Kongresi i Partisë Socialiste, që do të mbahet sot në orën 17:30 në stadiumin “Air Albania”, do t’i kushtojë pjesën e parë gjithë rrugëtimit të PS nga formimi e deri në zgjedhjet e 25 prillit.
Fitorja e zgjedhjeve të 25 prillit mund të konsiderohet si kulmi i suksesit të Partisë Socialiste, pasi për herë të parë për një forcë politike në 30 vite pluralizëm, merr tre mandate qeverisëse rresht.
Në pjesën e dytë të Kongresit, do të prezantohet vizioni i socialistëve “Shqipëria 2030” nga kryeministri Edi Rama, në të cilin do të ketë të detajuar edhe piketat e programit qeverisës në mandatin e tretë 2021-2025.
Dje në një deklaratë për mediat, Balla sqaroi se çfarë do të ndodhë sot.
“Natyrshëm që është moment historik në rrugëtimin e PS-së, e cila gjatë këtyre 30 viteve ka kontribut të veçantë në jetën politike të vendit. E vetmja forcë që nuk u ka bërë asnjëherë dëm interesave të vendit, përkundrazi. Kështu do të jetë pjesa e parë e Kongresit, do t’i dedikohet të gjithë këtij rrugëtimi 30-vjeçar.
Natyrshëm do të ketë përshëndetje, mesazhe dhe pas pjesës që lidhet me 30-vjetorin do të kalojmë në pjesën e dytë, prezantimi i vizionit tonë ‘Shqipëria 2030’, si dhe objektivat dhe programin tonë qeverisës që do të prezantojë Qeveria ‘Rama 3’ në shtator.
Më pas do të bëjmë një analizë të thellë të punës dhe më pas ratifikimi i vendimeve që ne kemi kaluar në Asamblenë Kombëtare”, tha Balla.
Në pjesën e tretë të Kongresit, do të ketë miratim të vendimeve të Asamblesë Kombëtare, që kanë të bëjnë me analizat e rezultatit zgjedhor të 25 prillit në nivel vendor dhe fushatën e hapjes së Partisë Socialiste ndaj anëtarësimeve të reja.
Analiza do të kalojë në tri faza përmes një komisioni të posaçëm, ndërsa procesi do të nisë në 15 qershor të këtij viti, deri në 15 janar të 2022 në çdo nivel të partisë. Për më tepër detaje na mbetet të presim mbledhjen e sotme të Asamblesë së PS.
Top Channel