Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten me shumicë dërrmuese dy raportet për procesin e aderimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE). Dy progres raportet vlerësojnë përparimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE, ndërsa Parlamenti Evropian i ka kërkuar Këshillit të nisë zyrtarisht negociatat e pranimit me këto dy vende, duke vënë në dukje kontekstin gjeostrategjik të marrëdhënieve me Rusinë dhe agresionin e saj ndaj Ukrainës. Eurodeputetët i kanë bërë thirrje BE-së të vlerësojë në mënyrë kritike implikimet historikisht të rëndësishme të sigurisë të një vendimi të tillë për stabilitetin dhe unitetin në kontinentin evropian dhe në Ballkanin Perëndimor. Duke sjellë tabelën e votimit, ku kanë votuar pro 519 deputetë nga 599 deputetë, raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos, ka thënë se është koha për të kaluar në negociata të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
