Partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë, si dhe Bashkimin Evropian, kanë theksuar rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve të reja në vend, duke e quajtur urgjente krijimin e një Kuvendi funksional dhe një qeverie stabile. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka kritikuar taktikën penguese që po mbahet ndaj Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se qytetarët meritojnë politikanë që e vendosin interesin e Kosovës mbi politikat partiake. Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim mes forcave politike për të siguruar funksionimin e institucioneve. “Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar formimin e një qeverie të qëndrueshme”, shkroi ai në rrjetin social “Bluesky”. Po ashtu, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, e ka shprehur shqetësimin për vonesat, duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të presin nga liderët e Kosovës që të bashkëpunojnë për të formuar një Kuvend dhe një qeveri funksionale.
