Në mëngjesin e një shtatorit të vitit 1999, e dinim që diku atje larg, shumë larg, nga ku na ndanin kufij dhe ushtri, përtej territ të botës, në dritën e amshuar të lirisë, në Kosovë po fillonte viti i ri shkollor.
Nga zemrat e mallëngjyera i uruam njëri – tjetrit fillimin e vitit të ri shkollor në liri. Prej së largu i puthëm në ballë fatosat dhe yllkat, i uruam edhe shkollarët tjerë, nxënësit dhe studentët për fillimin e rrugës së dritës dhe të jetës, me dëshirë që të jenë brezi i fundit që e fillon shkollimin si gjenerata e parë pas luftës. Urime dhe përgëzime nga larg kishim edhe për kolegët tanë që e patën fatin dhe nderin që ta fillojnë vitin e ri shkollor në liri.
Syhapur e ëndërronim lumturinë e fillimit të vitit ri shkollor në liri. E ëndërronim edhe kënaqësinë që përjetonin kolegët në këtë ditë historike për shkollën tonë.
Edhe pse fizikisht ishim të burgosur, shpirtin e kishim të lirë!
Më parafytyrohej se po e shoh Mirandën, çapkënen time, me çantën e librave në dorë duke hyrë në derën e shkollës, duke e përshëndetur mësuesen dhe duke i dhuruar asaj një tufë lule. Por edhe yllkatndhe fatosat tjerë, tërë shend, të shpërndarë nëpër oborrin e shkollës sikur bletët nëpër lule.
Atë ditë në burgun e Mitrovicës së Sremit kishte gaz dhe lot. Ai gaz e ata lot rridhnin nga ne mësuesit e burgosur. E imagjinonim ditën e parë të mësimit, zilen e parë në liri.
Gazi i gëzimit dhe lotët e mallëngjimit dilnin nga mësuesit: Abdullah Hoxha, Hasan Jashari dhe Shaip Berisha, nga Hajvalia e Prishtinës; Bislim Bajraktari, nga Prishtina; Bislim Bislimaj, nga Drobeshi i Vitisë; Gani Ahmetgjekaj, nga Rudica e Klinës; Gazmend Tahiri, nga Hereqi i Deçanit; Hajriz Murati, nga Shajkoci i Podujevës; Hasan Dalloshi, nga Sopotnica e Kaçanikut; Nezir Shala, nga Vuçaku i Drenasit; Pashk Quni, nga Doblibarja e Gjakovës; Pjetër Buzhala, nga Çabiqi i Klinës; Rasim Selmanaj, nga Gllogjani i Deçanit dhe Skënder Kelmendi, nga Zllopeku i Pejës e të
tjerë, që emrat e tyre nuk m` u kujtuan në këtë moment.
Mësues të burgosur nuk kishte vetëm në burgun e Mitrovicës së Sremit: Mësues të burgosur kishte edhe në burgjet tjera të Serbisë, në Pozharevc, në Zajeçar, në Krushevc, në Beograd në dy burgje: Padinska Skela, dhe në Burgun Qendror, në burgun e Shabacit e në burgun e Nishit. Të burgosur kishte edhe në burgjet tjera nëpër Serbi, të ashtuquajtura burgje qarku. Mësues të burgosur kishte edhe në qytete të tjera të Serbisë, dhe se edhe sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre.
Gaz për shkak se atë ditë për herë të parë në historinë e Kosovës fillonte viti shkollor pa dhunën e shtetit dhe pushtetit serb ndaj arsimit shqip, ndaj shkollës shqipe, ndaj nxënësve, arsimtarëve dhe popullit shqiptar në tërësi.
Mësuesit lirshëm do t’ua shpjegojnë nxënësve historinë e Skënderbeut, Agronin dhe Teutën. Lirisht do ta këndojnë Himnin e Flamurit. Mund të vishën kuqezi e mund të shkojnë në shkollë dhe të kthehen pa ua pasur frikën çakejve të Millosheviqit.
Kurrë më, askush nuk do t’i rrahë e nuk do t’i torturojë mësuesit para nxënësve e as prindërit para fëmijëve të tyre, por as nxënësit para prindërve dhe para mësuesve. Nuk do të jenë më të përulur, të përbuzur e të poshtëruar! Askush nuk do t’ua grisë më abetaren e as nuk do t’i shajë. Nuk do t’i përzë nga e shkolla. Nuk do të dëgjojnë më një gjuhë që nuk e kuptojnë. Do të jenë krenarë dhe të gëzuar, do të jehojë kënga tyre e gëzimit në kupë të qiellit.
Nuk ka forcë që do t’ua ndalë gëzimin dhe hovin rinor.
Lotët e shprehnin mallëngjimin dhe dhembjen që kishim, nga se nuk ishim me nxënësit e dashur në shkollat tona. Nuk e dëgjonim cingërimën e ziles së parë shkollore në liri. Në shkollë nuk do të jenë as të gjithë nxënësit dhe kolegët tanë ashtu sikurse kanë qenë. Një numër i madh i tyre u vranë e u masakruan, një pjesë u burgosëm, kurse disa të tjerë ende nuk ishin kthyer në atdhe – ishin ende kaçkinë (refugjatë) pa plëng e vatër.
I burgosur ishte edhe Xhevat Behxhet Podvorica nga Dumoshi i Besianës ( Podujevës) i lindur më 12 maj 1983, nxënës i gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ai ishte një lule e rinisë i lindur në muajin e luleve. Kishte sjellje të shkëlqyeshme, gjithherë i dashur dhe i mirë për të gjithë. Edhe pse kishte shtat të njomë (16 vjet), ishte burrëruar para kohe. Burrërisht u bëri ballë të gjitha të këqijave të burgut, si një lis i madh që i bën ballë stuhisë e nuk përkulet. Ishte i pa thyeshëm, njëjtë si profesori i tij i gjuhës shqipe, Abdullah Hoxha. Ishin së bashku në të njëjtën dhomë. Xhevati kishte respekt të pakufishëm për profesorin e tij. Profesori për te ishte prindi, pedagogu dhe atdhetari që ( ishte i burgosur së bashku me vëllezërit Shabanin dhe Tomorin, i dëshmoi në vepër fjalët e veta të theksuara me qindra herë për dashurin ndaj atdheut dhe popullit.
Gjakonim edhe për shkollat tona të shndërruara në hi e gërmadha. Ishim të vetëdijshëm, por edhe shumë krenarë se me ne apo pa ne, me shkolla apo pa shkolla, do të ketë mësim shqip. Në klasa do të shndërrohen edhe hijet e lisave dhe shkollimi do të vazhdojë.
Nxënësit tanë vetëm do ta ndjejnë mungesën tonë fizike, ndërsa sa i përket punës në klasë, kolegët do të na zëvendësojnë me përkushtim e mall. Ata do t’ua përcjellin nxënësve porosinë tonë sikur t’ua kishim thënë ne, me gojën tonë, edhe pse nuk e kishim atë kënaqësi e mundësi. Porosia jonë ishte: “ mësoni, mësoni dhe vetëm mësoni, sepse dituria është arma më e fuqishme kundër çdo armiku”.
Nga epiqendra i territ të botës, nga largësitë e pa arritshme, përtej grilave, nga zemra i uronim nxënësit dhe shkollat tona të rritën në liri, me dëshirën e vetme ”Rrituni së bashku me Kosovën lirë, o pëllumba të bardhë se edhe ne do të vijmë e do të gëzohemi së bashku në Kosovën tonë të martirizuar ndër shekuj, por tash të lirë deri në amshim”.