Industria prodhuese në Kosovë ka shënuar një rritje të lehtë këta gjashtë muajt e fundit. Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Fondi i Kursimeve Pensionale (Trusti), konfirmojnë se këto gjashtë muajt e fundit është shënuar rritje kur bëhet fjalë për qarkullimin e të hyrave tek aktiviteti i bizneseve dhe rritje e numrit të punësuarave që paguajnë kontributet pensionale. Rritjet janë shënuar në kohën kur Kosova po zbaton masën 100 për qind të tarifës doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe kjo masë doganore ka ndikuar në rritjen e prodhimeve vendore. Zyrtar të Administratës Tatimore të Kosovës kanë thënë se prej muajit nëntor të vitit 2017 deri në muajin mars të vitit 2018, vlera e qarkullimit të industrisë prodhuese ka qenë mbi 351 milionë euro, ndërsa nga nëntori i vitit 2018 deri në mars të vitit 2019 qarkullimi është rritur në 536 milionë euro, pra mbi 185 milionë euro është rritur vlera e deklaruar. Edhe në Fondin e Kursimeve Pensionale është rritur numri i llogarive apo kontribut-paguesve në gjashtë mujorin e fundit.
