kleriku patriot doemos që do të prehet i qetë pranë bashkëluftëtarëve të çështjes, së cilës ai i fali gjithçka, për Shqipërinë që luftoi dhe u përpoq aq shumë, deri në grahmat e fundit të jetës.

Literatura:

Historia e Shqipërisë,

Wikipidia,

Top Channel,

Shqiptarja.com

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …