Maqedonia

Partia nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, shqyrton mundësinë e përfshirjes së kandidatëve shqiptarë në lista zgjedhore

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, po shqyrton mundësinë e përfshirjes së kandidatëve shqiptarë në lista zgjedhore. Njohësit e rrethanave politike, Xhelal Neziri dhe Petar Arsovski, thonë se partitë politike maqedonase tashmë e kanë të qartë se fitorja e tyre në zgjedhje pa shqiptarët, nuk garanton marrjen e pushtetit. Lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, tha se planifikon që në listat e ardhshme për deputetë të partisë që drejton, të ketë edhe kandidatë shqiptarë. Pas mbajtjes së Komitetit qendror të partisë së tij gjatë vikendit, ai bëri të ditur se është në kontakt me disa shqiptarë dhe kandidatë potencialë për deputetë nga bashkësitë e tjera etnike. Pse jo? Pse jo, kur ne kemi anëtarësi nga të gjitha bashkësitë etnike?! Maqedonia është e të gjithë njerëzve. Kjo është fushata jonë. Secili që ka ambicie, kualitete dhe përgjegjësi për të punuar për Maqedoninë, është i mirëseardhur. Unë i inkurajoj dhe ju them se kam kontakte me disa prej tyre shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, vlleh etj, që ata të gjenden në listën e ardhshme fituese të VMRO-DPMNE-së me të paktën 61 deputetë”, tha Mickoski. (ReL)

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj

Fatmir Limaj: Abstenimi në votimin për kryetaren e kuvendit është e drejta ime

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk ofroi shpjegim të detajuar për vendimin e tij …