(Kushtuar viktimave të Masakrës së Dubravës)
Nënë,
S` m’i ke pa plagët e shtatit!
S` m’i ke pa rrekët e gjakut!
S` ma ke fshirë djersën e ballit!
Barbarët m’ vranë,
As varr nuk m’ dhanë
Më flakën n’ greminë,
Ta fshehin barbarinë.
Nënë, dua ta kem varrin,
Aty trupi t` më pushoj.
T` më shërohen ato plagë shtati,
Që gjakatari m`i shkaktoi.
Nënë, dua dhe një gur varri,
Zemra ty të mos gjakon.
Le të dihet e të shihet,
Se aty korpi më pushon.
Nënë, dua edhe gur muranë,
Që koha t` mos e harrojë.
Ta vendosësh në atë vend,
Në atë lëndinë me barë t’ njomë,
Ku barbari më pushkatoi.
Gurin për varr zbriteni nga mali
Ku për luftë jam përgatit.
Që me shokë e vëllezër së bashku,
Barbar ziut i zinim pritë.
Nënë, e dua një gur muranë
Ta vendosni aty ku m’ vranë, e mbarova
Merreni atë gur nga carani i vatrës
Se pranë tij u rrita e u burrërova.
Gur muranë e dua caranin e vatrës,
Pranë tij shtatin e kam rritë.
E nënëlokja piqte bukë misri
E pastaj e ngjyeja n` kripë.
Nënë, dua varr n` tokën e t’ parit,
Se për këtë tokë ata m’ vranë.
Nuk ia lë trojet barbarit!
Tokën time t’ shtrenjtë,
Kosovën time t’ shenjtë,
Po jua lë vajzës dhe djalit!
Nënë, dua drejtësi,
Që t` zë vend guri varrit
T` mos lëviz guri i muranit,
T’ mos harrohet krimi i barbarit.
Nënë, unë dua edhe drejtësi!
E dua për vete e dua për të tjerët
E dua për tokën time t’ shtrenjtë
E dua për ty Kosova ime e shenjtë!
Ata, na vranë në pabesi,
Të burgosur, të ndryrë ishim
Na i humbën edhe kufomat
Në humnerë na i flakën trupat
Që për Kosovën rritë i kishim
Ata donin, që këtu, t’ shuhej jeta
Himnin qyqet ta këndojnë
E t’ mos dihet e vërteta,
Dimri e korbat të mbretërojnë!
Jeta nuk shuhet, veç u vranë trimat
Këtu tash këndojnë bilbilat e kanarinat,
Këndojnë arie, më nuk janë në kafaz
Jetojnë në liri, plot shend e gaz.
Mund të burgoset njeriu
Nuk mund të burgoset njerëzia
Nëse i burgosën djemtë shqiptarë
Nuk mund të burgoset shqiptaria!
T’ lira fluturojnë shqiponjat
Lartë valon flamuri kuq e zi
Me shkabën dy krenare
Mbi tokat shqiptare.
Nga gjaku e dhembja
Mbijnë lulëkuqet e Kosovës
Të madhërishme e të lartësuara
Do rritën krenare lartë te qielli
T’ praruara me rreze të arta dielli
Nga hiri ngritën feniksët.
Gjaku i ynë nuk u derdhë kot!
Liri do të ketë Kosova,
Liri deri në amshim,
Liri për jetë e mot!
Mali qëndron i paepur e hije rëndë
Plang e cang m’i kanë rrënuar
Por ka kush që ta rimëkëmbë
Dhe ta ndezë zjarrin në vatrën e shuar.
Ma vranë vëllaun,
Ma vranë mikun
Ma vranë shtatin,
Ata ma plagosën shpirtin
Të burgosur – duarlidhur ishim
Na i prenë krahët që të plagosur i kishim.
Lirisë, krahët nuk i priten
Aq më të plagosur që janë
Ata krahë më shumë valëvitën
Mali qëndron i paepur e hije rëndë
Votrën ma kanë djegë e rrënuar
Por do ta rindërtoj e do ta rimëkëmbë