Kryetari në largim i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë një konference të përbashkët për medie në Prishtinë, pas takimit me kryetarin Hashim Thaçi, ka thënë se e ardhmja e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës është drejt Bashkimit Evropian. “Përderisa është proces që ka nisur para 100 vitesh në filozofi, parime dhe përcaktim, do të vazhdojë gjatë pa u ndikuar nga procese politike”, ka thënë Nishani. Kurse kryetari Hashim Thaçi, ka thënë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë që ndryshe është përfolur edhe si krijimi i “Shqipërisë së Madhe” është propagandë e Beogradit. “Shqipëria e Madhe, shikoni mediumet e Beogradit, e kanë këtë titull në ballinë dhe pse e përmendin ata, Shqipëria e Madhe përmendet në Beograd, as në Prishtinë e as në Tiranë. Ata e përmendin Shqipërinë e Madhe për të justifikuar përkushtimet e veta destabilizuese qoftë në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi dhe veri të Mitrovicës është një propagandë e Beogradit duke përmendur Shqipërinë e Madhe për të justifikuar rolin e vet destabilizues në Ballkanin Perëndimorë”, ka thënë Thaçi.