Parlamenti i Katalunjës shpalli të premten pavarësinë nga Spanja. Ligjvënësit kanë mbajtur votim të fshehtë, por pa pjesëmarrjen e opozitës. Në bazë të rezultatit, 70 deputetë votuan për, dhjetë kundër, ndërsa dy fletëvotime kanë qenë të pavlefshme. Senati i Spanjës, në anën tjetër, autorizoi qeverinë qendrore në Madrid të marrë menjëherë kontrollin direkt të Katalonjës. Senati votoi me 214 vota në favor të lejimit të Madridit për të marrë kontrollin e Katalonjës, për të shkarkuar liderin katalanas, Carles Puigdemont, dhe ministrat e tij. Dyzeteshtatë senatorë kanë qenë kundër. Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, bëri thirrje për qetësi dhe tha se sundimi i ligjit do të rikthehet në Katalonjë.
Këtë muaj, Katalonja ka mbajtur referendum për pavarësi, të cilin Madridi e ka shpallur jokushtetues. Asnjë vend nuk ka shprehur mbështetje për shkëputjen. Rajoy tha se kërkon masa të jashtëzakonshme, sepse nuk ka zgjidhje tjetër dhe se në Katalonjë duhet të kthehet “ligji, demokracia dhe stabiliteti”. Ai e akuzoi Qeverinë e Katalonjës për ndarje të familjeve dhe përçarje të shoqërisë. Departamenti amerikan i Shtetit tha se Katalonja është pjesë integrale e Spanjës dhe se Uashingtoni i mbështet masat e Qeverisë spanjolle për ta mbajtur Spanjën të bashkuar. Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, shkroi në Twitter se për bllokun “nuk ndryshon asgjë” pas deklaratës së Katalonjës për pavarësi. (RKL)