Në Kosovë, ishte idealizuar dhe në masë idealizohet edhe sot Enver Hoxha. Në Kosovë janë kënduar e këndohen këngë për Enver Hoxhën. Lexohen veprat e tij, përkujtohet nëpër përvjetor të lindjes e të vdekjes. Në Shqipëri nuk janë të ndaluara me ligje këngët për Enverin, por të rrallë janë ata që i këndojnë.
Kujtimi, respekti dhe nderimi që i bëhet Enver Hoxhës, në Kosovë më shumë heshtur por edhe hapur, është shumë kuptimplotë dhe meriton një studim të thellë e të gjithanshëm, për ta paraqitur realitetin dhe për ta studiuar në sinkroni e diakroni.
Kësaj radhe do të mjaftohem me disa krahasime, të cilat hedhin dritë mbi një realitet jo sa duhet të studiuar.
Enver Hoxha, nderohet dhe respektohet në Kosovë.
Në Shqipëri anatemohet nga politikanët e majtë e të djathtë, por jo nga populli.
Politikanët në Kosovë prej vitit 1990 nuk e kanë anatemuar as e anatemojnë Enver Hoxhën.
Përderisa në Kosovë, Josip Broz Tito konsiderohet diktator dhe antishqiptar, në Shqipëri, duket se është temë tabu.
Josip Broz Tito dhe titistët duken të rehabilituar, në Shqipëri, edhe pse jo zyrtarisht.
Për dikë është simptomatik fakti se asnjë lider i Kosovës, prej Ibrahim Rugovës e deri në ditët tona nuk e ka sulmuar, fyer, përçmuar apo injoruar Enver Hoxhën, sikur bëjnë shumë liderë e liderucë në Shqipëri, në radhë të parë ata që i kanë shërbyer, për të mos thënë më shumë se qenqe, shumica syresh, nga të gjitha partitë, ato që quhen të djathta apo të majta, që nuk janë as parti të mirëfillta e të konsoliduara ideologjikisht.
Nuk gjendet ndonjë fjalim i Ibrahim Rugovës ku është diskredituar Enver Hoxha, asnjë fjalim i Fehmi Aganit, me sa di unë as i Isa Mustafës, përveç ndoshta ndonjë përmendjeje rasti. Nuk është fyer e përçmuar Enver Hoxha, nga Hashim Thaçi, as nga Kadri Veseli, jo se jo nga Jakup Krasniqi, as nga Ramush Haradinaj, por as nga Albin Kurti, deri tani as nga Vjosa Osmani e Glauk Konjufca. Por fyhet nga një ekzemplar i mjerë i një qenie si Donika Shvarc, e cila pas vrasjes së babait të saj nga UDB-ja jugosllave, në Gjermani në vitin 1982, ka jetuar në Shqipëri me krejt familjen, në gjendje më të mirë sociale sesa bijtë e bija e Enver Hoxhës e të Mehmet Shehut. Ky është paradoksi i vetëm i një mendjeje mjerane, që ha bukën e përmbys kupën.
Nuk është fyer ndonjëherë prijësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha nga liderët shqiptarë të Maqedonisë, Malit të Zi, as të Kosovës Lindore dhe kjo lë për të kuptuar diçka që është në radhë të parë, pjesë e moralit kombëtar, njerëzor dhe mbi politikën e ditës.
Paradoksalisht, liderët e sotëm të Shqipërisë, pas Ramiz Alisë, nuk fyejnë jo se jo, por as e kritikojnë Josip Broz Titon. Në mediet e Shqipërisë, përveç në raste të rralla nuk flitet për krimet e Titos, nuk përmenden masakrat, madje edhe Masakra e Tivarit, e vitit 1945, bëhet përpjekje t i përshkruhet Enver Hoxhës dhe kurrsesi, Josip Broz Titos. Nuk flitet për krimet masive në Monopolin e Duhanit në Tetovë, për krimet në Gjilan dhe në Kosovën Lindore, as për përgjakjen e shkatërrimin masiv të Drenicës, gjatë luftës së Shaban Polluzhës, në dimër të citit 1945. Nuk flitet as shkruhet për aksionin e grumbullimit të armëve vetëm të shqiptarëve në dimrin e viteve 1955-1956 në Kosovë. Nuk flitet, madje injorohet në tërësi Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, e cila nuk ishte formacion ballist, madje këtë e kishte përjashtuar në një kongres së saj, me një dekalog të veçantë.
Krejt kritika realiste e dokumentuar shkencërisht e historikisht e Partisë së Punës së Shqipërisë, kundër krimeve të titizmit, në Kosovë, Maqedoni, në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi është heshtur në Shqipërinë e vetëquajtur demokratike prej vitit 1991 e deri tani.
Nuk di kush e ka dëgjuar Sali Berishën duke folur për krimet e Titos, në trojet e pushtuara shqiptare, sidomos prej vitit 1944 e deri në vitin 1951, krime që numerikisht janë katër fish më shumë se ato të Millosheviqit, gjatë luftës së fundit në Kosovë, por nuk janë kryer në mënyrën e çmendurisë barbaroide të Milosheviqit.
