Në një raport të Auditorit të Brendshëm të Ministrisë së Bujqësisë, janë zbuluar parregullsi të ndryshme në tenderin për rinovimin e objektit ku ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Tenderi është kontraktuar nga Ministria e Bujqësisë me një konsorcium të përbërë nga kompanitë “Limit Project” dhe “Lurn”. Raporti tregon se ka pasur çmime të ndryshme për furnizim, transport dhe montim të dyerve të të njëjtit lloj, me dallime që arrijnë deri në 300 euro. Në disa raste, çmimi për dyer të ngjashme ka qenë 550 euro, ndërsa në të tjera 850 euro, për të njëjtën punë. Gjithashtu, janë gjetur dallime edhe për pozicionet e tjera, si për “kontrollimin dhe rregullimin e dritareve”, ku në disa hapësira çmimi ka qenë 650 euro, ndërsa në të tjera 450 euro. Raportohet se në një video shihet se AAK-ja ka pastruar bodrumin para largimit nga ndërtesa, por kompania fituese ka insistuar se ka pasur inventar që është larguar nga ana e tyre.