Nuk kam dëgjuar asnjë fjalë të vetme ta ketë përmendur për të keq dhe për diktator Titon dhe titizmin, Fatos Nano, Aleksander Meksi, Rexhep Mejdani, Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha apo ndonjë tjetër. Dikush ndoshta me të drejtë konstaton se Tito i përket së kaluarës dhe politikanët aktualë të Shqipërisë, nuk kanë pse merren me te. Po edhe Enver Hoxha i përket së kaluarës, së cilës këta i kanë shërbyer më shumë sesa ka kërkuar partia, e sot shajnë e fyejnë, kë tjetër, pos vetëm trashëgiminë e tyre, vetveten e tyre, e fyejnë çmendurisht, çnjerëzisht, idiotisht, kë tjetër por babanë e tyre.
Në Tiranë ndodhet shtatorja e Ahmet Zogut, vrasësit më gjakatar në tërë historinë e Shqipërisë, vrasësit të Bajram Currit, kreut të vegjëlisë shqiptare, vrasësit të Hasan Prishtinës e Luigj Gurakuqit, të Avni Rrustemit e Elez Isufit dhe sa e sa të tjerëve.
Dikush thotë se vrau edhe Enveri. Por cilin personalitet me rëndësi kombëtare, të nivelit të këtyre që i përmendëm, e ka vrarë regjimi i Enverit?
A mund të konsiderohen të tillë Koxi Xoxe, Hamit Matjani, apo ndonjë bandit vrastar. Kishte edhe vrasje të padrejta, kjo nuk ka si mohohet, por jo nga elita kombëtare, jo të nivelit të Hasan Prishtinës e Luigj Gurakuqit. Janë faktet që flasin dhe jo dokrrat idiotike të Blendi Fevziut, Fatos Lubonjës, Gani Mehmetit, Baton Haxhiut e ndonjë tjetri nga “kotilla” e tillë.
Regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri, kishte nxjerrë vendin nga prapambetja shumëshekullore aziatike dhe e kishte kthyer në një kantier të madh pune për plot 45 vjet të qeverisjes së tij popullore, qeverisjen nën diktaturën e Proletariatit, një realitet i fuqishëm i kohës, kudo në botë, deri në fillimin e rënies të Bashkimit Sovjetik.
Shqipëria në kohën e Enverit kishte hapur pesëfish më shumë tokë pune, sesa kishte pasur më parë.
Kishte ndërtuar tërë infrastrukturën shtetërore në të gjitha segmentet e një jete urbane, kishte zhvilluar fshatin, kishte bonifikuar fushat, kishte ndërtuar me qindra spitale, kishte hapur shkolla në të gjitha qytetet e fshatrat e Shqipërisë, kishte elektrifikuar vendin, kishte ndërtuar hekurudha dhe rrugë automobilistike, kishte arritur të rregullonte vendstrehimet e sigurta për tërë popullatën urbane në rast të ndonjë lufte, kishte ndërtuar mbi të gjitha 150 mijë bunkerë, që ishin mburojë e sigurt kundër çdo përpjekjeje të pushtimit nga fqinjët. Kishte hapur universitete, fakultete, shkolla të larta, çerdhe, maternitete, shtëpi kulture në çdo fshat dhe në çdo lagje të qyteteve, kishte zhvilluar bujqësinë dhe kishte siguruar bukën në vend. Kishte zhvilluar turizmin në përgjithësi dhe atë bregdetar në veçantë, në radhë të parë për nevojat e popullit, por edhe të turizmit.
Me tërë klasën e vet qeverisëse kishte ngritur një Armatë të fortë popullore, mbrojtëse, e cila përballoi me sukses sulmet diversante nga Greqia e Jugosllavia, nga bandat e shumta që i rekrutonte dhe i fuste në Shqipëri nga ajri e toka, jo vetëm CIA por edhe shërbime të tjera e banda mercenarësh.
Kishte sfiduar Rusinë revizioniste të kohës së Hrushçovit, kishte nxjerrë jashtë forcat ruse, ishte larguar njëanshëm nga Traktati i Varshavës, në vitin 1968. nuk e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1974 për mos ndryshimin e kufijve, pasi kurrë nuk ishte pajtuar me copëtimin e trojeve shqiptare.
Asnjë prej këtyre dhe qindra fakteve e argumenteve të tjera nuk mund të mohohen, mund të injorohen nga mbetjet zogiste, fashiste, serbe e greke, por kjo nuk e ndryshon dot historinë.
Të arriturat kolosale nuk përmenden dot me një libër të tërë dhe krejt pak me një shkrim sado përmbledhës të jetë, sot në 37-vjetorin e ndarjes nga jeta, të prijësit të papërsëritshëm të Shqipërisë Socialiste, Enver Hoxha.
Ahmet Qeriqi
- 4. 2023
Prishtinë